Kurorë tingëllimash

Kultura

Kurorë tingëllimash

Nga: Nexhat Halimi Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 18:08
Nexhat Halimi

Forma abstrakte

forma s` e vret përmbajtjen e as je abstrakte ti

asgjë e mendjes së zgjuar nuk është zjarr i fjetur

s`është largim veçimi prej vijash i artit tjetër

e paqena s`është fjalë e pa thënë për qeniet aty

largimi përmes të të menduarit zgjon hapësirë

borën e rënë gjatë natës në vetminë e thellë

qiririn në tryezë përbri të cilit ti shkruan e vjell

e lehja e qenit në hënën në ujë krijon uvertyrë

te molla e kuqe e ndez gjakun hija me martinë

guri i secilit varr ngjallet në kohë dhe vetëtin

kumbullat tharë në hije e ja dhe degë të shtogut

sendet tretur në lidhjet e ndryshme mes vetes

ka mbetur hiri e varrat e pikëzat e thara të etjes

ora e zallit ik hapësirës veç me flakë të trokut    

II zgjimi i lules

ora e zallit ik hapësirës veç me flakë të trokut    

lëviz e krijon mes parimit të tonit e shënimit

ec me art përgjithësimi e ja veçohet aty zgjimit

ardhjes për gjurmë pluhuri të vrapit të gjokut

krijimi i gjakut të ndezur është i papërcaktuar

me sfera teorike veç me përgjithësim mendor

zjarrit e frymës unë rikrijoj portrete në dëborë

mbase me ide e forcë abstrakte veç të pashuar

pse mendja s` mund të krijojë gjë të vetmuar

ndoshta dhe të vështirë për t'u kapur e kuptuar

veç mes hirit e zjarrit shpërthen flakë e gjak

ti ngrirë në nocion të përvjedhur ndër parmak

në përpjekje për të ngjallë pak stilin e barokut

ritmi i zgjimit të lules vjen për fije të flokut

III prejardhja abstrakte                                                                                                                                                                                 

ritmi i zgjimit të lules vjen për fije të flokut

nëpërmjet vijash e njollash e trajtash në erë 

art krejt subjektiv në paraqitje fluture në verë

art i prekur me flakë në njërin krah të zogut

ky qiell nuk kapet me shqisa veç me ndjenjë

me dritë të hapësirës së ngrirë të ujit të kroit

aty ndër degëza në lulëzim me lule të ftoit

me zë-zë të vijë gjithnjë nën etje një menjë

natyrisht syri yt shprehet në kuptimin e vet 

gjithnjë të lidhur aty nëpërmjet ngjashmërisë

shtruar në sipërfaqen e lëmuar të ujit në det

e era e sjell ullirin rreth rrufesë e pafundësisë

në kuptimin e vjetër të prejardhjes abstrakte

metafora është vetë hija e vizatuar me dy akte                                                          

IV  kuptime të figurshme

metafora është vetë hija e vizatuar me dy akte                                                           

lëvizje ka dhe përhitje ka male e njerëz ka aty

kush vjen e kush shkon vetëm unë s`të takoj ty

s`lidhet ç` intonacion shpreh ç`ritëm e takte

figura të errëta të pakuptueshme  hermetike

dy dritare hapur në ajër e nga një trëndafil

dy silueta aty s`merret vesh çfarë duan tebdil

skena shpartalluar erës së egër epiko lirike

asgjë s`e zbulon veten e prapë lëviz zgjimi

poezi hermetike apo copëz tregimi i vështirë

prej dritaresh hapur rrjedhin tinguj me lirë

unë vetë te pusi në mes skenës të përmend

e ti zgjon me fotografinë në dorë në legjendë

apo kuptime të figurshme në vija krahasimi        

V  trëndafil në borë

apo kuptime të figurshme në vija krahasimi        

i mbyllur mirë të mos mund të kalosh as ti

të mos mund të kalojë natyrisht zjarr as dashuri

ose diçka tjetër e shprehur me figurë kuptimi

kaq e paqartë kaq e mbyllur guacë e dalë deti

fshehtësi kaq habitëse ka gjuhë a s`ka aspak

 e pakuptueshme me figura mbytur në gjak

ec merre vesh çfarë shpreh mjegulla te poeti

diçka të mbyllur tërësisht brenda në amforë

diçka  të pa hapur të mbetur trëndafil në dëborë

diçka mbyllur vetes në një ëndërr të vështirë

kot nuk ka në këtë rrjedhë esa asgjë hermetike

veç ti zot me afshe e këpute trëndafilin e ike

afshe të një fjale apo gjithnjë në këtë mënyrë 

VI  ritëm fluror

afshe të një fjale apo gjithnjë në këtë mënyrë 

diçka me intonacion e mendim të fjetur mendor

apo veç tis i ndërrimit të zërit në ritëm fluror

e lidhur prej konkretes te abstraktja e vështirë

e veçoj të menduarit e rilidhur me përfytyrime        

kaq me ritëm më trokon zemra në fushat fund

e kërkoj veten ndërmjet ëndrre e s`e gjej kund

apo drita abstrakte merr diçka prej vetëtime

s`je jashtë mendjes megjithatë është gjë e kotë

ndërmjet kuptimit pikë gjak i ndezur me lot

rrjedhin udhë humbin diç tërësisht pikë lirikë

i lodhur i vetmuar brenda meje ik etje e mirë

krijoj herë sipërfaqe të së dielës e herë metrikë

bëj gjakshkrim nëpërmjet tingujsh veç me lirë

VII  vinjeta rrufeje

bëj gjakshkrim nëpërmjet tingujsh veç me lirë

e përdor një tingull e natyrisht muzikë  lirike

diçka pa kuptim e jashtë mendjes `i dritë epike

kaq i lidhur me gjakun e ndezur nën zinxhirë

gjarpër i fjalës apo dritë shprehjeje me figurë

apo lëviz deri në absurditet diçka `i metaforë

në mur trokon nëpërmjet frymës e njëjta orë

e unë bëj përpjekje ta zgjoj ëndrrës `i gravurë

në parvaz të dritares e gjej një lule të këputur

herë në njërën e herë  në tjetrën bredh `i flutur

e rendis vargëzim poezie me rrjedhë pikëllimi

i mbyll sytë i shtrirë fjalës i rënë në absurditet

ah ja metafora shprehjes së gjakut tajit ndërmjet

strofa poezie me vinjeta rrufeje e shpërthimi

VIII njerëz e male

strofa poezie me vinjeta rrufeje e shpërthimi

rreth e rrotull me vijë shënoj vijat kryesore

përvijoj apo bie në absurditet kaq i mpirë dore

e njerëz e male ndrisin prapë në yll flakërimi

hija njëjtë me pikë gjaku ravijëzohet prekjes                       

në figurë me trajta të dukshme e kaq të qartë

sytë e kurmet shfaqen thikës  në borë të artë

udhë e hije rrudha shtëpi klithje para vdekjes 

i dallueshëm nis të shquhet zjarri i yt i shpirtit

e pikë të mëdha të gjakut ndoshta trëndafila

në krahnezë pemësh të vjetra shndrisin yrtit

etja për ty merr trajtë ëndrre e vijnë bilbila

fjala e përdorur në këtë dritë malli kurorëzohet

tashmë arti i pakapshëm me shqisa rishtrihet

IX  peizazh dimëror

tashmë arti i pakapshëm me shqisa rishtrihet

perde e tejdukshme avullit me vijë në mes kris

rrëshqet xhamit e pengon pak pamjet nën tis

e gjaku i rrjedhur shihet shtresës nga ngrihet

tymi pezhishkës së merimangës në fije ngel

herë pëlhurë herë tjetër veç rrjetë në largësi

përmbajtje e përhershme e zjarrit në gjithësi

unë vizatuar syrit të zymtë mëngët i përvjel

pamje gurësh me myshqe varresh ndezin sytë

peizazhi dimëror paraqet përshkrim të fjetur

formë e pasqyrimit përmes shembjes së vjetër

zgjohet kujtimi në mënyrë krijimin e farfurit

me figura artistike udha e vdekur ende shihet

ravijëzimin diçka e nxjerrë trajtash e mpihet

X parim estetik

ravijëzimin diçka e nxjerrë trajtash e mpihet

arti s`është parim estetik veç për nocione të veta

ka qëllim në vete të përmbaj çaste nga jeta

ritmet e sendet njëkohësisht uji ndërsa ngrihet

arti i të folurit e ti dhe gjakshkrimi i përveçëm

vijat e kufizimit të `i sendi japin përfytyrimin

formën me të cilën fjalët e shprehin kuptimin

nxjerrin trajtën e ravijëzuar e të ndërgjegjshëm

nisin të përcaktohen vijat e diçkaje  në largësi

shfaqen trajtat e dalluara nxirren tiparet në hi

i përvijoj rrugët e kërkimit kaq verbër vetvetes

e ardhmja humb shfaqet e gjurmët ja në borë

e digjet karakteri abstrakt i diçkaje e agon etjes

apo peizazhet flakë të përgjithësimit mendor

XI vetëm ideja

apo peizazhet flakë të përgjithësimit mendor

nocion abstrakt i shkëputur gjithë nga vetja

gardh në flakë realiteti të nxjerrë hijes nga tretja

diçka me jetën e papërcaktuar trokut në orë

përvijoj rreth gjaku të ndezur e ardhmja të vijë

me hijen abstrakte të diçkaje kodrës e te plepi

majës së të cilit vetëtima me ngjyrë shkrepi

ja ngjallet vetëm ideja nëpërmjet zjarrit në gji`

shfaqen trajta të ngatërruara `i urë e paqenë hi

as ka ujë as ka brigje mbetur pa formë çdo gjë

ti vjen mezhdës me tufë lulesh e s`shihesh më

ndërmjet ulërin ujku i zi e pandërprerë bie shi

dreni zbret nga gjithësia e kujtimit ngjet në orë

ky udhëtim përvijohet për hije zjarr me borë

XII pamje nga shpina

ky udhëtim përvijohet për hije zjarr me borë

sipërfaqja pa shenjë e gjurmë e bardhë e lëmuar

në degë pemësh ka rënë krahnezë e vetmuar

kujtimi pik në pikat e mëdha gjakut shpirtëror

unë ec nga konkretja te abstraktja ndër ulërima

zemra e shkëputur nga sendet dukuritë e vetitë

të pret e të pret e gjak pik e kot asgjë s`të ndrit

veç egër më bart nga ky gur te tjetri bubullima

shtrihem në borë ta krijoj pamjen nga shpina

me duar të shtrira e sytë nga e vjedhin qiellin

kush m`i ka vjedhur delet oh e kush fyellin

shuaj etjen te kroi kaq vjet në rrjedhë te gurina

më dridhen këmbët i përfshirë nga shungullima

tisi mes përmes absurdit shquhet me vetëtima

XIII pemët nën krahnezë

tisi mes përmes absurdit shquhet me vetëtima   

apo ndoshta më vranë nga krijoja melodi për ty

vdekje të tillë kush s`ka jetuar me plagë në gji

rreth trupit të pajetë vinin iknin kaq xixëllima

plakat s` flisnin i ndiqnin pemët nën krahnezë

absurd tha i vashë me kaçurrele përmbi ballë

ta vrasësh yllin e nënës pa ngacmuar të gjallë

heshtja me flatër gjak shtrirë mbi dritë të zezë

ky i vrari është shkrimtar është poet i yni lirik

s`harron të apostrofosh tha tjetri qe hermetik

i dëgjoja e fyelli me unazë zgjohej kush pa i ra

çdo gjë ndërruar hije pa kokë zbritnin në va                        

fyelli tashmë s` binte dëgjohej veç psherëtima

e nën hënën magjike shfaqet ujku në ulërima

XIV shtamba me gravurë

e nën hënën magjike shfaqet ujku në ulërima

nën degët me krahnezë flatron `i shpend i zi

mes pylli veç bliri me degë var` mbi varr të ri

te malet prej larg valë valë derdhet ushtima

ja hermetizmi vrasja pse luan me zog e fyell

ja absurdi e në asnjë mënyrë krijimi poetik

në asnjë mënyrë vetëtima përmbi liqenin lirik

e shpendi krahë hapur nga vjen e ik në qiell

ja ti e thyen ashpërsinë e malësisë me prani

e tufat me trëndafila rozë riderdhin aromë

e zjarri i mbyll` me dry në ty çilet në dhomë

në lëvizjen mes terri e drite më kujton mua

me shtambë me gravurë zemrën ik në krua

forma s`e vret përmbajtjen e as je abstrakte ti    

magjistrali

forma s`e vret përmbajtjen e as je abstrakte ti    

ora e zallit ik hapësirës veç me flakë të trokut    

ritmi i zgjimit të lules vjen për fije të flokut

metafora është vetë hija e vizatuar me dy akte                                                          

apo kuptime të figurshme në vija krahasimi        

afshe të një fjale apo gjithnjë në këtë mënyrë 

bëj gjakshkrim nëpërmjet tingujsh veç me lirë

strofa poezie me vinjeta rrufeje e shpërthimi

tashmë arti i pakapshëm me shqisa rishtrihet

ravijëzimin diçka e nxjerrë trajtash e mpihet

apo peizazhet flakë të përgjithësimit mendor

ky udhëtim përvijohet për hije zjarr me borë

tisi mes përmes absurdit shquhet me vetëtima

e nën hënën magjike shfaqet ujku në ulërima

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat