Kamberi: Vuçiqi nuk mund t’i ikë detyrimeve ndaj Luginës

Lajme

Kamberi: Vuçiqi nuk mund t’i ikë detyrimeve ndaj Luginës

Nga: Sevdail Hyseni Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 08:08
Shaip Kamberi

I pari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, për shkak rrugëtimit zyrtar nuk ishte në pranimin e presidentit Aleksandër Vuçiq, i cili të premten e 8 shkurtit në Bujanoc e filloi fushatën me moton “E ardhmja e Serbisë”, e paraparë të zhvillohet në 29 rrethe sa i ka krejt Serbia.

Lidhur me vizitën e presidentit Vuçiq, në Bujanoc, kryetari Shaip Kamberi, tha i mllefosur në rrjetin e tij social në Facebook: “Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, ose ka problem serioz me protokollin, ose vërtetë ka hequr dorë nga një pjesë e Luginës së Preshevës”. Ai, më tej shtoi se: “Nuk mundet të jepet ndonjë shpjegim logjik për faktin se gjatë tre vizitave të tij në Bujanoc, ai asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme ta vizitojë një herë vetadministrimin lokal, që edhe sipas ligjeve të Serbisë, është zot shtëpie në territorin e një komune”.

Prandaj, thekson Kamberi, vizita e sotme e Aleksandër Vuçiqit në Bujanoc mund të ketë efekt mediatik, por kurrsesi efekt real për jetën e qytetarëve. Më shumë se spektakli mediatik, efekt më të rëndësishëm për të ardhmen, siç po e quan ai turneun e tij, do të kishin vendimet dhe politikat e munguara të tij, të cilat do të ndikonin drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së tyre së qytetarëve.

Sa i përket investimeve në Luginë, Kamberi tha: “Lugina e Preshevës ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe të drejta politike. Por, për këtë duhet dialog , vullnet, gatishmëri, dije dhe mendësi demokratike. E Vuçiqi po dëshmon se ato po i mungojnë.

Presidenti serb, shkruan më tej Kamberi,  po dëshmon që Serbia nuk i njeh shqiptarët si qytetarë të barabartë. Pothuajse nuk ekzistojnë fare. Madje, as serbët që nuk mendojnë si ai. Thjesht, një shtet-parti.

Presidenti i Serbisë, nënvizon Kamberi, po i ikë ballafaqimit me shqiptarët e Luginës së Preshevës, për shkak të mospërmbushjes së obligimeve që ka ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Nëse presidenti Serb vërtetë do të zgjidh problemet e rajonit duhet ta ketë të qartë se këtë nuk mund ta arrijë në kafiterinë e Levkit, por, në komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet e zgjedhura. Politika e strucit, përpos që i thellon problemet, është edhe afatshkurtër. Presidenti i Serbisë mund t’i ikë edhe pak përgjegjësisë. Pas derës së përpjekjes për shmangie, e pret automjeti për Bruksel. Apo, jo?!, përfundon shkrimin e tij në Facebook, kryetari i Komunës së Bujanoc, Shaip Kamberi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat