Pas BE-së edhe OKB e shqetësuar për taksën, thotë se rriti tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Lajme

Pas BE-së edhe OKB e shqetësuar për taksën, thotë se rriti tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 10:25
Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se është i shqetësuar për tensionet në rritje në mes Beogradit dhe Prishtinës, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve të të dyja vendeve që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme që mund të përkeqësonin edhe më tej situatën, shkruan N1.

Gueterres theksoi se i gjithë ky tensionim situate ndodhi për shkak të vendimit të Prishtinës për të rritur taksën e importit 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, vendim ky të cilin deri më tani Prishtina nuk ka pranuar ta pezullojë pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga SHBA-të dhe BE-ja.

“Tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës vazhdojnë të rriten dhe të kenë ndikim negativ në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve”, u shpreh Guterres, transmeton Telegrafi.

Ai kërkoi nga liderët e të dyja vendeve “që të përdorin kokën e ftohtë në kërkim të progresit për dialogun”

Guterres gjithashtu rikujtoi se taksa nga Serbia dhe Bosnja është futur pas dështimit të Kosovës për të siguruar anëtarësimin në Interpol.

Raporti i ri i OKB-së mbi Kosovën i është dorëzuar ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit në një kohë kur ende nuk dihet nëse Kosova do të jetë në rendin e ditës së mbajtjes së sesionit të veçantë për Kosovën, për shkak të kundërshtisë që ka ardhur nga vendet perëndimore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat