Transparency International: Shqipëria e Kosova, hapa pas në luftën kundër korrupsionit

Lajme

Transparency International: Shqipëria e Kosova, hapa pas në luftën kundër korrupsionit

Më: 29 janar 2019 Në ora: 09:33
Foto Ilustrim

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi të martën Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018, i cili thekson se dështimi i vazhdueshëm i shumicës së vendeve për të kontrolluar korrupsionin, është duke kontribuar në një krizë të demokracisë në gjithë botën.

Indeksi, i cili radhit 180 vende dhe territore në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik, përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.

Shqipëria ka zbritur në pozitën 99, nga 91 sa ka qenë një vit më herët. “Kjo mund të ketë ndodhur për shkak të një ngërçi politik që ka bllokuar disa reforma anti-korrupsion që të ecin përpara”, thotë Transparency International.

Në indeksin e sivjetmë, Kosova radhitet e 93-ta, me 37 pikë, çfarë do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 85-të, me 39 pikë.

Serbia ka rënë nga pozita 77 në pozitën 87. Trendi i rënies, sipas Transparency International, mund të vazhdojë, nëse Qeveria e Serbisë vazhdon t’i minojë ato organe dhe institucione që janë përgjegjëse për sundimin e ligjit.

Mali i Zi po ashtu ka rënë nga pozita 64 në 67. “Në një mjedis të dominuar nga elita e njëjtë udhëheqëse për më shumë se dy dekada, efektet e kapjes së shtetit janë të dukshme në Mal të Zi”, thotë organizata Transparency International.

Maqedonia ka shënuar përparim, duke u radhitur në pozitën 93 nga 107 sa ka qenë vitin paraprak. Organizata thotë se pritjet anti-korrupsion në këtë vend, që është i interesuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, janë ta larta.

Përparim të lehtë ka edhe në Bosnje e Hercegovinë, e cila ka qenë në vendin 91, ndërsa është në vendin 89, porse numri i saj i pikëve mbetet i pandryshuar: 36. Sipas Transparency International, zhvillimet politike në këtë vend janë shqetësuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat