Shtohen masat e sigurisë për të burgosurit e grupit të Kumanovës - Bota Sot
Shtohen masat e sigurisë për të burgosurit e grupit të Kumanovës

Kumanova

Shtohen masat e sigurisë për të burgosurit e grupit të Kumanovës

Më: 9 qershor 2019 Në ora: 17:56
Ilustrim

Paralajmërimet e publikuesit të bombave të fundit “El Cheka” se tre nga të burgosurit e grupit të Kumanovës rrezikohen në burg, ka ndezur alarmin në burgun e Shutkës ku janë shtuar dukshëm masat e sigurisë. Këto masa mësohet se janë rritur si në hapësirat ku ndodhen Valdet Zekaj, Sami Ukshini dhe Shefqet KallaçI, ashtu edhe në gjithë repartin ku janë vendosur të paraburgosurit për të cilët “El Cheka” thotë se e kanë furnizuar me përmbajtje nga bisedat e përgjuara.

Edhe pse nuk e lidh drejtpërdrejt me këtë kërcënim, drejtori i burgut të Shutkës, Gjoko Kotevski konfirmon për mediat në gjuhën maqedonase se janë rritur masat e sigurisë në këtë burg dhe thotë se janë shtuar edhe kontrollet nëpër qeli.

“E pash deklaratën në lidhje me atë se ju përgatitet diçka këtyre personave që ndodhen në paraburgim në burgun hetues të Shutkës. Informacione për një gjë të tillë ne nuk kemi dhe as nuk ka ndonjë kërcënim që i drejtohet burgut. Në përputhje me rekomandimet e fundit të drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve dhe rekomandimet për ngritjen e nivelit të sigurisë pas ngjarjeve të fundit me ish ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski, janë marrë masa për rritjen e sigurisë në burg.

Është bërë plan për shëtitje dhe kanë ndryshuar protokollet dhe procedurat. Kjo nënkupton se në shëtitje dalin persona të paraburgosur vetëm nga e njëjta dhomë dhe nuk përzihen me dhomat e tjera, si dhe janë nën mbikëqyrje të policit”, deklaroi Gjoko Kotevski, drejtor i burgut të Shutkës.

Kotevski ka thënë se gjatë ditës së djeshme sektori për siguri ka kryer kontrolle në dhoma dhe në qarkun e shëtitoreve, ndërsa është rritur edhe numri i gardianëve dhe personave udhëheqës. Drejtori i burgut të Shutkës thotë se mundësia për t’u ndodhur diçka personave të apostrofuar është ulur në minimum.

Personi i prezentuar me nofkën El Cheka, i cili tani e disa javë në vazhdimësi publikon përmbajtje nga bisedat e përgjuara ku kryesisht dëgjohen zyrtarët më të lartë të BDI-së, në një nga postimet e fundit paralajmëroi kryeministrin Zoran Zaev se dikush përgatit vrasjen e tre të burgosurve nga rasti i Kumanovës në hapësirat e qendrës së paraburgimit në Shutkë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...