I akuzuari për seri grabitjesh dha mbrojtjen në gjykatë

Lajme

I akuzuari për seri grabitjesh dha mbrojtjen në gjykatë

Më: 5 janar 2019 Në ora: 11:49
Senaca

Në gjykimin për një numër të madh grabitjesh në kazino dhe pompa të derivateve i akuzuari për dhjetë vepra të grabitjes, Mustafë Hoxha e dha mbrojtjen para gjykatës.

Gjatë mbrojtjes së tij, Hoxha i mohoi nëntë veprat për të cilat e ngarkon prokuroria, ndërkaq për njërën vepër e kishe pranuar fajësinë më herët.

Për secilën pikë u deklarua se nuk ka pasur marrëveshje me askënd dhe se nuk i ka kryer ato grabitje.

Përpos Mustafë Hoxhes në këtë proces gjyqësor akuzohen edhe Liridon Halilaj, Shpend Podrimçaku dhe Fatlum Hoxha. Për këtë të fundit gjykata e ka veçuar procedurën për shkak se i njëjti gjendet në arrati.

Mustafë Hoxha, Liridon Halilaj dhe Fatlum Hoxha, kanë qenë të dënuar edhe më parë nga Gjykata Themelore në Pejë për grabitjen e një kazino afër Hotel Dukagjinit në Pejë.

Për atë vepër Fatlum Hoxha e Liridon Halilaj ishin dënuar me nga 4 vite burgim ndërsa Mustafë Hoxha ishte dënuar me 3 vite burgim.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë përbëhet prej dhjetë pikave, ku në secilën prej tyre është i përfshirë Mustafë Hoxha.

Pika e parë e aktakuzës ngarkon Mustafë Hoxhën se së bashku me Gazmend Hoxhën dhe personin NN kanë kryer veprën penale të grabitjes më 4 mars 2017 në “Apex Game” në Fushë-Kosovë, ku sipas Prokurorisë Gazmend Hoxha nën kërcënimin e armës i ka marrë nga një i dëmtuar rreth 4.000 euro.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Mustafën dhe Gazmend Hoxhën se më 9 mars 2014 se në “Play 4 Ëin” në Qendrën Tregtare në Drenas kanë grabitur 1.915 euro, dy telefona celularë si dhe një të tipit Samsung Galaxy S3 të cilin e kanë thyer

Pika e tretë, ngarkon Mustafën së bashku me Fatlum Hoxhën dhe Liridon Halilajn se më 17 maj 2014 grabitën bastoren “Arena Sport” në fshatin Komoran, ku pretendohet nga një i dëmtuar të kenë marrë 1.400 euro të pazarit ditor dhe 130 euro të holla të tij personale.

Së katërti, aktakuza ngarkon Mustafë dhe Fatlum Hoxhën, si dhe Liridon Halilajn, se më 4 qershor 2014 grabitën në Drenas në barnatoren “Baby”, ku Prokuroria pretendon se me maska të zeza kanë grabitur 800- 850 euro.

Pika e pestë, ngarkon Mustafë dhe Fatlum Hoxhën se më 16 qershor 2014 në pompë të benzinës “Al Petrol” afër fshatit Poklek të Drenasit grabitën mbi 515 euro, e përsëri më 2 korrik që të dy dhe Liridon Halilaj pretendohet të kenë grabitur 300 euro në “Al Petrol” në Gllogoc, një sasi tjetër të të hollave, si dhe një Samung Galaxy. Më pas, këta të tre pretendohet të kenë kërkuar të holla tek arka, por meqenëse arka nuk ka pasur të holla, kanë marrë mbushje dhe shteka të cigareve.

Më tej, pika e shtatë e aktakuzës ngarkon Mustafë dhe Fatlum Hoxhën se më 7 korrik të vitit 2014 në kazinon “Matrix” në Prishtinë kanë marrë 500 euro dhe një telefon të tipit “Nokia”.

Pika e tetë ngarkon Mustafë e Fatlum Hoxhën, si dhe Liridon Halilajn se më 24 gusht të vitit 2014 në kazinon “Apex” në Fushë-Kosovë kanë grabitur 1.000 euro.

Ndërkaq, pika e nëntë e aktakuzës ngarkon tre të njëjtit se më 7 shtator 2014 në “Apex” në rrugën e Pejës po ashtu kanë arritur që nga një i dëmtuar të marrin 1.000 euro.

Së fundmi, pika e dhjetë e aktakuzës ngarkon Fatlum e Mustafë Hoxhën, si dhe Shpend Podrimçakun, se më 19 shtator 2014 në kazinon “Apex Game” në Drenas kanë grabitur 1.000 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat