Si e suprimoi Millosheviq autonominë e Kosovës?

Lajme

Si e suprimoi Millosheviq autonominë e Kosovës?

Më: 20 mars 2019 Në ora: 15:13
Sllobodan Millosheviq

Si pjesë e federatës jugosllave, në vitin 1974, Krahinës së Kosovës iu dha autonomi e plotë, duke i dhënë pothuajse të njëjtat të drejta si gjashtë republikat e Jugosllavisë. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, kryekrimineli serb Millosheviq propozoi ndryshime në Kushtetutën e Serbisë, të cilat do t’i merrnin  pushtetin autonom Kosovës.

Gazeta britanike Guardian përkujton në një shkrim të sotëm se kjo shkaktoi protesta të dhunshme dhe më 3 mars 1989 u shpall një gjendje e jashtëzakonshme, duke imponuar sundimin e drejtpërdrejtë nga Beogradi mbi Kosovën.

Më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës votoi për të pranuar amendamentet e propozuara dhe pesë ditë më vonë, Kuvendi i Serbisë miratoi ndryshimet kushtetuese duke hequr në mënyrë efektive autonominë e dhënë në vitin 1974. Millosheviq do të vazhdonte më tej nacionalizmin serb, i cili përfundimisht çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftërat pasuese të viteve 1990.

Amendamentet kushtetuese u miratuan nga Partia Komuniste dhe Kosova tani ishte një krahinë e pushtuar, ku frika e Serbisë për luftën e armatosur shqiptare mund të bëhej vetëpërmbushëse, përkujton gazeta, e cila tregon për vendosjen e atëhershme të policisë federale në rrugët e Prishtinës, ndërkohë që të gjitha tubimet masive të shqiptarëve kundër suprimimit të autonomisë ishin ndaluar.

Ndërkohë që kishte shpërthyer greva e minatorëve të Trepçës, njësitë e ushtrisë federale - të dominuar nga serbët - po lëviznin. Shqiptarët e Kosovës kërkojnë që reforma kushtetuese, e cila kërcënon t'i privojë ata nga autonomia, duhet të dorëzohet në diskutim demokratik. Dhe ata bëjnë thirrje për t'i dhënë fund trajtimit të qytetarëve të klasës së dytë, shumë të vetëdijshëm për propagandën serbe, e cila nën udhëheqjen e Millosheviq kishte adoptuar një ton gjithnjë e më racist, shkruan Guardian.

“Mund të simpatizohet lehtë me pakicën shqiptare - një shumicë brenda krahinës së tyre - por të kërcënuar si krahina tjetër autonome e Vojvodinës me nënshtrimin ndaj Serbisë. Për dy vitet e fundit ata kanë jetuar nën një siguri të ngushtë, me dënime të rënda për kundërvajtje dhe kufizime për blerjen e tokës dhe lëvizjen e lirë. Për shumë kohë ata kanë vuajtur nga ndarja e pabarabartë veri-jug e burimeve federale. Por Millosheviq ka shfrytëzuar ashpër mitet e vjetër serbe, në mënyrë që të avancojë ofertën e tij për pushtet federal”, shkruan Guardian.

Ndryshimet kushtetuese i dhanë Serbisë kontrollin e policisë, gjykatave dhe mbrojtjes civile, dhe një dorë të lirë për të ndryshuar statusin e Kosovës. Ato gjithashtu i dhanë Serbisë kontrollin e marrëdhënieve të Kosovës me vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë fqinje, ndërkohë që rreth 100 tanke dhe 15,000 trupa ishin vendosur në Kosovë në një përpjekje për të trembur protestuesit në bindje.

Guardian përkujton se ndaj shqiptarëve që po protestonin në shenjë pakënaqësie ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, ndërhynë forcat jugosllave, duke lënë 21 shqiptarë të vrarë dhe shumë të lënduar. Por, kjo nuk pengoi kryekriminelin Millosheviq të aprovojë ndryshimet kushtetuese më 28 mars në Parlamentin e Serbisë

Lidershipi jugosllav vendosi të dërgojë forca shtesë në Kosovë, për të shtypur “fanatizmin nacionalist”, siç e quanin ata kundërshtimin e shqiptarëve ndaj suprimimit të autonomisë, të vendosur nga ish-shefi i Jugosllavisë Tito në vitin 1974.

Serbia ndërkohë Kosovën e quajti pronë të saj dhe kryekrimineli Millosheviq nxori njësitë speciale dhe ato paramilitare të armatosura rëndë në rrugë si kundërpërgjigje ndaj pakënaqësisë së shqiptarëve.

Serbët festuan ndryshimet kushtetuese në rrugët e Beogradit, duke e quajtur atë si një fitore të Serbisë, e cila më vonë do t’i ktheje asaj bumerang pas luftës së lavdishme të UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, duke detyruar kryekriminelin Millosheviq të kapitullojë në qershor 1999 dhe Kosova të shpallej shtet i pavarur më 2008, duke vënë kështu drejtësinë në vend për popullin autokton shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat