16 vite premtime për Gjimnazin e Kumanovës, nxënësit vazhdojnë të mësojnë në objekt të një ish-fabrike

Kumanova

16 vite premtime për Gjimnazin e Kumanovës, nxënësit vazhdojnë të mësojnë në objekt të një ish-fabrike

Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 22:18
Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë

Kështu duket gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë. Dikur ishte fabrikë, e më pas u shndërrua në shkollë, e kështu për më shumë se 16 vite, mësimi zhvillohet në objekt ku mungojnë kushtet elementare, pa sallë sporti dhe pa oborr shkollor, me çka cenohet edhe siguria e nxënësve.

“Më së shumti na mungon salla gjë që ndikon shumë tek ne për t’u marrë me aktivitetin fizik, gjithashtu një problem i madh është se nuk kemi asnjë vend për të ndenjur ose ngrënë ushqim. Përballë shkollës kemi shumë vetura, direkt në komunikacion, dhe kjo na pengon shumë”.

“Si objekt si shkollë, nuk është aq e mirë sa t’i plotësojë të gjitha kushtet e një shkolle evropiane.
-Sallë keni?
-Jo. Sallë nuk kemi fatkeqësisht, ajo na duhet tepër shpresojmë se do të rregullohet”.

Drejtori i gjimnazit shpjegon se mungesa e fletëpronësisë së objektit i kufizon investimet infrastrukturore, ndërkaq po investohet në mjete audio-vizuele teknike dhe higjienike që në rast shpërnguljes, këto mjete të mund të barten.

“Në këtë objekt ne jemi të vendosur përkohësisht dhe nuk kemi fletpronësi dhe nuk e dimë se kush është pronari i shkollës, normal që çdo kush investimet nuk i orienton në shkollën tonë. Klasat në bodrum që i kemi, atje është një erë jo e këndshme për nxënësit që duhet të qëndrojnë për 7 orë atje, njëkohësisht ai myk është edhe helmues për nxënësit duhet të zgjidhet sa më shpejt ky problem”, tha Afrim Aliti, drejtor i Gjimnazit “Sami Frashëri”.

Aliti shtoi se bisedimet dhe premtimet për një objekt të ri vazhdojnë por që deri më tani diçka konkrete nuk ka! Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, gjatë fushatës zgjedhore paralajmëroi se nëse këtë shkollë nuk e ndërton Ministria e Arsimit, atëherë do e ndërtojë komuna së bashku me qytetarët dhe donatorë të huaj. Përndryshe, ndër vite ka pasur premtime nga shumë ministra dhe zyrtarë për objekt të ri, por deri më tani nuk ka lëvizur asnjë milimetër drejt zgjidhjes.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat