Të akuzuarit e Kumanovës përsëri e bojkotojnë Gjykatën

Kumanova

Të akuzuarit e Kumanovës përsëri e bojkotojnë Gjykatën

Më: 12 qershor 2017 Në ora: 14:44
Grupi i Kumanovës

Për të tretën herë me radhë, 37 të akuzuarit e “Grupit të Kumanovës, e kanë bojkotuar Trupin gjykues në krye me gjykatësen Verka Petrvoska.

Reagimet e njëpasnjëshme të të akuzuarve, të cilët lidhen me mos pranimin e dëshmitarëve shtesë ka ndikuar që gjykatësja t’i përjashtojë nga seanca të akuzuarit për ndodhitë në “Lagjen e Trimave” me arsyetimin se e prishin rendin dhe qetësinë në sallën e gjykatës.

Në ndërkohë, avokati Naser Raufi, për herë të parë në seancën e mbajtur të hënën ka kërkuar shkarkimin e Prokurorisë, gjegjësisht Sektorit për krim të organizuar, i cili e heton këtë rast.

Sipas Raufit, kjo Prokurori nuk është kompetente për zhvillimin e hetimeve për ngjarjet e Kumanovës, për arsye se shumë biseda telefonike lidhur me këtë ngjarje nuk janë publikuar. Ndryshe, i akuzuari Andi Krasniqi-Malisheva, edhe zyrtarisht ka parashtruar kërkesë deri Këshilli penal, për heqjen e autorizimit të avokatit Naser Raufi.

Duke ju referuar dispozitave ligjore, gjykatësja Petrovska, ia bëri të ditur se brenda tre ditëve, Krasinqi në gjykatë duhet të dorëzoj njoftim për identitetin e përfaqësuesit të ri ligjor, i cili do ta mbrojë në procedurën e mëtejmë gjyqësore, ose nëse kjo nuk ndodhë – atëherë gjykata me automatizëm të akuzuarit Krasniqi do t’i caktoj avokat sipas detyrës zyrtare.

Ndërkohë, në seancën e mbajtur të hënën si dëshmitar i propozuar nga pala mbrojtëse duhej të paraqitet Shenasi Mehmeti, nëpunës i lartë në Agjencinë e Zbulimit të Maqedonisë. Për mungesën e tij, Trupi gjykues nuk dha ndonjë sqarim, por vetëm shtoi se në adresë të tij është dërguar ftesë e rregullt gjyqësore.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat