Vuçiq: Krimenë s’mund ta njohim si pjesë të Rusisë shkaku i Kosovës

Lajme

Vuçiq: Krimenë s’mund ta njohim si pjesë të Rusisë shkaku i Kosovës

Më: 1 prill 2019 Në ora: 14:19
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar për televizionin rus “Rossiya 24” se Beogradi ende nuk mund ta njohë Krimean si territor të Rusisë për shkak se një vendim i tillë do ta rrezikonte zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës.

Sipas presidentit serb, njohja e Krimesë si pjesë e Rusisë do të mund të përdorej nga shtetet perëndimore si pretekst për t’ia marrë Serbisë të drejtat për Kosovën. “Nëse sot e bëjmë një gjë të tillë, ata do ta ngrisin një paralele me Kosovën. Ata do të thonë se, në pajtueshmëri me këtë parim, Kosova është e pavarur dhe se ne më nuk kemi të drejtë të luftojmë për të”, sqaroi ai.

Sidoqoftë, Vuçiqi theksoi se kjo qasje nuk ka ndikuar në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës. “Lidhjet tona të ngushta me Rusinë nuk vihen në pikëpyetje nga askush. Kjo ka të bëjë me strategjinë dhe taktikat politike, që nënkupton se ne nuk kemi të drejtë ta rrezikojmë vitalitetin e shtetit tonë dhe interesat tona kombëtare”, tha ai.

“Besoj që secili njeri normal në Rusi dhe në çfarëdo shteti tjetër e kupton këtë”, shtoi ai.

Sipas mediumit rus, “Provinca Autonome Serbe e Kosovës dhe Metohisë e shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanshme në shkurt të vitit 2008 dhe më shumë se 60 shtete, përfshirë Rusinë, Kinën, Indinë, Izraelin, Greqinë dhe Spanjën, e kundërshtojnë njohjen e Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat