Poezi të shkruara me frymëzim të thellë për jetën, atdheun., dashurinë,...

Kultura

Poezi të shkruara me frymëzim të thellë për jetën, atdheun., dashurinë,...

Nga: Milazim Kadriu Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 09:58
Foto ilustrim

Ndonëse me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh herët autori Hamit Majkovci deri vonë ka qenë disi i heshtur dhe poezitë e tij i ka botuar herë pas here. Mirëpo tash po thuajse brenda një viti ka dal para lexuesve me katër përmbledhje me poezi, njëra pas tjetrës dhe nuk do të ketë të ndalur edhe në të ardhmen ngase ai në dorëshkrim ka një numër të madh poezish.

Libri i katërt më radhë i autorit Hamit Majkovci “ Përtej qiejve të lirisë” është i konceptuar në katër cikle ( Ikën kohët, Në shtatin tënd atdhe, Bashkërrugëtimi dhe Ngjyra e shpirtit )  ku në përbërjen e tërësishme  ka 77 poezi. Andaj lexuesi e ka mundësinë që përmes këtij libri si edhe librave tjerë të botuar më parë  të njoh për së afërmi vargun e autorit Majkovci që ndjesinë që ka ai  në poezi mund të përfitojë edhe lexuesi ngase ai krijon një komunikim  të sinqertë më lexuesin, duke ndarë  ndjenjat e mendimeve  për shumë dukuri të jetës.

Poezitë e këtij libri janë  shprehje e shpirtit krijues, të shkruara  më një intensitet, frymëzim të thellë  për jetën, atdheun, dashurinë, bukurit natyrore të vendit ,…

Majkovci në poezitë e tij si edhe në përmbledhjet e më hershme  edhe në këtë përmbledhje  jep mesazhin  me një kuptim të plotë e të lirë që është një kuptim i përgjithshëm e i qëndrueshëm.

Autori në poezitë e tij e thotë gjithë atë  që e preokupon, atë që  e sheh dhe e përjeton bukur. Ai poezinë e ndjen brenda tij dhe jeton me të në çdo moment e më së tepërmi atë e shpreh në vendlindjen e tij ku edhe shpesh herë bukuritë e vendlindjes janë frymëzim për  vargjet e tija.

Majkovci është ndër poetët që vargun e gatuan me brumin e tokës dhe realitetit, ku ka  reflektim njerëzor, kombëtar dhe poetik.

Autori bashkëbisedon me lexuesin përmes vargjeve  të tij, që janë vargje me një metaforë  të lehtë dhe me një rimë mjaftë mirë të përdorur në vargun e tij  e që janë lehtë të kuptueshme  për lexuesin.

Frymëzimin për vargjet e tija autori  e merr kryesisht nga jeta, nga e kaluara, nga e tanishmja  për një rrugëtim në të ardhmen.

Vargjet e këtij libri dëshmojnë  për një vlerë dhe për një artikulim të çiltër poetik.

Siç shihet edhe në vargjet e tij autori është i lidhur shumë me familjen, shkollën, nxënësit, vendlindjen dhe atdheun në përgjithësi.

Në poezinë “Nëna” që e hap edhe këtë përmbledhje ndër tjera autori shprehet :

Në zemër më trokiti zëri i nënës                                                                                                                                Dhe më bëri që të qaj                                                                                                                                                   Sa më ngrohu ai zë i ëmbël                                                                                                                                                    Shpirtin ma ngrohu, ngrohtësi e saj.

Profesionin e mësuesit e ndjen ashtu si është profesion i shenjtë por që edhe për punën dhe sakrificën që bënë mësuesit gjatë viteve të okupimit klasik duke mbajtur gjallë shkollën shqipe autori e çmon shumë lartë por që e brengos fakti që kjo punë nuk është çmuar dhe vlerësuar sa duhet. Ja si shprehet ai në mes tjerash në poezinë “Mësuesi”:

Ngjyrë e juaj qe krenaria                                                                                                                                                    Se një ditë do të vij liria                                                                                                                                                    Dhe kjo ditë tani buzëqeshi                                                                                                                                                   Mundi, sakrifica e mësuesit                                                                                                                                                           Vallë ku mbeti?!

Autori Majkovci nëpërmes vargjeve të tij sjell idealet e larta  kombëtare  që ka e kjo shihet më së miri në ciklin e dytë  ku shumë vargje  ia kushton atdheut, heronjve, qëndresës, lirisë, figurave të ndritura të kombit dhe luftës së lavdishme të UÇK-së,…

Me fytyra të buzëqeshura                                                                                                                           E zemra të dëlira                                                                                                                               Ëndërr patën, ata                                                                                                                           Shtigjet e atdheut, të lira.

Ndjenja e krenarisë kombëtare, qëndresa dhe rezistenca  e pathyeshme e njerëzve të Kosovës, ndaj dhunës  shumë shekullore nga regjimet  e okupatorëve  të vendit vërehet tek disa poezi të autorit në këtë vëllim poetik.

Ja si shprehet ndër tjera në vargjet në poezinë kushtuar heroit Zahir Pajaziti :

Si shqiponjë mbi mal                                                                                                                               E vështronte armikun                                                                                                                     Rrugës që ish nisur                                                                                                                                      E kish arritur qëllimin.

Poeti përmes shumë vargjeve shpreh dashurinë për historinë e lavdishme të kombit dhe rrënjët e lashta të tij. Edhe ky si shumë të tjerë ëndërron për ta parë një ditë të bashkuar gjithë kombin shqiptar në një shtet të madh e të vetëm.

I mora shkronjat që t’i shkruaj vargjet                                                                                                                     Emrat: Iliri, Arbëri, Çamëri i prinë valles                                                                                                                            I bashkova ngjyrë, pendë dhe letër,                                                                                                                               Në zemër mu shfaq, Shqipëria e vjetër.

Autorin e preokupojnë edhe bukurit e natyrës sidomos në vendlindjen e tij, po këtu na sjell edhe poezi që i këndojnë dashurisë  dhe në disa vargje te poezia “ Pikat e shiut “ ndër tjera shprehet :

Mbi ombrellën me pika                                                                                                                     Trokasin pikat e shiut                                                                                                                                  E rrugës së lagur                                                                                                                                    Buzëqeshin dashuritë.

Vargjet e cituara më lart nga disa poezi të kësaj përmbledhje janë vetëm një pjesë e këtij thesari që na e sjell autori Hamit Majkovci në librin e tij më të ri.

Andaj mund të përfundojmë se autori Hamit Majkovci me librin e tij të katërt me radhë sjell një vlerë në letërsinë shqipe poezitë e prezantuara këtu plotësojnë kërkesat e lexuesve ngase këto poezi kanë vlerë të mirë letrare dhe vejnë një raport të mirë me lexuesin.

Shpresojmë se ashtu si janë pritur mirë  librat tjerë të këtij autori do të pritet edhe ky libër që ka një ngritje më të lartë letrare e artistike.

Autori na premton botime të reja në një të ardhme të afërt ku për këtë besojmë se ashtu do të jetë ngase katër libra brenda vitit është një sukses i madh për një autor dhe se çdo herë ai po na sjell vargje më të mira e kjo po vërehet nga libri në libër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat