Punëtorët e KEK-ut protestojnë të enjten, kërkojnë që të largohen nga Ligji për Paga

Lajme

Punëtorët e KEK-ut protestojnë të enjten, kërkojnë që të largohen nga Ligji për Paga

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 19:57
Ilustrim

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës do të protesojnë të enjten para objektit të Qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar futjen e tyre në Ligjin për paga.

Në një njoftim të nënkryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut (SR KEK) thuhet se kjo protestë ka për qëllim, që KEK-u të largohet nga Ligji për Pagat.

“Të nderuar anëtarë të SRKEK-ut, punëmarrës të KEK-ut, sot Kryesia ekzekutive e Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës ka marrë vendim që të protestojmë me gjithë punëtorët e KEK-ut, para Qeverisë së Republikës së Kosovës më 14.02.2019 duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në këtë njoftim.

Sipas tyre, punëtorët e KEK-ut nuk paguhen nga buxheti i shtetit, por nga buxheti që buron prej prodhimit të energjisë.

“Arsyeja e protestës është që të kërkojmë të tërhiqet KEK-un nga Ligji për paga, duke pasur parasysh se punëtorët e KEK-ut marrin paga nga djersa e tyre, nga buxheti që buron nga prodhimi i energjisë elektrike, e jo nga buxheti i shtetit”, përfundon komunikata.

Pakënaqësi me Ligjin për Paga ka pasur edhe nga shërbyesit civilë, kontrollorët ajrorë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat