Duhanaj: Nuk do të ndalem së luftuari për një Kosovë ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës

Lajme

Duhanaj: Nuk do të ndalem së luftuari për një Kosovë ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës

Nga: D. B. Më: 21 mars 2019 Në ora: 14:38
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj në një postim në Facebook, ka thënë se nuk do të ndalet të luftoj për një Kosovë tjetër, një Kosovë ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës.

Ai mes tjerash ka thënë se e dëshiron një Kosovë ku secili qytetarë pa dallim gëzon të drejta dhe përgjegjësi të barabarta.

Ja postimi i plotë:

Kush me mirë se unë e di peshën e rëndë të padrejtësisë së nepotizmit e klientelizmit partiak.

Për dhjetë vite radhazi kam bredhur derë me derë duke kërkuar punë. Asnjëherë, nuk kam konkurruar aty ku nuk e kam ndjerë vetën kompetent. Në fillim shkoja në çdo testim me shkrim, e me pas në intervistat me gojë me vullnet, duke besuar që ka shpresa dhe se do të pranohem. Por, dikur kjo e gjitha, m'u bë rutinë. Nuk besoja më as vetë, megjithatë prap konkurroja. Prap me qindra fotokopje, dosje të cilat përfundonin diku në kantat e bërllokut.

Kam pasur rast kur pas dështimit të një interviste, përkatësisht shtyrjes së saj, ka dalë njëri nga penalistët në komision dhe me ka ndalur ne Sheshin Nëna Terezë dhe me ka thënë:

"Dola vetëm te të kontaktoj dhe te të them se ti e ke fituar konkursin me shkrim bindshëm dhe, ketë për të satën herë. Por prap nuk do të kalosh. Kësaj radhe kalon këshilltari i ministrit, i cili nuk ka marrë pikë as për t'u ftuar në intervistë, por, duhet të rehatohet. Unë protestova dhe u largova nga paneli, prandaj edhe është shtyrë. T'i do të ftohesh por ta dish që nuk kalon. Ti nuk po ankohesh asnjëherë. Nuk po të njoh as të di, por pata obligim etik e moral te të njoftoj për ketë punë sepse është bërë tepër ndaj teje".

Për ketë rast, jam ankuar në ditën e fundit të afatit dhe, vendi i punës ishte plotësuar me kontratë në mënyrë të jashtëligjshme. E argumentova dhe e bëra ankesën. Përgjigja ishte negative. Bëra ankesë në KPM me dhjetëra dëshmi të cilat tashmë i kisha siguruar për shkelje flagrante të ligjit. Por, edhe aty përgjigja ishte negative. Ky ishte edhe konkursi i fundit që unë isha pjesë e tij.

I thash vetës: jo, nuk është kjo Kosova e ëndrrave të mija. Apo ndoshta unë jetoj në ëndrra?

Vitet e kurbetit në vitet e nëntëdhjeta, ishin të rënda, por, disi na mbante një shpresë. Na mbante një shpresë sepse kishim dikën që e fajësonim për ketë. Ishte pushtuesi serb, që shpresonim ta largojmë sa me parë dhe të kthehemi në atdhe.

Kur në pranverën e vitit 1998 vendosa ta lëshoj Gjermaninë, kurrë, asnjëherë nuk kam menduar që një ditë do të rikthehem prap për të bërë përpjekje ta ndërtoj të ardhmen nga fillimi, nga zero, por ja që kjo ditë erdhi.

Kësaj radhe, edhe kurbeti është më ndryshe. Nuk kam më kënd ta fajësoj. Serbia ka shkuar. Tashmë ka diçka edhe me të rëndë se përpara. Nuk ka me as shpresë se një ditë do të bëhet më mirë.

Këtë shpresë na e vranë vetë shqiptarët, të cilët Kosovën e trajtojnë si plaçkë lufte dhe, për të cilën mendojnë që janë të vetmit trashëgimtarë.

Vetëm tek ne ndodhë që njerëzit të bëhen milioner pa asnjë ditë punë, ose me një rrogë që në suaza normale nuk të del as për jetesë. Vetëm tek ne ndodhë që politikanët t'i punësojnë të gjithë anëtarët e familjeve duke arsyetuar "gjenialitetin" e tyre si superior ndaj gjithë të tjerëve.

Vetëm tek ne ndodhë, që në vend të përgjegjësisë, stimulohet papërgjegjësia. Vetëm tek ne ndodhë që vlera të shkelët me këmbë nga anti-vlera.

Këtë Kosovë, nuk e kam ëndërruar, as unë por as për fëmijët e mi.

Por, nuk do të ndalëm, të luftoj për një Kosovë tjetër. Një Kosovë ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës. Një Kosovë ku secili qytetarë pa dallim gëzon të drejta dhe përgjegjësi të barabarta.

Kjo Kosovë do të vij. Për ketë besoj shumë dhe do të bëj çdo dit gjithçka është e mundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat