Shkrimtari i shqiptarisë që ngriti në mit figurat historike

Kultura

Shkrimtari i shqiptarisë që ngriti në mit figurat historike

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 21:40
Pamje nga konferenca

Sulejman Krasniqi, shkrimtari i madh shqiptar i njohur ndryshe si Balzaku i letrave shqipe, u përkujtua në ditën e tij të lindjes në një konferencë shkencore të zhvilluar sot në Rahovec.

Mes shkrimtarëve, njerëzve të penës, familjarëve të tij, lexuesve të disa brezave që kanë lexuar dhe adhuruar krijimtarinë e tij duke u njohur me to edhe në fshehtësi, u përkujtua në një konferencë shkrimtari i madh shqiptar.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi theksoi se Sulejman Krasniqi mund të quhet me të drejtë Balzaku ynë, siç do të shkruante Dritëro Agolli vite më vonë.

“Romani ‘Mic Sokoli’, i botuar vetëm një vit pas përkujtimit të Lidhjes së Prizrenit krijoi një tipologji të veçantë në letrat shqipe. Ai krijoi nga një mjedis i vogël dhe lokal, heroin e përmasave kombëtare që fatin dhe veprimtarinë e vet ia nënshtroi ideve të mëdha kombëtare. Sulejman Krasniqi mund të themi me plot gojën se është pena e tij që ka gdhendur një personazh që në vetvete bashkë me kompleksitetin e personazheve të tjerë si Ahmet Koronica, Shuaip Spahiu, Haxhi Zeka, Zef Kosharja etj, krijoi universin shqiptar të heroizmit që bie ndesh me agresivitetin shovinist të fqinjëve sllavë keqpërdorimin si plaçkë tregu të shqiptarëve nga pushteti perandorak osman dhe paragjykimi orientalist i fuqive perëndimore”, nënvizoi Koçi.

Sipas tij, Sulejman Krasniqi në vitin 1990 kishte arritur maturinë si shkrimtar, prandaj ka arritur të përcjellë mesazhe të forta historike letrare përmes penës së vet.

Gjatë punimeve të konferencës, ai propozoi që të bëhet një simpozium më i madh siç e meriton themeluesi i romanit historik, Sulejman Krasniqi dhe sugjeroi që kjo konferencë të zhvillohet edhe në muajin maj të 2019.

Vajza e tij, Albana Krasniqi ndau me të pranishmit mbresa dhe kujtime nga jeta dhe vepra e babait të saj.

“Në veprën e fundit babi, në jetëshkrim, ka treguar se ku u lind. U lind në Hoxhë të Vogël dhe ne si fëmijë gjatë gjithë fëmijërisë tonë, gjatë rinisë tonë, por edhe në moshë madhore e kemi ndjerë Hoxhën e Vogël të pranishme në çdo hap tonin, megjithëse nuk e kishim parë asnjëherë. Kur u kthyem në ’99 dhe kur kaluam nga Zhuri, babai na tregoi me një emocion të jashtëzakonshëm se këtu kam ecur, kam kaluar kufirin për në Shqipëri”, tha ajo.

Sipas saj, kthimi në Hoxhë të Vogël ka qenë një moment shumë emocionues. “Ka qenë një moment shumë drithërues, sepse gjetëm Hoxhën e Vogël me tymin që dilte nga çatitë, për shkak të dhunës që ishte ushtruar ndaj këtij fshati, si ndaj gjithë Kosovës”.

Kurse, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se një muze kushtuar Sulejman Krasniqit, shkrimtarit të madh shqiptar pritet të ndërtohet në Komunën e Rahovecit.

“Do t’i propozoj Kuvendit të komunës që të ngremë një shtëpi-muze kushtuar shkrimtarit, si dhe për ndarjen e çmimit Sulejman Krasniqi”, tha ai.

Më tej, kryetari Latifi theksoi se krijimtaria letrare e Krasniqit ishte kryekëput atdhetare dhe heroike. “Heronjtë realë dhe imagjinarë të Sulejman Krasniqit e donin atdheun e tyre dhe për të u flijuan gjatë gjithë historisë”, tha ai./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat