Bahtiri e Rakiqi shkëmbejnë deklarime për luftë në veriun e paralizuar, BE-ja jep një përgjigje qesharake për situatën

Lajme

Bahtiri e Rakiqi shkëmbejnë deklarime për luftë në veriun e paralizuar, BE-ja jep një përgjigje qesharake për situatën

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 17:49
Ura e ibrit

Veriu i Mitrovicës edhe pas 20 vjetësh vazhdon të mbetet një nga pikat më të nxehta dhe problematike, për të cilën Bashkimi Evropian ka dështuar të gjejë një zgjidhje adekuate edhe pas një dekade bisedash ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit për normalizimin e raporteve

Një zonë në të cilën vazhdojnë të funksionojnë strukturat ilegale të Serbisë, lulëzon kontrabanda, e shteti i Kosovës assesi nuk arrin që ta shtrijë atje autoritetin dhe sovranitetin e plotë. 

Madje edhe për të dërguar Ushtrinë e vet, duhet marrë leje nga NATO dhe KFOR-i.

Siç dihet në tentim e sipër për të shtrirë autoritetin atje, ka mbetur i vrarë edhe polici Enver Zymberi, e ndërkohë situata vazhdon të jetë fragjile, me shqiptarët këndej urës që kërkojnë bashkimin e qytetit, e serbët e ndarë matanë Ibrit, të cilët kontestojnë çdo ditë e më tepër shtetësinë e Kosovës përmes përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Kosovës, të cilët veprojnë hapur me direktiva të Beogradit. 

Së fundi, kreytari i Komunës Jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka iniciuar një nismë ligjore për bashkimin e qytetit të Mitrovicës. Një peticion me 15 mijë nënshkrime Bahtiri më 16 janar të këtij viti ia ka dorëzuar kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit. 
Përveç peticionit, Bahtiri në një organizim të mbajtur më 4 shkurt, është lëshuar edhe në deklarata e kërcënime për lutë në rast se preket veriu i Mitrovicës. 

“Unë po ju them të gjithëve, edhe ndërkombëtarëve edhe këtyre të Prishtinës komplet, që preket Mitrovica do të ketë luftë e cila nuk është parë asnjëherë. Kjo është e vërteta. Mitrovica nuk guxon të preket. Mitrovica do të jetë epiqendër e fuqishme e revolucionit”, ka thënë Bahtiri në një përkujtim të një masakre të kryer nga shteti serb ku kishin mbetur të vrarë 10 persona dhe 25 tjerë ishin plagosur. 

Në këtë tubim ishte i ftuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili kishte folur për ambiciet dhe projektin e Serbisë për të ardhur deri te Lumi i Ibrit. 
E kundër këtyre deklaratave të Bahtirit, ka reaguar edhe përfaqësuesi i serbëve të Kosovës, Goran Rakiq. 

Në një deklaratë për media, Rakiç kishte thënë se kushdo që do të tentojë të prekë veriun e Mitrovicës dhe shtëpitë e serbëve, do të marrë përgjigjen e duhur. 
E pas gjithë këtyre deklarimeve, është interesuar dhe ka dërguar pyetje në adresë të zyrës së ndërmjetësueses së dialogut, kryenegociatores Federica Mogherini. 

Në këtë email, media ka shprehur interesim se pse nuk po vazhdon të hapet ende ‘Ura e Ibrit’, për nismën e Bahtirit për bashkim të qytetit, për tensionet që mund të nxisë një përpjekje e tillë, për deklarimet dhe kërcënimet e Goran Rakiqit, dhe në fund një pyetje në të cilën thuhej se “ A e shihni këto iniciativa për bashkimin e qytetit si rezultat i dështimit të bashkimit Evropian, që edhe përkundër dialogut shumëvjeçar nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje për këtë qytet, edhe pse kanë kaluar 11 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Pas dy ditësh pritje, për të gjithë ato pyetje esenciale në adresë të medias ka arritur një përgjigje qesharake e zëdhënëses së Federica Mogherinit, Maja Kocijancic. 
“Ne dëshirojmë të shohim një punë të mirë për avancimin e raporteve ndërmjet komuniteteve në Kosovë dhe progres për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”- kjo është përgjigja e cila i ka marrë kohë dy ditë Kocijancicit për t’u përgjigjur çështjes problematike të veriut të Mitrovicës, çështje kjo e cila po vazhdon ta mbajë peng Kosovën.

Madje një përgjigje e tillë përsëritet nga Brukseli për vite të tëra, ndërsa në terren situata vazhdon të jetë e njejtë, me shqiptarët që vazhdojnë kërkojnë bashkim të qytetit, e serbët në anën tjetër që kërkojnë bashkim me Serbinë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka stanguar ende nuk dihet se kur do të vazhdojë. Serbia e BE-ja bashkë kërkojnë pezullimin e vendimit të Qeverisë Haradinaj për taksë ndaj produkteve serbe, ndërkohë Haradinaj vazhdon t’iu rezistojë presioneve duke thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njoh Kosovën. 

Haradinaj gjithashtu ka theksuar se nuk do të pranojnë të jenë pjesë e një dialogu i cili kushtëzohet nga Serbia. 

Kreu i Qeverisë, vazhdimisht ka adresuar kritika për mënyrën e si Bashkimi Evropian ka udhëhequr dialogun e Brukselit. E një deklaratë e bërë dje nga Maja Kocijancic se edhe Trepça do të jetë pjesë e diskutimeve ndërmjet dy vendeve, e ka nervozuar jashtëzakonisht shumë Haradinajn, duke thënë se me të vërtet Mogherini po e dëshmon që ‘i ka humbur rruga në oborr’. 

Këtë dështim të BE-së për të normalizuar fillimisht Kosovën përbrenda, e pastaj me Serbinë, po përpiqen ta rregullojnë dy presidentët, Vuçiq e Thaçi, përmes idesë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve, e cila në një formë është përkrahur edhe nga Bashkimi Evropian. 

Projeksioni i një ideje të tillë po duket të jetë shkëmbimi i territoreve, konkretisht bashkëngjitja e Luginës së Preshevës me Kosovën, duke i dhënë komunat veriore Serbisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillimisht kishin thënë se mbështesin çfarëdo marrëveshje për të cilën pajtohen Kosova dhe Serbia, megjithatë ende nuk dihet saktë se cili është qëndrimi i tyre për një shkëmbim të mundshëm të territoreve, ide kjo që u plasua në tavolinë nga Thaçi e Vuçiq në Forumin e Alpbachut në Austri. 

Ndërkohë fuqitë e mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia e shtetet të Ballkanit, kanë dalë kategorike kundër një ideje të tillë për pazar me kufijtë. Edhe faktori politik në krye me Haradinajn, e kanë kundërshtuar ashpër nismën për lojë me kufijtë./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat