Hoti thotë se do e dërgojnë Thaçin në Kushtetuese

Lajme

Hoti thotë se do e dërgojnë Thaçin në Kushtetuese

Më: 25 janar 2019 Në ora: 11:33
Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Taksa 100% është bërë strehimore për t’iu ikur problemeve. Është çelës vetëm për t’i mbuluar problemet, por jo për t’i zgjidhur këto probleme.

Kështu tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një konferencë  për media. Ky i fundit thotë se dialogu me Serbinë ka shumë paqartësi. Të qartë e quajti angazhimin e Presidentit për shkëmbim territoresh. Ndërsa, sa i përket grevës së mësimdhënësve tha se është  shkaktuar me vendimin e Qeverisë për dyfishimin e pagave.

Sipas Hotit, institucionet e vendit janë duke u ‘paralizuar’ një nga një.

Hoti: Taksa 100 për qind është çelës për t’i mbuluar problemet e Qeverisë

“Serbia meriton taksë shumë më të lartë se kjo tash.  Por, për Qeverinë Haradinaj, taksa 100% është bërë strehimore për t’iu ikur problemeve. Taksa po i mbulon dështimet e kësaj qeverie.  Edhe grevën e arsimtarëve tash , edhe revokimet e njohjeve që po ndodhin vazhdimisht , edhe përçarjet rreth dialogut, edhe krizën e qeverisjes lokale në komunat në veri, edhe tash me problemet e Telekomit. Me rënien e investimeve të jashtme, edhe mos aprovimin për herë të parë  buxhetit për vitin 2019. Taksa është bërë çelës vetëm për t’i mbuluar problemet, por jo për t’i zgjidhur këto probleme . Sa më shumë që po përkeqësohet situata në Kosovë, duke u paralizuar institucionet një nga një, aq më shumë Qeveria po insiston në taksën prej 100%”, tha Hoti.

Hoti mes tjerash tha se përveç taksës 100%, asgjë tjetër nuk mund të ofrojë koalicioni PAN për përmirësimin e gjendjes në Kosovë.  Tha se dialogu me Serbinë ka shumë paqartësi.

Hoti: Ekipi negociator ka hequr dorë nga çdo temë tabu që mund të diskutohet me Serbinë

“Sa i përket dialogut me Serbinë, gjendja kurrë nuk ka qenë më e paqartë, sa i përket pozicionit të Kosovës . Vetëm një gjë është e sigurtë, angazhimi i Presidentit për shkëmbim të territoreve, për të cilën temë po punon në baza ditore. Sa më shpesh që ekipi negociator po shkon në Bruksel, aq më i paqartë po bëhet para qytetarëve  në Prishtinë. Tash është edhe më problematike për ekipin që publikisht i ka hequr dorë nga çdo temë tabu  që do të diskutohen në dialogun me Serbinë",  ka shtuar Hoti.

Ai ka akuzuar Qeverinë se ka krijuar rrethana në veri të vendit për copëtim të Kosovës.

Hoti: Qeveria po krijon situatë të rrezikshme për veriun

“Duke mos u marrë në mënyrë institucionale me situatën në veri, Qeveria po krijon situatë të rrezikshme në aspektin ligjor dhe kushtetues. Sot, nuk dihet se kush udhëheq me pushtetin lokal atje, kush autorizon shpenzimet buxhetor, në ato komuna  dhe si ofrohen shërbimet komunale kur nuk ka kryetar të Komunës, në detyrë”, ka shtuar ai.

Duke folur për grevën e mësimdhësve, Hoti tha se Qeveria duhet  të anulojë vendimin për rritje të pagës. Ai ka kërkuar që ky ligj të rishkruhet nga fillimi në konsultim me të gjitha kategoritë e punësuarve në sektorin publik.

E mosemërimin e anëtarëve të KQZ-së shefi i deputetëve të LDK-së thotë se ka quajur të qëllimshme nga ana e Presidenti. Ai madje  ka paralajmëruar  edhe padi ndaj Presidentit. 

Hoti: LDK do të padis Presidentin nëse nuk emëron anëtarët  e  KQZ-së

“Ende nuk janë emëruar anëtarët e KQZ-së nga  ana e presidentit.  Po bëhen 10 muaj që KQZ është praktikisht e paralizuar. Janë plotë të zgjedhur komunal nëpër vende komunale dhe deputet të Kuvendit të Kosovës që presin për çertifikim  në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Presidenti e ka obligim kushtetues, që të emëroj anëtar të KQZ-së , nuk është në diskrecionin e tij. Ai duhet të veprojë sipas kushtetutës, ndryshe do të përballet me padinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës  në Gjykatën Kushtetuese”, ka përfunduar ai.

Sipas Hotit është hera e parë që nis viti pa buxhet të miratuar, duke shtuar se PAN po e përdor buxhetin e qytetarëve për pazare politike me PSD-në, vetëm për të qëndruar në pushtet. Avdullah Hoti nuk la pa  përmendur edhe çështjen e mos akreditimit të shumë programeve të universiteteve publike. Ai tha se do të kërkojnë llogari nga Qeveria, për siç tha ai,  këtë dështim. 

***

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se Serbia meriton që taksa të jetë shumë më e lartë se tash, mirëpo sipas tij Qeveria taksën po e përdor për diçka tjetër.

"Qeveria po mundohet që taksa të jetë strehimore e dështimeve të tyre. Taksa është bërë çelës për t'i mbuluar këto probleme. Përveç taksës kjo qeveri nuk ka çfarë të prezantojë para qytetarëve", tha Hoti.

Ai kritik u shpreh edhe ndaj ekipit negociator.

"Gjendja kurrë nuk ka qenë më e paqartë sa i përket dialogut. Sa më shpesh që ekipi po shkon në takim, aq më e paqartë po është gjendja e dialogut", ka shtuar Hoti.

Ai nuk la pa përmendur edhe gjendjen në veri. Sipas Hotit ende nuk dihet se kush po qeverisë në atë pjesë.

Grevat sipas tij vetëm sa po thellohen. Fajtor për këtë gjendje e sheh Qeverinë.

"Qeveria të anulojë rritjen e pagave për vete. Zgjidhje tjetër mund të jetë edhe ne të ulemi dhe ta rishkruajmë ligjin e pagave. Greva vetëm po thellohet", tha ai.

Ka përmendur edhe mos akreditimin e disa programeve të UP-së. Ai tha se do të kërkojnë llogari për këtë gjendje. Po ashtu tha se që 10 muaj KQZ është paralizuar dhe se presidenti ka obligim që të emërojë anëtarët e KQZ-së. 

Hoti kritikon paralizimin e KQZ-së, thotë se do e dërgojnë Thaçin në Kushtetuese

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar mos emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga ana e Presidentit Thaçi .

Hoti me këtë rast ka thënë që është detyrë kushtetuese e presidentit që të funksionalizoj këtë institucion. Në të kundërtën ai ka paralajmëruar  presidentin që LDK-ja do e padis atë në Gjykatën Kushtetuese.

"Janë bërë disa muaj prej kur KQZ është e paralizuar. Presidenti ka obligim kushtetues që të mandatoj anëtarët e KQZ-së, ndryshe do të përballet me padinë e LDK-së në Gjykatës Kushtetuese", theksoi Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat