Ish-mjeku i UÇK-së, pyet Veselin: Ishim apo nuk ishim luftëtarë?

Lajme

Ish-mjeku i UÇK-së, pyet Veselin: Ishim apo nuk ishim luftëtarë?

Nga: N.Sh Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 13:32
Kadri Veseli

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi, ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, i cili ka thënë se “Serbisë do t’i vijë mallkimi nga fëmijët dhe nënat e të pagjeturve”.

Loshi përmes një postimi në Facebook, thotë se, Kadri Veseli duhet të përdorë gjuhën e politikës dhe jo të priftit apo hoxhës.

Ai e pyet Veseli se për çka i ke këshilltarët të cilët nuk po e mësojnë asgjë të hajrit.

Loshi tutje shprehet se, Kadri Veseli dhe shokët e tij nuk kishin kohë e as energji që të merreshin me fatin e personave të pagjetur, pasi ishin të fokusuar drejt karriges, majave të pushtetit dhe luksit për vete dhe familjarët e tyre.

Në fund Loshi e pyet se ishim apo nuk ishim luftëtarë?

Ja shkrimi i plotë i Liri Loshit:

Politikani duhet ta përdorë gjuhën e politikës e jo të priftit, apo hoxhës. “Serbisë do t’i vijë mallkimi...” Po të mos ishte Amerika do ta kishe parë ti se si do t’i vinte mallkimi! Serbisë i vijë mallkimi vetëm nga zori dhe i vie mallkimi nga zhvillimi i Kosovës, të cilën politika aktuale është e paaftë ta bëjë. Duhet të jesh tepër naiv të mendosh se armiku i përbetuar mposhtet përmes mallkimit. Për çka dreqi i ke të gjithë ata këshilltarë përderisa nuk arrijnë të të mësojnë një gjë të hajrit?! Ti dhe “xhemati” yt mendoni se mua më bëhet qejfi kur ti gabon?! Unë shkruaj këtu pikërisht pse më vjen rëndë kur ti gabon dhe meqë ke hyrë në punët e mëdha të cilave nuk ua ke anën, dëshiroj që të gabosh më pak. Apo, të ju lëshosh rrugën bashkëpartiakëve tu që dijnë më mirë. Po ç’iu hyn në punë familjarëve të të pagjeturve njohja e Kosovës nga Serbia përderisa ata kanë brengën e tyre të thellë, të bartur ndër vite për të dashurit e tyre që dikur shpresonin se i kishin gjallë e tash nuk ua gjejnë as eshtrat. Pse nuk iu thua se ti dhe shokët e tu nuk kishit kohë as energji për këto njëzet vite të merreshit me fatin e tyre, sepse mendja, energjia dhe koha juaj ishte e fokusuar drejt karrikës, drejt majave të pushtetit dhe luksit për vete dhe familjarët e juaj dhe se në dialog me Serbinë vetëm “lepe peqe” i bëtë asaj dhe ndërmjetësuesve evropianë?! Nëse vetë nuk je njëri nga ata, caktoje përgjegjësinë dhe jepe premtimin për ndryshimin që (s)ke në plan ta bësh. Trego se je një lider i politikës dhe jo i kishës as xhamisë. Mallkimi është shfryerja e njeriut të pazot, e të dështuarit, e njeriut që nuk i ka mbetur asnjë mundësi tjetër në jetë dhe jo e politikanit dhe luftëtarit. Luftëtari i vërtetë nuk flet me gjuhën e qyqeve asnjëherë! Ishim apo nuk ishim luftëtarë?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat