Sistemi i ngrohjes është vjedhur, Qendra Kulturore e Kumanovës me vite është pa ngrohje

Kumanova

Sistemi i ngrohjes është vjedhur, Qendra Kulturore e Kumanovës me vite është pa ngrohje

Më: 27 janar 2019 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Për më shumë se një dekadë, Qendra kulturore “Trajko Prokopiev” në Kumanovë nuk ka ngrohje. Në periudhën e dimrit nuk ka ngjarje, manifestime as në sallën kryesore, as në të voglën e as në sallën për ekspozita. Sistemi i ngrohjes ka qenë i vendosur në ish “Tekstilpromet” në “Suma”.

Sipas deklaratave të punonjësve më të vjetër në këtë institucion, dhënë për televizionin "24", sistemi i ngrohjes qendrore ka qenë i vendosur në “Suma”, përballë Qendrës kulturore. Deri te dhoma e veçantë të bojlerit për ngrohje, që ndodhet në këtë qendër, kishte tubacion prej rreth dyqind metrash. Pas shpërbërjes së ish-firmës nga Kumanova, “Tekstilpromet” kishin filluar problemet me ngrohjen e Qendrës kulturore.

Ngrohja ka funksionuar për një kohë të caktuar, ndonëse ka pasur defekte të vogla, por dymbëdhjetë vjet më parë, sistemi kryesor i ngrohjes në “Suma” është vjedhur dhe prej atëherë rregullisht ka qenë në shënjestër të hajdutëve të cilët në disa raste kanë vjedhur pjesë për ngrohje.

Në këtë periudhë, janë ngrohur zyrat administrative ku janë të vendosur punonjësit e institucionit. Drejtori i Qendrës, Sasho Todorovski, thotë se ky është problem i trashëguar, por kjo nuk do të thotë se ata nuk po përpiqen të gjejnë zgjidhje të përshtatshme për ta kapërcyer atë. I vetëdijshëm se humbet një periudhë produktive për mbajtje të ngjarjeve dhe manifestimeve dhe se përveç atyre si institucion humbësit më të mëdhenj në këtë situatë janë qytetarët, të cilëve iu shkurtohet oferta e përmbajtje cilësore kulturore.

“Ajo që është primare për këtë institucion, salla dhe hapësira për ekspozita nuk mund të përdoren për asgjë. Ky është një handikap për ne. Pas përfundimit të festivalit Ditët Komedisë, mund të organizojmë vetëm edhe disa aktivitete në nëntor; varësisht nga kushtet e motit dhe nëse temperatura jashtë është e favorshme, mund të organizojmë ndonjë ngjarje duke përdorë elemente shtesë për ngrohje që vendosen në dhomën e madhe dhe aq, sezoni përfundon. Edhe pse pikërisht gjatë këtyre muajve Qendra kulturore duhet të eksponohet më së shumti, për shembull me vizita nga vendi dhe jashtë që edhe audienca e Kumanovës të ketë mundësi për të zbavitet në këtë periudhë të vitit”, tha Todorovski.

Ai thotë se në përgatitje e sipër është dokumentacioni i projektit, të cilin do t’ia dorëzojnë në Ministrisë së kulturës, Qeverisë ose ndonjë organizate ndërkombëtare që do të duhet të ndajnë fonde për të ndërtuar sistem të ri për ngrohje.

“Nuk e di nëse ka ndonjë vend tjetër në Maqedoni që, një institucion i tillë qendror në fushën e kulturës të mos ketë ngrohje”, thotë Todorovski.

Ata të cilët janë të interesuar të ndjekin ndonjë ngjarje ose nëse ka njoftim për ndonjë shfaqje, ngjarjet dhe manifestimet mbahen në sallën e teatrit. Por ajo pranon numër më të vogël të audiencës. Salla e madhe e Qendrës ka 670 vende, ndërsa salla e Teatrit i ka vetëm 270 vende.

Instalimi në Qendrën kulturore është funksional. Këtë e kanë konfirmuar edhe ekspertët gjatë skanimit të situatës. Radiatorët dhe tubat janë në gjendje të kënaqshme. Megjithatë, për shkak të mosfunksionimit të sistemit, korridoret janë shumë të ftohta. Në afërsi të objektit kalon tubacioni i gazit dhe brenda një kohe të shkurtër mund të rregullohet dhoma e bojlerit, ashtu që të realizohet i tërë projekti. Autoritetet e institucionit janë të hapur për të gjitha propozimet, vetëm se është e rëndësishme që institucioni të ngrohet.

Rreth 500 fëmijë nga Kumanova janë anëtarë të seksioneve dhe aktiviteteve të ndryshme që funksionojnë në këtë institucion: balet modern, studio për vallëzim, folklor, orë për piano. Organizuesit e këtyre seksioneve thonë se në këtë periudhë ia bëjnë ashtu siç dinë dhe munden. Dhomat ku mbahet këtë aktivitete ngrohen me elemente shtesë.

Merlin Stojanovska, koreografe e “Dens Studio Mak” tregon se edhe ajo si fëmijë ka qenë anëtare në këtë studio dhe shton se asokohe kushtet e punës kanë qenë të shkëlqyera. -Në vitin 1984 kishte ngrohje qendrore dhe të gjitha aktivitetet muzikë, dramë, letërsi, seksione të artit të aplikuar, folklorit, vallëzimit latin-amerikan, kori janë mbajtur rregullisht në kushte të shkëlqyera. Në sallën e madhe mbaheshin shumë ngjarje dhe nxënësit si dhe qytetarët në përgjithësi kishin mundësi të ndiqnin gjithçka që ofrohej nga seksionet dhe mysafirët nga jashtë, tregon Stojanovska.

Çmimi i tranzicionit u pagua me kushtet teknike, thotë Stojanovska duke theksuar se, nuk i kujtohet me siguri se si dhe kur është vjedhur sistemi. Një periudhë të caktuar, provat i kanë mbajtur nëpër shkolla, në palestra sportive, megjithatë thotë se Qendra e ka lokacionin më të mirë në qytet.

“Po na mban vetëm dashuria ndaj vallëzimit. Ia bëmë ashtu si mundemi dhe dimë, nuk kemi lejuar të ketë ndërprerje sepse është shumë e rëndësishme për progresin e klubit dhe të fëmijëve që të ushtrojnë vazhdimisht. Prandaj, tani po përdorim elemente shtesë për ngrohjen e kësaj dhome”, thotë Stojanovska.

Edhe profesoresha Tanja Kitanovska Stojkovska, doktoreshë e shkencave sportive dhe menaxhimit të sportit, trajnuese për vallëzimi latin-amerikan sportiv dhe vallëzim standard sportiv kujton se në vitet ’90, kur edhe ajo ka qenë anëtare, kushtet e ngrohjes kanë qenë dukshëm më të mira. Edhe pse hapësira ku fëmijët ushtrojnë ngrohet me aparate të ndryshme thotë se, megjithatë, është e papërshtatshme të ushtrohet me dy palë triko, ndonjëherë edhe me doreza, këpucë të papërshtatshme që janë të rëndësishme për të zotëruar me sukses teknikat e vallëzimit.

“Mund të lavdërohemi se e kemi sallën më të bukur, për dallim me hapësirat që i kanë në dispozicion klubet tjera të vendit, por këtë bukuri ne e ndjejmë vetëm tre muaj, duke filluar nga muaji prill-maj dhe në tetor. Më lehtë ia bëjmë kur është shumë nxehtë, por temperaturat e ulëta na pengojnë në përvetësimin e suksesshëm të figurave dhe koreografive, sepse të ftohtit drejtpërdrejt ndikon në fleksibilitetin, shpejtësinë dhe me vete i tërheq të gjitha aftësitë tjera motorike primare dhe sekondare. Stërvitja në pesë gradë dukshëm vështirësohet, jemi të detyruar që mbathjet për vallëzim t’i zëvendësojmë me mbathje më të ngrohta komerciale, ndërsa në anën tjera garat e rëndësishme nuk janë në përputhje me kushtet tona të stërvitjes”, thekson Kitanovska Stojkovska.

Qendra kulturore ose Shtëpia e kulturës, si quhej në të kaluarën, është shtëpi e të gjithë qytetarëve prandaj autoritetet duhet të investojnë sepse, theksojnë bashkëbiseduesit, investimi në këto kushte është investim në gjeneratën më të re, që do të thotë të investim në të ardhmen e qytetit dhe shtetit .

Gjatë muajve tjerë të vitit në Qendrën Kulturore të Kumanovës mbahen mbi 150 ngjarje, ekspozita, prezantime promovuese. Qendra Kulturore është ndërtuar në vitin 1981 dhe është një nga objektet më të bukura në vend. Ka një sipërfaqe prej 4500 metra katrorë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat