Kërkohet që rasti i keqtrajtimit të vajzës nga Drenasi të trajtohet në gjykatën e Ferizajt

Lajme

Kërkohet që rasti i keqtrajtimit të vajzës nga Drenasi të trajtohet në gjykatën e Ferizajt

Më: 4 mars 2019 Në ora: 14:43
Foto

Rrjeti i Organizatave joqeveritare AVONET, ka kërkuar ndihmën e Komisionit për të Drejtat e Njeriut që rasti i keqtrajtimit të vajzës së mitur nga Drenasi të kalojë për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Kjo kërkesë është dërguar edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe në Ministrinë e Drejtësisë.

Në arsyetimin e tij, drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, ka thënë se kërkesa ka të bëjë me atë se kjo gjykatë trajton me prioritet rastet e tilla dhe sipas tij ajo njihet se është e pavarur nga ndikimet politike.

Gashi: Prej gjykatave më të pavarura nga ndikimet politike

Video

“Kjo gjykatë deri më tash ka bërë si një prej prioriteteve në fushën e dhunës, abuzimit dhe ngacmimit dhe kanë nxjerrë shumë aktvendime që ka dënuar individ dhe persona me aktgjykim të vendimit të prerë me burg efektiv. Ndoshta jeni në dijeni që rastet e tilla janë si prioritet. Ne kemi parë që në këtë rast kemi pasur referime dhe pretendime për ta penguar këtë proces, kur dimë që kjo gjykatë është njëra prej gjykatave më të pavarura nga ndikimet politike dhe nga referencat që mund të jenë nga jashtë”, tha ai.

Gashi shtoi se nëse rasti do të shqyrtohet në këtë gjykatë, besojnë se do të ketë një proces të paanshëm dhe personat e përfshirë në rast mund të marrin dënimin e merituar.

Por, deputetët kanë thënë se nuk mund të bëjnë një kërkesë të tillë, pasi sipas tyre kjo është çështje e drejtësisë. Megjithatë, ata kanë thënë se do të kërkojnë nga Agjencia për ndihmë Juridike falas që të sigurojnë një avokat për vajzën.

Deputeti nga VV, Shemsi Syla, ka thënë se kjo çështje është e drejtësisë.

Syla: Kjo është çështje e drejtësisë

Video

“Mendoj që kjo është çështje e drejtësisë, është vepër penale dhe nuk e di sa ne kemi të drejtë ose sa mund të ndikojmë dhe sa është e ligjshme që ne të merremi në këtë fushë. Kjo është përgjegjësi e drejtësisë”, tha ai.

Deputetja e LDK-së Lirie Kajtazi, ka thënë se përveç se do të kërkojnë të gjejnë një avokat për vajzën, do të kërkojnë edhe monitorim të rreptë të rastit nga Avokati i Popullit.

Kajtazi: Nën monitorim të rreptë të Avokatit të Popullit

Video

“Është mirë të kërkohet nga Agjencia për ndihmë juridike falas t’ia sigurojë një avokat të mirë, i cili konsiderohet se është jashtë krejt kësaj. Shpresojmë mos të ketë edhe të tjerë njerëz të implikuar në rast, pasi siç po shihet, dështimi është që nga familja e tutje në institucione. Do të thotë, të kërkohet një avokat falas, besoj se do ta lehtësojë sado pak. Edhe atë që e kemi kërkuar në fillim, nën monitorim të rreptë të Avokatit të Popullit”, tha ajo.

Kujtojmë se për rastin e vajzës nga Drenasi aktualisht mësuesi dhe zyrtari policor që dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht janë në paraburgim, kurse mjeku që ka kryer abortin është në arrest shtëpiak. Ndërkohë që ditë më parë është arrestuar edhe avokati që e kishte raportuar rastin, nën dyshimin se edhe ai ka keqtrajtuar të miturën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat