Magnoliet do t’i japin një bukuri tjetër Ulqinit

Lajme

Magnoliet do t’i japin një bukuri tjetër Ulqinit

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 7 mars 2019 Në ora: 13:23
Bulevardi ”Sami Frasheri” në Ulqin

Qyteti i Ulqinit është vlerësuar si qytet i palmave që prej vitit 1960 kur në Plazhin e Vogël të Ulqinit u mbollën masivisht palma përgjatë shëtitores. Ato deri para një viti zbukuronin parqet, sheshet dhe bulevardet e këtij qyteti. Madje ato kanë shërbyer si dekor simbol edhe në oborret e shumë shtëpive private. Por, një dëmtues i palmave i njohur ndryshe si “ Bubureci i kuq“ ( Dosëza e kuqe) dhe në gjuhën shkencore “Rhynchophorus ferrugineus” e kushtëzoi nga dita në ditë ekzistencën e palmave përgjatë bulevardeve të qytetit. Ky lloj insekti, i cili sipas specialistëve të gjelbërimit ( mjedisit) u importua në Evropë rreth viteve 1992 dhe mendohet të ketë ardhur nga Jordania, Palestina, Azia orientale, Malajzia, Emiratet Arabe dhe Egjypti, u shfaq (erdhi) me shpejtësi të frkishme edhe në Ulqin, në vitin 2012. Ky virus, i cili “ bëri kërdinë” në palma u vëzhgua (monitorua) afro dy-tri vitesh. U bë dezinfektimi dhe spërkatja e palmave të infektuara. Megjithatë kjo sëmundje mori përmasa aq të mëdha sa shumë palma u thanë krejtësisht.

Të ndodhur përballë këtij realiteti, ku palmat rrezikonin zhdukjen u ngrit shtabi për shpëtimin e palmave në qytet, në përbërje të të cilit, ishin specialistë të fushës. U bë prerja e palmave të dëmtuara. U bë spërkatja e trungut me lëng të posaçëm kundër “Buburecit të kuq” me qëllim zhdukjen e tij dhe më pas u bë djegia e palmave që rezultonin të prekura, me qëllim që krimbi dëmtues të mos kish mundësi të përhapej, ndërsa nisi edhe profilaksia me spërkatje të palmave të pa dëmtuara me qëllim mbrojtjen e tyre.

Përballë kësaj situate shqetësuese ( alarmante), e cila dukshëm zbehu bukurinë dhe hijeshinë e mëparshme të qytetit turistik të Ulqinit, përgjegjësit e mjedisit në Ulqin vendosën që në vend të pemës simbol të këtij qyteti- palmës të mbjellin një bimë tjetër zbukuruese – magnolien.

Punonjësit e NP “ Veprimtaritë Komunale” para disa ditësh kanë filluar mbjelljen e drunjve dekorativ të llojit magnolia në shëtitoren në Ranë, në bulevardin përballë shkollës së mesme dhe në bulevardin përballë shtëpisë së shëndetit. Ky aksion do të vijojë më pas në Bulevardin “ Teuta” në drejtim të Plazhit të Madhe dhe në hapësirat tjera publike në Ulqin.

Shumica e ulqinakëve me të cilët biseduam e kanë mirëpritur këtë investim të Ministrisë së Bujqësisë së Malit të Zi. Ata thonë se zëvendësimi i palmave të kalbura, të thara e të prera, me magnolie është gjë e mirë. Është një hap, veprim a punë që qytetarët dhe kalimtarët e rastit dhe mysafirët mund ta shohin, mund ta prekin dhe mund ta shijojnë.

Me përfundimin e mbjelljeve të drunjve dekorativ siç është magnolia parqet, sheshet, bulevardet, shëtitoret dhe hapësirat e tjera të gjelbëruara nga pikëpamja estetike do të duket shumë herë më të hijshme (bukura) . Veç kësaj gërshetimi i magnolies me bimët zbukuruese ekzistuese dhe të tjerat që do të mbillen ditëve të ardhshme në hapësirat e gjelbëruara të këtij qytetit do të realizojnë edhe funksione të tjera. Së pari ato do t’i japin një bukuri tjetër Ulqinit. Së dyti do të maskojnë pamjen antiestetike të ndërtesave të palyera apo objekteve përreth mu në zemrën e qytetit. Së treti do të gjallërojnë shtëpitë dhe objektet rrethuese në ( kundërshtimn ( kontrast) me ngjyrat me sipërfaqet e ngurta dhe ngjyrat e mërzitshme të objekteve banesore. Së katërti veç anës estetike bimët zbukuruese në këto pjesë të qytetit gjithsesi do të kryejnë edhe funksione biologjike. Dhe së fundmi do të shërbejnë për të shprehur emocione kënaqësie, relaksimi dhe ndonjë ndjenjë që fjala nuk është e aftë ta shprehë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat