Vuçiq: Në Prishtinë ka panik, shumë shpejt do ta tregojmë emrin e ekzekutorit të Ivanoviq

Lajme

Vuçiq: Në Prishtinë ka panik, shumë shpejt do ta tregojmë emrin e ekzekutorit të Ivanoviq

Më: 17 mars 2019 Në ora: 13:57
Aleksandar Vuçiq

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, lidhur me polemikat e fundit në relacionin Prishtinë-Beograd rreth asaj se kush qëndron prapa ekzekutimit të Oliver Ivanoviqit, tha sot se organet serbe së shpejti mund të dalin me emrin e ekzekutorit .

“Ngadalë por sigurt hetimet tona në rastin e ekzekutimit të Oliver Ivanoviqit po përparojnë dhe shkojnë drejt asaj që në periudhën e ardhshme do të mund ta tregojmë edhe emrin e ekzekutorit”, deklaroi Vuçiqi gjatë vizitës së sotme në Bor.

Gazetarët e kërkuan nga presidenti serb që t’u përgjigjet pohimeve nga Prishtina se eleminimin e para 14 muajve në Mitrovicë të veriut e ka kryer Milan Radoiçiqi, të cilin ai e ka strehuar dhe se vetë presidenti serb është porositësi i atentatit mbi politikanin serb të Kosovës, i cili ishte në konflikt me strukturat serbe në Kosovë, si Lista Sërpska, të cilat Beogradi zyrtar i përkrah.

Akuzat e këtilla, sipas Vuçiqit, tregojnë se “në Prishtinë ka panik”.

“Përgjigjja ime për (Dragan) Gjillasin, (Vuk) Jeremiqin, Rada Trajkoviqin, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn dhe Kadri Veselin dhe të tjerët është se nuk mund të fshihet dhe mund të vonohet pak më shumë nga sa kemi pritur, porse hetimet tona ecin mjaft ngadalë, por përparojnë. Disa janë të njoftuar me hetimet tona dhe prandaj paniku është gjithnjë më i madh. Është e qartë se dikush po u tregon për përparimin tonë”, tha Vuçiqi.

Në një deklaratë mjaft kundërthënëse dhe konfuze, duke harruar se polemikën e fundit rreth dorasit dhe porositësve të ekzekutimit të Ivanoviqit e hapën pikërisht bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Marko Gjuriq dhe Nebojsha Stevanoviq, kreu i shtetit serb tha se “ekzistojnë disa dyshime, kërkohen disa konfirmime” dhe se nuk mund të thotë se kur do të publikohen rezultatet, “sepse kjo do të thoshte se tashmë të gjitha i ka në dorë dhe se zgjedh çastin se kur do ta bëjë publike”.

“Kemi shumë njohuri, fatkeqësisht të fituara në mënyrë të çuditshme, me rrugë dytësore”, tha Vuçiqi, duke shtuar: “në Prishtinë askush askujt më nuk i beson, porse prokurori i atjeshëm tregoi njëfarë profesionalizmi, përballë atyre që me disa pohime mendonin që të më frikësojnë”.

Me këtë presidenti serb mendonte në deklaratën nga Prokuroria se ende nuk ka prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzës kundër Radojçiqit, raportojnë mediat serbe.

Vuçiqi tha se deri tani ka heshtur dhe “i ka lënë njerëzit nervozë që të dalin në sipërfaqe”.

“Vetëm le të vazhdojnë. E dinë ata se kush nuk e ka bërë, nëse nuk e dinë deri në fund se kush ka marrë pjesë në atë. Që më herët i kam dëgjuar rrëfimet e tilla dhe nuk mund të them se sa isha i tmerruar për atë që ndodhi, sidomos kur të dihet se kam qenë më i afërt me Oliverin sesa ata që sot e mbrojnë, e këtë mund ta dëshmojnë disa nga anëtarët e famiuljes së tij, tha Vuçiqi.

Sipas tij, prapa tërë kësaj fshihet një plan më i gjerë.

“Shikoni, këto janë të njëjtat akuza që u detyrova t’i dëgjoj nga disa politikanë në Serbi, kur ia nisën përnjëherë të flasin, siç thonë në mënyrë indirekte, që të mos mund të ngrihen padi, por e thonë qartë se prapa asaj qëndron Vuçiqi. Turp të keni, rrenacakë të mjerë”, tha Vuçiqi, duke shtuar se në çdo kohë është i gatshëm të dalë para çdo organi hetues të Serbisë dhe t’u përgjgijet të gjitha pyetjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat