I kërkuari për vrasjen e Ivanoviqit organizon koncert për krishtlindjet ortodokse në një fshat të Gjilanit

Lajme

I kërkuari për vrasjen e Ivanoviqit organizon koncert për krishtlindjet ortodokse në një fshat të Gjilanit

Më: 4 janar 2019 Në ora: 12:31
Milan Radojciq

Milan Radojciq, i dyshuar për vrasjen e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, nga arratia po merret me organizim të festave.

I njohur si shefi i nëntokës në Veri të Kosovës, që zyrtarisht është nënkryetar i Listës Srpska, Milan Radojciq, po organizon ndejë në fshatin Kufcë të Epërme të Gjilanit, me rastin e krishtlindjes ortodokse më 7 janar.

Radojciq, i cili kërkohet nga policia e Kosovës si i dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit në janar të vitit të kaluar, përmendet në disa postera si organizator i festës në Gjilan.

“Në Kufcë të Epërme, organizim nga banorët për krishtlindjen ortodokse, nën patronatin e  Milan Radojciqit”, shkruhet në posterët, ku kumtohet se qytetarët serbë do t’i argëtojë këngëtarja Adrijana Radonjiq dhe Maskarada Band.  

Nuk dihet nëse nënkryetari i arratisur i Listës Srpska po planifikon të jetë pjesë e festës së tij, megjithatë ndaj tij është lëshuar urdhërarrest, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale.       

Image

Policia e Kosovës më 23 nëntor bastisi disa shtëpi në Veri, mes tyre edhe shtëpinë e Radojciqit, i cili kishte ikur nga aty. U arrestuan disa persona, ndërsa edhe më tutje nënkryetari i Listës Srpska mbetet në listën e të kërkuarve kryesorë për vrasjen e Ivanoviqit.

Dy ditë pas bastisjes, Radojciq u shfaq në publik nga Beogradi dhe tregoi se ndodhej në Serbi.

Oliver Ivanoviq, kryetar i SDP’së dhe ish-ministër i Qeverisë së Kosovës, u vra më 16 janar të vitit 2018, në Veri të Mitrovicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat