Milazim Krasniqi: Më afër luftës sesa paqes me Serbinë

Lajme

Milazim Krasniqi: Më afër luftës sesa paqes me Serbinë

Më: 26 mars 2019 Në ora: 13:27
Milazim Krasniqi

Me udhëheqjen dhe mentalitetin aktual të Serbisë, Kosova është më afër luftës sesa paqes, ndërsa dialogu më shumë i ka shërbyer palës serbe për ta ruajtur integritetin evropian sesa palës kosovare për ta kompletuar shtet-ndërtimin.

Kështu u tha në tryezën e organizuar sot nga Paqja Studentore e Universitetit të Prishtinës me temën “Perspektiva e analistëve për fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi”.

Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Milazim Krasniqi tha se nuk ka dialog të mirëfilltë me një Serbi, e cila vazhdon me qasjen e njëjtë ndaj Kosovës, sikurse në kohën e kryekriminelit Sllobodan Millosheviq.

Ai tha se pala serbe ka mendim ndryshe nga pala kosovare sa i takon formatit të këtyre bisedimeve. Sipas tij, Kosova  ndodhet në situatë më të keqe se në vitin  2008 kur shpalli pavarësinë.

Profesori i UP-së është skeptik se tani është momentumi për marrëveshjen përfundimtare, por thotë se momentumi i duhur për vendin tonë është për t’u forcuar nga aspekti institucional.

Krasniqi: Më afër luftës sesa paqes me Serbinë

“Derisa Kosova është pjesë e Kushtetutës serbe, derisa Serbia bllokon çdo iniciativë të Kosovës për t’u pranuar në organizata ndërkombëtare, derisa Serbia nuk jep asnjë të dhënë për të zhdukurit që janë me mijëra, derisa asnjë kërkim falje nuk ka, për çfarë dialogu flitet, ku është dialogu? Këto janë thjesht situata të cilat politikanët tanë thjesht i përdorin si njëfarë fashe anestetiku, por realiteti është që qytetarët duhet ta kuptojnë se jetojnë në një botë reale në të cilën situata është shumë më prozaike dhe unë jam i bindur gjithmonë se ne më afër jemi luftës, sesa paqes me Serbinë sot dhe në të ardhmen me këtë Serbi që ekziston sot”, ka thënë Krasniqi.

Profesori Ibrahim Gashi  tha se pala serbe po fiton nga dialogu, ndërsa pala kosovare përmes këtij procesi vetëm është dëmtuar, sidomos në aspektin e njohjeve.

Ai shprehu dyshimet në atë që thuhet se dialogu ndodhet në fazën përfundimtare, derisa ka kërkuar nga klasa politike kosovare konsensus për të ditur nëse është i nevojshëm vazhdimi i dialogut apo jo.

Gashi: Dialogu është bërë parakusht për ekzistencën e shtetit të Kosovës

“Ky proces i dialogut mendoj se e ka stërkeq në vijimësi procesin e afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovë, dhe këtë nuk e ka vërejtur klasa jonë politike, iu ka besuar këtyre fotografive, ka besuar që normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, dhe dialogu po i kontribuon konsolidimit të shtetësisë dhe ne kemi ardhur në një pikë kur dialogu na u ka bërë si një në një farë mënyre në sy të politikanëve edhe një pjesë të opinionit ndërkombëtar si parakusht i ekzistimit të shtetit të Kosovës, nëse nuk ka dialogu, Kosova nuk mund të ekzistojë,” tha Gashi. 

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe profesori Adem Beha, i cili tha se Kosova nuk mund ta refuzojë dialogun lehtësisht, pasi zgjidhje tjetër nuk ka.  Sipas tij, falë dialogut Kosova ka fituar decentralizimin, por që bëri thirrje të ruhet karakteri multi-etnik i shoqërisë kosovare, sovraniteti i Kosovës dhe funksionaliteti i saj.

Profesor Beha nuk e përjashtoi  mundësinë e krijimit të asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Beha: Nuk kemi çare pa e krijuar asociacionin serb

“Ne nuk kemi çare, po e them në mënyrë metaforike për ta përfunduar këtë proces, duke qenë bashkëpunues serioz me bashkësinë ndërkombëtare. Leva më e mirë është suksesi që kemi pasur në procesin e decentralizimit. Nuk kemi çare pa e krijuar asociacionin. Kjo ideja ‘Zajednica nuk kalon’ i ka bërë edhe dëm Kosovës? Pse, sepse Kosova ka marrë obligim kushtetues për të krijuar një asociacion të komunave me shumicë serbe. Ky obligim ndërkombëtar është bërë ligj vendor i Kosovës. Ne e kemi miratuar një ligj, pra herë-do-kur, ne nuk kemi çare pa e krijuar asociacionin, por jemi vonë, e sa më shumë që vonohesh dalin opsione tjera”, tha profesor Beha.

Ndryshe, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë, pasi pala serbe kushtëzon vazhdimin e procesit me heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe  platformës për dialogun të votuar në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur disa herë se taksa do të hiqet vetëm atëherë kur Beogradi zyrtar të njohë pavarësinë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat