Feri Arifi gjurmues rrënjësh tona

Kultura

Feri Arifi gjurmues rrënjësh tona

Nga: Sabit Abdyli Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 20:54
Feri Arifi

Ka vite që ndjek veprat monografike të Feri Arifit në lidhje me origjinën, ardhjet, vendbanimet, lashtësinë e shtrirjen e popullatës në fshatrat e Moravës së Epërme.

Më ka interesuar puna e tij hulumtuese në mbledhjen e të dhënave  materiale e gojore gjithandej rajonit për ta nxjerr në dritë të vërtetën dhe rrenat e teorive shoviniste  të historianëve argatë të politikës së regjimeve famëkeqe të okupatorit, të cilët paturpësisht mbuluan e falsifikuan të vërtetën.  

Në studion e tij të punës ka me dhjeta  faqe shënimesh, dëshmish, dokumentesh, fotografish, harta, incizime, gur varrezash me mbishkrime (simbole) ilire e vepra të mbledhura me dekada në të cilat mbështetet kur shkruan. Cep më cep fshatrave të Kradakut, komunës së Vitisë, Kaçanikut, Ferizajt, Kumanovës e përtej tyre i ka ecur në këmbë për të parë e marrë shënime, qëmtuar me zell studiuesi të mirëfilltë të kaluarën përmes gjithçkaje që flet nëpër kohë, siç janë tumat ilire, gurët e varrezave të vjetra, mbishkrimet, toponimet, vetitë antropologjike të racës sonë etj.

S’ka dyshim se veprat historike të Ferit kanë zbardhur e dokumentuar se popullsia e Kosovës është shqiptare që kur ka nisur jeta në këto anë, ka zbardhur të bëmat, luftën e sakrificën luftëtarëve të UÇK-ës, në luftën e viteve 1999-2001. Feri Arifi u lind në fshatin Tanush në vitin 1959, fshat ky që tashmë ka hy në histori për kontributin e dhënë gjatë luftës çlirimtare të UÇK-ës në Kosovë 1999 dhe luftës në Maqedoni në vitin 2001. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Viti, kurse SHLP, dega; histori-gjeografi në Shkup.

Me të mbaruar studimet kthehet me punë në shkollën e fshatit ku u lind. Me fillimin e luftës në Kosovë 1999, Arifi inkuadrohet në logjistikën e UÇK-ës. Në vitet e shpërthimit të luftës në Maqedoni 2001 ai prapë vesh uniformën e UÇK-ës dhe ishte përgjegjësi kryesor në furnizimin e luftëtarëve shqiptarë në Tanushë, Haraçinë e Kumanovë. Historiani Arifi nuk rresht së shkruari e hulumtuari edhe sot. Është anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve të komunës së Vitisë. Deri tash ka botuar këto vepra:

1. “Tanusha në rrjedhat e historisë”, Tetovë, 20015 (monografi)

2. “Qielli i përflakur mbi Tanushë”, Tetovë. 2016  ( poezi, kushtuar të rënëve në Tanushë)

3. “Gjeohistoria e vendbanimeve të Moravës së Binçës e Karadakut të Vitisë”, Prishtinë, 2017.

4. “Vendbanimet e fshatrave Begracë, Komogllavë, Mirosalë, Zllatar, Sojevë e Pojatishtë”, Prishtinë, 2018,

5. “Dëshmori i datëlindjes”, 2018 (monografi)

6. “Nënës”, 2018. (monografi)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat