Nga promovimet e veprave tona në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë

Kultura

Nga promovimet e veprave tona në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 11:31
Kryesia e promovimit të librit:“Monument në parajsë- Monografi artistike kushtua veprës të skulptorit të ndjerë Asim Lokaj

Promovimi i  librit me titullin “Monument në parajsë”- Monografi artistike kushtuar veprës së skulptorit të ndjerë Asim Lokaj- ishte tema kryesore e promovimit e cila u mbajte në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë në pranin e dashamireve të  librit, artit dhe miqve nga qyteti  i Gjakovës, Prishtinës dhe Deçanit. “Po mos të ishte atdhedashuria, krijimtaria, frymëzimi, puna artistike- nuk di çka do të bëja, si do të jetoja. Unë jetoj për të mishëruar në krijimtarinë time këtë ankth, frikë, shqetësim, vuajtje, rrezikim, dhunë. Nëpërmjet veprave të mija të cilat po u le juve- unë para shkuarjes  në amshim - po “shkruaj”apo shënoj këtë  histori. Andaj, asnjë vepër apo krijimtari e madhe, nuk ka lindur në kënaqje, argëtim, dëfrim, zbavitje, por në dhembje, pikëllim. Në këtë ceremoni të promovimit të  librit kushtua veprës të skulptorit të ndjerë Asim Lokaj- foli prof. publicistë e mirënjohur e botës shqiptare  Migena Arllati e cila në mes tjerash tha:” Të kesh një kryevepër të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, institucion -  epiqendër i interesimit njohës dhe vlerësues mbi popullin shqiptar nga çdo vizitor vendas dhe i huaj, është privilegj i një numri të kufizuar artistësh shqiptarë. Një vlerësim i tillë i lartë artistik i jep dimensione mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare emrit të artistit, vepra e të cilit qëndron aty në Muze, dhe “flet” në çdo realitet, kohë e pushtet, me vetë praninë e saj.

Këtë privilegj të rrallë e aspak të zakonshëm, ndër të paktët e ka edhe skulptori i ndjerë  Lokaj dhe vepra e tij “Duart”, vepër e cila evidenton vlerat pan shqiptare në kontekste të pashtershme kohore e vendore.                             

I përgatitur në shkollën e artit shqiptar, krijuesi Lokaj do të krijonte një emër ku mbi të gjitha, spikatësh do të ishte fryma kombëtare, e fokusuar në vështrimin realist. Skulpturën e kanë quajtur një zhanër të pagojë. Gjithçka në të është spikatësh dhe e dukshme por komunikimi nis në çastin kur ajo, vepra, fiton aftësinë për të komunikuar. Dhe këtë aftësi, asaj ia jep vetëm një person.           

Arsim Lokaj, krijues i bukurisë dhe dhimbjes

Pra, ai e bëri atë nga dheu, nga balta, njësoj si në rrëfenjat e stërlashta që tregojnë se krijuesi ynë krijoi njeriun nga dheu e balta. E krijoi dhe i dha atij jetë. I dha jetën e përkohshme dhe shpirtin e përjetshëm. E tillë është vepra për një skulptor. Një qenie që ai e formon, e krijon nga dheu e balta, i jep formë e shtat, dhe pasi skulptura finalizohet si e tillë, ajo merr jetë mes njerëzve, përsiatjeve dhe emocioneve që ngjall tek ata. Pra, skulptori e trajton veprën e tij si të vërtet, një qenie e cila ka gjithçka në tërësinë e jashtme të saj. Të shprehurit është i pranishëm për aq sa forcë dhe magji transmetimi ka mundur t’i japë autori. Aftësinë e të folurit, të  shprehurit, vepra e merr pikërisht nga tërësia e ndërtimit të jashtëm. Pamja, struktura, tërësia, vijat, detajet e të tjera, që të gjitha këto kthehen në “gojë” të skulpturës - flasin ashtu si krijuesi i saj ka dashur që ajo të flasë. Kjo është arsyeja se pse skulpturat na flasin sapo i shohim, kjo është arsyeja se pse ato na vështrojnë sapo i prekim.

Krijues i Asim Lokajt- tha në vazhdim të fjalës së saj Arllati - hyn në radhën e skulptorëve, veprat e të cilëve janë ekspozuar në pika strategjike, siç është Muzeu Historik Kombëtar, sheshi para Pallatit të Kulturës në Tetovë busti i Naim Frashërti, emblema e Kastriotëve e porositur personalisht nga presidenti historik Ibrahim Rugova.

Gdhendja e tij është shumë ekspresive, dhe me siguri ky ishte një tipar edhe i vetë karakterit të artistit i cili kultivoi dashurinë për punën, dashurinë për profesionin, kultivoi ndjenjën e sakrificës për të qenë artist i lirë, për të qenë bir i një populli të lirë, ndjenja që i ka vetëm një njeri me njohuri dhe koncepte të plota artistike. Në bashkimin e duarve, autori ka gdhendur mesazhin e fuqishëm të unitetit, mesazh me një esencë sa patriotike e poetike, sa atdhetare aq edhe humane, sa shpirtërore aq edhe të reale. Heroi, historia dhe mesazhi arrijnë të pleksen në një, pasi në fund të fundit uniteti, bashkimi ynë, ka qenë dhe mbetet cak i evidentuar gjithmonë në çdo kontekst kohor e vendor të botës shqiptare. Ndaj, krijimi i skulptorit, sidomos kjo skulpturë, është e vështirë të harrohet.

Arti i krijimit të statujave, të busteve e të veprave të tjera artistike me vëllim, duke i gdhendur apo duke i derdhur ato në brunx, sigurisht se paraprakisht ka të bëjë me një ide të hershme, që e nis ngjizjen kohë e kohë më parë, e që mandej vjen tek Ai, skulptori, si një çlirim i madh shoqëror. Por, duke u marrë vazhdimisht me portretizime të tilla, ai njëkohësisht në sytë e studiuesve rigorozë, në sytë e dashamirësve të artit, profilizon edhe portretin e vet. Pavetëdijshëm, vetë skulptori Lokaj, nëpërmes veprash të veta kthehet në një memorie, shndërrohet në monument  talizim për mendjet e zemrat e bashkëkohësve, si një materie e pavdekshme e artit shqip, si një rrëfyes që vazhdueshëm dhe pandalshëm do t’iu tregojë brezave për një unifikim – bashkim e figurave më të njohur kombëtare...  

Lokaj - artin e skulpturës e kishte pasion të zemrës dhe shpirtit

Për natyrën optimiste të artit, për mesazhin shumë shtresor të tij dhe për shumëçka tjetër, këto dhe vepra të tjera të Lokajt janë vërtet përmendore, por më qenësorja nga të gjitha është institucionalizimi i vlerës, si një materie që do të jetojë ndër shekuj, si një produkt i patjetërsueshëm. Punimet e autorit, me gjetjet e tij artistike, kanë hyrë tashmë edhe në fondin e monedhave shqiptare, duke përforcuar kështu anën shumëdimensionale të artit të tij. Por, shpesh fati ndryshon rrjedhën e gjërave. Fati i humb kuptimin planifikimeve, agjendave dhe vendimeve. Sidomos kur fati është i pa kthim dhe quhet vdekje. Ajo ka pushtetin të pamundësojë çdo rishikim, çdo kthim pas, ashtu sikur edhe çdo fillesë. Pasioni që i flinte në shpirt, pasioni për të krijuar, tani vërtet fle bashkë me të në një tjetër dimension. Edhe në atë tjetër dimension, e s’kishte si të ndodhte ndryshe, ai kaloi duke skulpturuar, ndërsa ishte duke lagur dheun për të “gatuar” skulpturën e radhës, për t’i dhënë jetë një tjetër Heroi, pra për të sjellë në art një tjetër jetë. Unë jam e nderuar që i jam kushtuar në mënyrë modeste një pjese të veprimtarisë së skulptorit, skenografit, por edhe luftëtarit Asim Lokaj. Aktiviteti i tij na jep të kuptojmë se ishte njeriu që besonte në maksimën: “Të sfidosh dhe të sfidohesh!”. Me daljen vullnetare në mal, ai iu dha njerëzve një leksion të pashkruar, duke u kthyer në shembullin e trimit që bëri luftën në kohën e luftës dhe iu përkushtua paqes në kohën e paqes. Në këtë vëllim shpaloset këndshëm aktiviteti i tij intensiv shumë planesh. Ky botim vjen si një ndërmarrësi e bashkëshortes së kujdesshme të skulptorit, Samile Cana. Ky libërth është një përmendore fjale që familja i ngre veprës dhe emrit të tij shumë të merituar. Gjithçka shpaloset e trajtuar nga sytë e kritikës, kolegëve, miqve të cilët e trajtojnë atë si skulptor, piktor, skenograf dhe ushtar të lirisë- tha në fund të fjalës së saj prof. publicistë e botës shqiptare- Migrena Arllati. Për librin dhe veprimtaria artistike te Lokaj folën Don Lush Gjergji  dhe Lorik Cana.            

Image                                              
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat