Kush është dhe kush bëhet njeriu më i urryer dhe më i neveritshëm në shoqëri?!

Kultura

Kush është dhe kush bëhet njeriu më i urryer dhe më i neveritshëm në shoqëri?!

Nga: Skender S. Kapiti Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 16:34
Skender S. Kapiti

Njeriu më i urryer në shoqëri është ai individ prej të cilit shoqërisë dhe kombit i vijnë skandale,vuajtje, trauma, dëme dhe fatkeqësi.

Njeriu më i urryer dhe më i neveritshën te opinioni shoqëror në një shtet bëhet individi i cili zotëron pushtetin, dhe pikërisht  personi i cili qeveris vendin dhe shoqërinë dhe q  është në krye të pushtetit  por që abuzon duke spekuluar shumë rëndë me të.  

Më i urryer në shoqëri bëhet individi i cili  tregohet hipokrit, mospërfilles dhe arrogant; kur ai nga lartësia e pushtetit përbuz, tall dhe injoron vegjëlinë dhe të gjithë ata të cilët megallomania e mëndjemadhësia e tij i konsideron se janë poshtë tij, dhe si i tillë ai është një mizantrop i zhveshur nga përgjegjësia, nga dhimbshuria dhe nga ndjesia sociale.

Njeriu më i urryer në shoqëri është kryepushtetari i cili i rrëmben të gjitha, edhe sovranitetin e zgjedhësve të tij, edhe ligjin ,edhe drejtësinë si dhe  ai i cili bën punë të pista: vjedhjen, tradhëtinë dhe korrupsionin edhe me duart e të tjerëve servilë, puthadorë dhe sejmenë   të dobët nën veten e tij dhe të zgjedhur si besnikë të tij.

Njeriu më i urryer behet  tradhëtari  dhe pushtetari frikacak të cilin e bën cinik, mendjemadh dhe trim vetëm pushteti.

Njeriu më i urryer dhe më i neveritshëm për shoqërinë është pushtetari më i lartë i shtetit kur prej tij shpërthejnë skandale, tradhëti  dhe paturpësi publike.  

Njeriu më i urryer për shoqërinë është ai i cili eksaltohet në pushtet, ai i cili vetëmashtrohet se triumfon me pushtetin e tij, por që realisht kthehet në dramë dhe në fatkeqësi për popullin e tij.

Individi më i urryer në shoqëri bëhet ai  i cili nuk di se çfarë të bëjë me pushtetin e tij.

Kur këtij individi i del boja si mashtrues, gënjeshtar e keqbërës publik; kur flet dhe premton vetëm për të gënjyer dhe për të mashtruar popullin e tij dhe kur  pushteti këtij individi ia errëson atij mëndjen dhe  ia verbon pamjen , atëhere realiteti , opinioni dhe veprimi i publikut e hedh atë si mbeturinë publike.

Kur këtij tipi sundimtari i del boja në publik si i tillë, ai bëhet njeriu më  halabak, më i urryer, më i neveritshëm sa që kur del dhe duket  dhe vend e pavend krijon te publiku edhe tugun, vjelljen shpirtërore.

Të tillë a nuk janë sjellë dhe a nuk sillen edhe sot pushtetarët dhe politikanët e lartë shqiptarë, dhe po këta a nuk janë bërë individët më të shpëlarë , më të neveritshëm dhe më të urryer te publiku  sa që janë bërë të pështirë dhe të bajatshëm kur duken e kur flasin, madje jo vetëm ata por edhe ato media të cilat i reklamojnë dhe vazhdojnë t’i përcjellin dhe promovojnë ata?!

Populli ka gjykim të madh dhe të paimagjinueshëm, dhe vlerësimit e gjykimit të tij nuk mund t’i shpëtojnë ata të cilët vetëmashtrohen se e bëjnë, e manipuilojne dhe e sundojnë opinioni e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat