Albulena Haxhiu: Thaçi po e kërkon heqjen e taksës sepse atë po e kërkon Vuqiqi

Lajme

Albulena Haxhiu: Thaçi po e kërkon heqjen e taksës sepse atë po e kërkon Vuqiqi

Nga: K.M Më: 31 janar 2019 Në ora: 18:47
Albulena Haxhiu

Për gazetën “Bota Sot” ka folur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka thënë se jo vetëm për taksën, por VV reciprocitet me Serbinë kërkon qysh prej vitit 2006 e këndej, madje Haxhiu ka thënë se taksën 100% presidenti Thaçi po kërkon me e heq jo pse po e kërkon Amerika, por homologu i tij serb Vuqiq.

 “Që nga viti 2006 Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka kërkuar reciprocitet të plotë me Serbinë, reciprocitet politik, ekonomik e tregtar. Në vitin 2011 ne kemi propozuar një rezolutë lidhur me reciprocitetin e cila kishte kaluar në Kuvend mirëpo fatkeqësisht ishte kthyer mbrapsht nga Hashim Thaci në atë kohë ishte kryeministër i vendit. Sa i përket qëndrimit tonë në raport me tarifën ndaj Serbisë, sic e dini, ne kemi qëndrime krejtësisht të kundërta me z. Veseli dhe z. Thaçi. Ata kërkojnë heqjen e taksës dhe vazhdimin e kësaj Qeverie, në anën tjetër ne jemi për taksën dhe largimin e Haradinajt dhe kësaj Qeverie sepse në marrëdhëniet ndërkombëtare, secili shtet sovran vepron kësisoj kur cenohet e luftohet nga një vend armiqësor si Serbia. Arsyeja pse Thaçi kërkon heqjen e tarifës nuk e ka për shkak raporteve me SHBA por sepse heqja e tarifës është kërkesë e Vuqiqit. Prandaj edhe ky person ka dëshmuar që shumë më shumë përfaqëson interesat e tij sesa të Kosovës”, ka thënë Haxhiu për “Bota sot”.

 Sipas saj, skandalet e kësaj Qeverie janë të shumta dhe madje të shpeshta. “Vendi është buzë greminës për shkak të pakënaqësive të mëdha, pabarazisë e diskriminimit, por nëse vazhdohet kështu gabimet në raport me negociatat vetëm sa do të rriten prandaj kjo Qeveri nuk mund të amnistohet vetëm për shkak të vendimit për tarifën. Nëse Haradinaj tërhiqet pas presioneve, kjo do të jetë goditje shumëdimensionale për Republikën e Kosovës prandaj ne konsiderojmë që tarifa duhet të mbetet dhe Qeveria duhet të largohet”!, ka përfunduar deputetja Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat