Shënohet 110 vjetori i Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Kultura

Shënohet 110 vjetori i Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 21:54
Shënohet 110 vjetori i Alfabetit të Gjuhës Shqipe

"Për ne dielli lind në perëndim", ka qenë motoja e shënimit të 110 vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe Kongresit të Manastirit, që është mbajtur sot në Shkup.

Për shënimin e kësaj dite në Shkup ishin mbledhur drejtues të institucioneve nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi u shpreh se Kongresi i Manastirit me të drejtë vlerësohet si Kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike dhe kulturore të shqiptarëve. Ai tha se vendimet e tij përbënin një nga shtyllat e rëndësishme që ndihmuan në ngritjen një shkallë më lartë të kulturës e arsimit shqiptar, por edhe të konsolidimit të mëtejshëm të shqiptarëve.

Sot pas 110 vitesh, kreu i Kuvendit të Maqedonisë tha se gjenden në një realitet të ri, ku ai u shpreh se janë rritur, pjekur si shoqëri, si shtet dhe si rajon. Ai tha se diapazoni është zgjeruar dhe nuk ka hapësirë për barriera dhe kufij, ku për këta të fundit ai tha se janë një mentalitet i atyre që kanë mbetur të ngecur në korridoret e zymta të një kohe të kaluar.

Xhaferi: Integrimi i plotfuqishëm

"Integrimi i plotfuqishëm i joni dhe i tërë rajonit në struktura të BE-së dhe NATO-së, është indi bashkues i shtetit tonë me rajonin dhe me botën. Për këtë qëllim nuk e kanë kursyer vetën të gjithë politikberësit e vendit, por edhe ata në rajon. Prandaj, sot jemi aty ku jemi, respektivisht Maqedonia po i kalon kilometrat e fundit para anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO, Shqipëria tani është anëtare e fuqishme e NATO-së, me status kandidat për anëtarësim në BE. Ndërsa, Kosova si shtet më i ri në Evropë, e nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim. Kjo edhe një herë dëshmon se rajoni po i tejkalon inatet e së kaluarës dhe pozicionohet në rrafshin e civilizimit të lashta evropiane dhe botërore", tha ai.

Kurse, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se detyra e shtetit është që t'i respektojë, t'i mbrojë dhe të kultivojë gjuhën dhe shkrim leximin e çdo bashkësie të saj. Ai tha se gjuha dhe shkrimi janë mjetet më të rëndësishme për ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë kulturore të një bashkësie.

Zaev: Ta promovojmë dhe ta praktikojmë idenë e madhe evropiane

"Ne në Republikën e Maqedonisë kemi shansin që në mënyrën më të mirë ta promovojmë dhe ta praktikojmë idenë e madhe evropiane, të bashkuar tek dallimet. Prandaj, me të drejtë mund të theksojmë faktin se shpallja e ditës së sotme si festë zyrtare e alfabetit shqip, është pjesë përbërëse e pasurisë kulturore dhe gjuhësore të Republikës së Maqedonisë. Shënimi i vlerave kulturore, datave dhe traditave të të gjitha bashkësive etnike, duke përfshi edhe bashkësinë shqiptare, është me të vërtet në bazën e shoqërisë tonë shumë kulturore", tha ai.  

Zaev tha se shumëllojshmërinë etnike dhe gjuhësore, e konsiderojnë si pasurinë të përbashkët.

Në këtë shënim të 110 vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ka marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, i cili ka thënë se pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme historike. Ai është shprehur se delegatët e kongresit të Manastirit me objektivitet shkencor e nën dritën e përkatësisë evropiane të kombit shqiptar, u ngritën mbi logjikën fragmentare, mbi psikologjinë krahinore, mbi përkatësinë fetare dhe morën vendim të interesit mbarëkombëtar. Me këtë alfabet, presidenti Thaçi ka thënë se është shkruar dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912 dhe deklarata e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008.

Thaçi: Është shkruar edhe historia e ushtrive tona çlirimtare

“Është shkruar edhe historia e ushtrive tona çlirimtare dhe historia e rezistencës civile gjithandej vendeve shqiptare. Me të është krijuar edhe aleanca me botën e përparuar demokratike, me demokracitë perëndimore, SHBA-në, BE-në, me NATO-n. Me këtë alfabet, që prodhon kulturë të tolerancës dhe miqësisë me popujt fqinj, po shkruhet edhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkanin e perspektives evropiane. Manastiri ka qenë, është dhe do të mbetet përjetësisht Kryeqytet i Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, ka thënë presidenti Thaçi dhe ka uruar Maqedoninë për zyrtarizmin e gjuhës shqipe.

Kurse, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se është mirë që këtë vit përvjetori i Alfabetit të Gjuhës Shqipe festohet duke qenë se në Maqedoni është miratuar Ligji për gjuhën shqipe.

Meta: Rajoni ynë ka kaluar shumë vështirësi  

"Rajoni ynë ka kaluar shumë vështirësi dhe sfida, dhe është koha për më shumë bashkëpunim, respekt reciprok, bashkëjetesë dhe mirëkuptim. Respektimi i pakicave dhe minoriteteve është vlerë e shtuar për të gjitha vendet e rajonit tonë. Ndaj, le të ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët evropiane, në mënyrë që t'iu lëmë brezave që po vijnë pas nesh një vend më të sigurt dhe më të zhvilluar", tha ai.

Kurse kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është shprehur se fuqitë e kohës, vendet përreth bënin përpjekje që “të na vrasin shpirtin duke lënë në harresë Gjergj Kastriotin Skënderbeun”.

Ahmeti: Kjo luftë u fitua në Kongresin e Manastirit

"Fuqitë e kohës, vendet përreth nesh të gjithë bënin përpjekje që ne të na vrasin shpirtin duke lënë në harresë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, figurën më të madhe jo vetëm të ne shqiptarëve po të gjithë popujve të Ballkanit. Bëheshin përpjekje të mëdha që gjuha jonë, që në mesjetë shkruhej me alfabetin e vet, kjo gjuhë të shkruhej me alfabete të tjera. Kjo luftë u fitua në Kongresin e Manastirit", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat