Me shkas në 50 vjetorin e ngritjes së Flamurit Kuqezi në Kosovë

Kultura

Me shkas në 50 vjetorin e ngritjes së Flamurit Kuqezi në Kosovë

Nga: Mislim Berisha Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 12:57
Flamurt Kuqezi

Prill i vitit 1968. Vertet, vdekjën e t`atit, shpejtë e kishte harruar se, në të njëjtin muaj (prill), politikisht kishte vdekur edhe anmiku i shqiptarëve, Rankoviqi. Ramadanin, gjatë ngushllimeve për vdekjën t`atit, dashamirët shpesh e kishin zënë duke e dëgjuar një 8-transistor - Delux. Derisa dashamirët e gjykonin si reagim jonormal, për shkak të humbjës së prindit, ai ishte i zënë me gjykimin që po i bëhej Rankoviqit. Vertet, Rankoviqi kishte thyer qafën edhe dy vite më parë, por reflektimi, në Kosovë, nuk po dukej, falë kumbarve të tij. Dhe, kur Ramadani njoftoi dashamirët për degradimin e Rankoviqit, disa nga njerëzit, në vend që të gëzoheshin, dhanë shenja sikur t` iu kishte vdekur ndokush. Disa thoshin se, më në fund, shoku Tito, duke parë sjelljën prej gjakatari, të Rankoviqit, e shkarkoi nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendëshme të Jugosllavisë. Por, Ramadani, si njohës i mirë i politikës sllave, u thoshte:

 -Nuk e bëri shaka Tito këtë zhgarkim se deshi të na mbronte ne, por se atij ia dridhi korrikën. Dhe njerëzit Ramadanin e shikonin si një kobzi.

Pas vdekjës së Rexhep Muhametit, diku në fillim të vjeshtës, Ramadani vajti në Polluzhë. I kishte vdekur kaherë vajza e xhaxhajit tij, por dashuria ndaj nipave kishte mbetur në kulm. Ata ishin të kallur pas PKJ-së. Kishin kaluar pesë gjashtë muaj që nga degradimi i Rankoviqit, e ata ende ia mbanin fotografinë varur në mur. I gjeti në sofër. Po pinin raki se aty ishte edhe komandiri i policisë së Ratkocit. Ramadani u bë sikur nuk e pau komandirin. Ia lëshoi syrin fotografisë së Rankoviqit, fotografi kjo parë dhjetë vjetë më parë varur në të njëjtën gozhdë.

-Po hiqeni atë bagël nga muri, o popull i prapambetur! Ai ka vdekur tash. Mos ia keni frikën xhenazes!

 Iu afrua fotografisë që ta hjek nga muri. I zoti i shtëpisë, mik i kahershëm, ngriti zërin dhe duke iu vërsull fotografisë, i tha se po ta prekte, do ta vriste. Ndodhi kacafytja. Fotografia ra, por nuk u thye. Ndërmjetsuan të tjerët dhe gjakrat u ftohën. Ramadanit i kishte mbetur gjoksi zbërthyer pullash që kur i kishte thënë të zotit të shtëpisë «Shtin e ta pshurrsha armën»! Ndërkohë çohet komandiri i milicisë, merr foton, i mëshon mirë për toke. E theu copë, copë dhe tha:

-I vdekuri nuk çohet lugat. Ramadani mirë e ka. Ligji është njera anë e medaljes, ndërsa simpatia është diçka tjetër.

 Ra heshtje e rëndë.

Po në atë vit, gjatë nëntorit, më në fund, u lejua që në Kosovë të ngritet edhe Flamurit Kuqezi. Ndër të parët, kush tjetër pos Ramadanit, e bleu dhe e solli në shtëpi. Duke i mashtruar disa këshilltar të katundit, i fton në pasdrekën e 28 nëntorit 1968, me arsyetimin se kujtonte 7 mujorin e vdekjës së Rexhep Muhametit. Kishte shtruar një sofër në odën e burrave. Nja tre katër kokrra vezë të zjera, nja dy tre qepë prerë në katër pjesë, tre katë copë djathi shtepiak,  një grusht kripë dhe ja përkujtimi për prindin. Cakrronte gotat me dashamirët, nderkohë shpesh delte përjashta. Eshrefin e kishte ngarkuar që të ofronte shkallët e gjata, një copë litari, një zinxhir, disa goxhda dhe një çekan. Pas shumë akrabacioneve se edhe era frynte si për inat, hoqi keq, por ngriti flamurin në shtyllën elektrike në oborrin e tij. U këthye me një buzëqeshje, të cilën dashamirët nuk e kuptuan, por e pranuan si jo normale. Një nga këshilltarët e fshatit kërkoi të dilte për në nevojtore, e cila ishte në të djathtë të shtëpisë. Kur po këthehej, pa të valvitej Flamuri Kuqezi. U trazua mendsh. Hyri me nxitim dhe shumë i hutuar, thoshte:

-Flam...flam... flam...!

Një tjetër këshilltar i Lidhjës Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë, me të qeshur ia pret:

-Ende ska ardhur dimri, e ku në dreq t`satamës e gjete flamën? Pi raki se të bën mirë!

Ndërkohë, gjithë ai gaz u shëndërrua në heshtje. Paria e katundit, posa kuptoi se në oborr valonte Flamuri Kuqezi, ikën kush me këpucë të palidhura, e kush la dhe mestet (qorap të shkurtëra).

 Nuk vonoi shumë dhe oborrin e «vizitojnë» shumë dashamirë të PKJ-së, shumë qanaklëpirës, shumë rankoviqas. Ramadanin e këshilluan me të mirë që ta zbriste flamurin, por kot. E kërcenuan se do ia shihte sherrin, por kot. Njëri, si ma i dashuruari në vllaznim-bashkim, thotë:

-Po nuk e hjeke ti, unë jam ai që do të hip tash në këtë shtyllë liktrike të mallkuar, e do ta largoj flamurin.

Ramadani, shumë i qetë, ia pret:

-E di se je shumë i besueshëm i PKJ-së. Këtë e ke shfaq edhe atëherë kur ma morët imunitetin e sekretarit të PKJ-së për Bashkinë Lokale të Çifllakut. E di se mund të ngjitesh në shtyllën elektrike, por nuk e di si do të zbresish në tokë.

Dhe ata e dinin kokëforcinë e Ramadan Rexhepit. E dinin se me po atë kokëforci e kishte humbur librezën e antarit të PKJ-së. Me atë kokëforci e kishte fituar gjykatën në nivelin krahinar, por nuk kishte dashur të këthehej më në krye të Bashkisë së Çifllakut përdersa nuk do të largoheshin ata që e akuzuan. Sejcilit këshilltarë i vajti mendja te dita kur u provokuan të gjithë anëtarët e PKJ-së së Çifllakut, që në një ditë ramazani, nga bishti i organizatës u nxor vendimi t`iu prishej agjerimi, e këtë nuk e pranoi kryesuesi. Kumara Millë luante lojën e fydzavekut herë me sekretarin, herë me bishtin e organizatës.

-Po pije ujin, o Gërrban! Unë aty isha kur ti hëngre një llavor pshesh të kallamojt. Këta e kanë gjinuar, por në respekt të PKJ-së, e prishën, tha kumara i atyre që e prishën agjerimin.

-Ti thua ashtu, por unë kurr nuk e prish ramazanin, tha bindshëm sekretati i Bashkisë Lokale të Çifllakut.

Këshilltarët e katundit ikën si qeni me bisht ndër këmbë.

 Më në fund, të gjithë, e morën vesh lejimin me ligj, të ngritjës së Flamurit Kombëtar ndër shqiptarët në Kosovë, por njolla e zezë, sot e asaj dite, as Ramadanit, as pasardhësave të tij nuk iu hoq.

Vaden e ndau. Bashkë me kusherinjtë, formuloi listën për thirrjën e dashamirëve të cilët do të vinin në dasmën e t`birit. Shkuan për t`i uruar, sipas traditës, heret në mëngjesin kur dërgoheshin gjësendet e pajës në shtëpi të nuses. Si kusheri, në atë gëzim ishte edhe Ramadani. Që pas vdekjës së t`atit, ishte dasma e parë që merrte pjesë. Pas gjithë asaj zymtësie, shpirti ia deshi të gëzohej.

-Nuk e pashë flamurin. Nëse ende nuk e ke blerë, po shkoj vrap ta marr flamurin tim në shtëpi.

-Jo, Ramadan, jo atë flamur. Në dasme është i ftuem edhe kumara Millë, prandaj dua ta nderoj me Flamurin e Federatës.

 Ramadanit iu morën mendët. «Si është e mundur që më shumë të çmohet armiku i tyre sesa unë, vëllau i tyre, vallë»?

Edhe më qesharake i dukej Ramadanit kur dasmorët, për hirë të kumarës Millë, përpiqeshin të flisnin gjuhën të cilën nuk e njihnin mirë, gjuhën e kumarës, e rinia zgurdullonin sytë se asgjë nuk kuptonin.

 Vitet ecnin. I përpinte errësira bashkë me të drejtat e shqiptarëve nga Kosova. Gjithëçka harrohej, veq hakmarrja ndaj Ramadanit, jo. Në fillim të viteve të shtatëdhjeta (të shekullit të shkuar), për shkaqe sigurie, Ramadani migroi në Vjenë të Austrisë. Pas njëmbëdhjetë vjetësh iu hakmorën. E gjetën momentin. E kishin përcjell tek u printe demonstratave të kosovarëve, të cilët shprehën solidaritetin e tyre ndaj studentave të Universitetit të Prishtinës. Në fundvitin 1982, posa zbriti, kumbarët e Milla Reshetarit, e kishin alarmuar stacionin e Milicisë së Rahovecit. Ia kishte ndjerë zemra se gjithë natën, në ëndërr, ishte përplasur me ata. Heret kishte afruar kokën në dritare. Para se të pikaste milicët, kishte vërejt vrushkuj të avullit nxjerrë nga policët që e kishin rrethuar. Ata vrushkuj dukeshin në çdo skutë të oborrit. Pasoi një histori e gjatë, por si rezultat i kësaj, Ramadani humbi pasaportin, humbi punën në Austri, humbi të drejtën e shkollimit të lartë të tetë bijve të tij. Pushtetarët kishin pritur që me shkatërrimin politik të Ramadanit, do të shkatërrohej edhe familja. Por kjo nuk ndodhi. Familja, moralisht, u forcua edhe më shumë.

 Në prillin e 1997-tës, më në fund, vdiq edhe Ramadan Rexhepi. Disa nga djemtë, klandestin në mërgim, klandestin në vendlindje, klandestinçe erdhën në ceremoninë mortore. Një kameraman, pasi bëri disa regjistrime filmike, kërkoi nga dashamirët që ta thoshin ndonjë fjalë për ta nderuar, për herë të fundit, të ndjerin. Të parët që e morën fjalën, ishin ata që më së shumti kishin raportuar faltorën e kumarës Millë. Hyseni, ardhur nga Norvegjia, tek po dëgjonte deklarimet e tyre, deshi të reagonte ashpër. Hajdari, fqinji që po i qëndronte përskaj, duke njohur situatën dhe duke e njohur edhe kokëforcinë e Hysenit, i thotë:

-Trus aty! Ata më së mirin e kanë njohur bacin Ramadan, sepse gjithë jetën janë marrë me të bëmat e tij. Kush ma mirë se ata dijnë çka flasin, dhe bëjnë mirë që flasin. Më mirë vonë se asnjëherë.

Aq mirë e përshkruajtën jetën e tij, sa që shumë miqve u erdhi keq që nuk e kishin njohur të ndjerin aq mirë.

I biri, Hyseni, pas këshillës së Hajdarit, nuk mundi të reagojë ndryshe pos t`i ngushllojë ata që gjithëkohën kishin lehur kundër viktimës së tyre.  

O BAAAB!      

Për paditurinë time, a do t`më falësh, o babë?

I tillë siç jam, si nuk ta njoha madhështinë?!

Prej shkjaut mësova për syrin tënd shkabë,

Për dashurinë ndaj atëdheut, për njerëzinë.

 

Gishtat, numruari, thyenim bashkë me nënën

Duke i kujtuar të gjithë ato vite, shkuar pa ty.

S`më besohet vdekja jote se s` dëgjova gjëmën

Por shkuan gjithë këto vite që s`të pashë me sy.

 

Me nënën, vranim kohën, aty, ulur në shkallë

Ajo, t`vargojmë të bamat tua, do më joshte

Unë ia numroja të shtuarat rrudha në ballë.

-Vdekja për atëdheun është ar, më thoshte.

 

S`më besohet vdekja jote se s` dëgjova gjëmën

Por shkuan mbi njëzet e më, s`të pashë me sy.

Çdo verë në çdo skutë shikoj anë e kend lëmën

Në shtëpinë e vjetër, kërkuari, heraherës dal e hy.

 

E tash, kështu siç jam, a do t`më falësh, o baaabë?

Se jam shpirt i mërguar e me ato perde të rënda.

Pse vallë nga shkjau ta mësoj për syrin tënd shkabë

Të vrazhdë nga jashtë, por të dashur nga brënda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat