Thaçi dhe Erdogan të kundërt për Venezuelën, nuk e duan homologun e njëjtë

Lajme

Thaçi dhe Erdogan të kundërt për Venezuelën, nuk e duan homologun e njëjtë

Më: 24 janar 2019 Në ora: 21:35
Hashim Thaçi dhe Erdogan

Kosova dhe Turqia kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me ngjarjet dramatike në Venezuelë.

Madje, edhe dy presidentët e vendeve tona, që kanë afërsi të madhe me njëri-tjetrin, Hashim Thaçi dhe Rexhep Tajip Erdogan, kanë preferenca të ndryshme për homologun e tyre venezuelas.

Thaçi përveçse e ka uruar presidentin e vetëshpallur të Venezuelës, Juan Guaido, atë edhe e ka ftuar që ta vizitojë Kosovën.

“Urimet më të mira për presidentin Juan Guaido të Venezuelës. Kosova ka njohur dje tranzicionin në përputhje me politikat e aleatëve tanë dhe vlerat që kemi të gjithë. Ju ftoj që ta vizitoni Kosovë. Ne gjithashtu jemi rritur si një feniks disa dekada pas diktaturës”, ka shkruar Thaçi.

Por, miku i Thaçit, homologu i tij turk Rexhep Tajip Erdogan, i ka dhënë mbështetje të madhe presidentit aktual, diktatorit Nicolas Maduro.

Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro dhe ndër të tjera mësohet t’i ketë thënë: “Vëllai im Maduro, qëndro në këmbë. Ne jemi pranë jush”.

Tashmë dy presidentët venezuelas, Maduro dhe Guaido, e kanë ndarë edhe botën në dysh.

Shtetet e Lindjes janë pro diktatorit Nicolas Maduro, përfshirë edhe vendet postdiktatoriale, kurse shtetet e Perëndimit janë pro liderit opozitar, Juan Guaidos.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të bëjnë thirrje për largimin e presidentit venezuelas Nicolas Maduro.

Presidenti Donald Trump ishte i pari që njohu kreun e opozitës së Venezuelës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të vendit, duke e rritur presionin ndaj presidentit Nicolas Maduro.

“Do të përdori peshën e plotë të fuqisë ekonomike dhe diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të bërë trysni në favor të rivendosjes së demokracisë venezuelase”, citohet të ketë thënë Trump.

Me reagimin e Kosovës së vogël në këtë mes kishte shumë që edhe u tallen, por në diplomacinë botërore reagimet e shteteve janë “numër” dhe numri më i madh i shteteve që reagojnë pro apo kundër forcojnë kauzat e drejta apo të padrejta.

Edhe mbase është për t’u tallur me reagimet e mëdha të Kosovës së vogël, por këto reagime sigurisht se nuk bëhen asnjëherë pa u kërkuar nga partnerët e mëdhenj të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat