Kritikohet Ligji për Dialogun, konsiderohet antikushtetues

Lajme

Kritikohet Ligji për Dialogun, konsiderohet antikushtetues

Më: 5 prill 2019 Në ora: 12:50
Foto

Kështu u tha në tryezën që grupi Parlamentar i LDK-së dhe grupi Parlamentar i LVV-së, kanë organizuar për  kushtetutshmërinë dhe përgjegjësitë institucionale në procesin e Dialogut me Serbinë.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti u shpreh se dialogu me Serbinë nuk duhet të udhëheqet nga siç i cilësoi ai pseudo ekipe, por nga institucionet legjitime, sepse në këtë formë përveç që e kthen Kosovën prapa, është dhe antikushtetuese.

“Dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria mbi bazën e mandatit kushtetues që ka Qeveria dhe çdo formë tjetër e aranzhimit dhe menaxhimit të këtij procesi e bën atë proces jo kushtetues dhe rrjedhimisht të papranueshëm. Nuk mundemi me ekipe dialoguese të kthehemi prapa si në kohën kur Kosova kishte institucione të përkohshme. Zgjidhja nuk vjen me ekipe dialoguese e cila nuk bën asgjë tjetër përveç që tentojnë të përligjin defiqiencën e institucioneve aktuale që ka vendi...ky dialog duhet të udhëhiqet nga institucione legjitime dhe jo nga ekipe pseudo dialoguese dhe vetëm pasi të jetë siguruar një pajtueshmëri prej 2 të deputetëve në Kuvend, çdo format tjetër i dialogut është jo legjitim dhe jo kushtetues”, tha ai.

Për shefin e grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca dialogu me Serbinë është i përfshirë nga dy pazare, i pari sipas tij, ka të bëjë me dorëzimin e kryeministrit Haradinaj karshi presidentit, Thaçi dhe i dyti me përkrahjen e PSD-së, ndaj kreut të ekzekutivit dhe presidentit Thaçi.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Konjufca tha se duhet të kthehet në pikën zero për arsye se i mungon legjitimiteti dhe bashkë me ketë çështje duhet të ketë dhe zgjedhje të reja.

“Dialogu me Serbinë ne pretendojmë që nuk mund të vazhdoj në këtë mënyrë, që i mungon legjitimiteti total politik dhe që për shkak të krejt këtyre që i përmenda, Kosova ka nevojë që një proces të tillë të kthej në pikën zero. Pikën zero sa i përket kësaj që  po quhet faza përfundimtare e dialogut me Serbinë...pika zero e këtij procesi shkon dorë për dore me zgjedhjet e reja në Kosovë. Nuk mund të thuhet se mund të kthejmë në pikën zero, pa i ri legjitimimin e institucioneve prej fillimit dhe përfaqësuesve të popullit. Ne mendojmë që ky projekt të braktiset sa më shpejt, në mënyrën siç e ka nisur kështu”, deklaroi, Konjufca.

Pjesë e kësaj tryeze ishin dhe përfaqësues të shoqërisë civile, avokati Dastin Pallaska, i cili u shpreh se Ligji për Dialogun është antikushtetues, për arsye se po krijohet një ligj për të zëvendësuar institucionet.

“Ky ligj është kundër kushtues për faktin e thjesht se është totalisht i panevojshëm dhe për faktin e thjesht se synon të sanksionoj me ligj një funksion, apo veprimtari politike ashtu siç është duhur të bëhet në kuadër të ligjit, por jo të sanksionuar me ligj...është gabim që të synohet të krijohet një ligj për të zëvendësuar përgjegjësinë politike që e kanë akterët, qoftë qeveritar, qoftë deputetët e kështu me radhë nga dyja anët, si nga pozita, dhe nga opozita. Pikërisht për këtë arsye, Ligji për Dialogut është dhe qesharak për faktin se përmbledh një hierarki tejet të komplikuar të infrastrukturës ligjore që e rregullon këtë çështje, përkatësisht negocimin dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, u shpreh avokati Pallaska.

Të njëjtin mendim për këtë çështje e kishte edhe Taulant Kryeziu nga Instituti Epik, i cila tha se ky ligj është jashtë normës kushtetuese.

Ai tha se në kuadër të ligjit, nuk janë arritur zotimet që janë shkuar në të, duke thënë se iu është lënë një trupi jashtë Kosovës të zgjedh se kush do të jetë i pranishëm për të dialoguar.

“Nuk është arrit promovimi i atij zotimi të cilën e kanë pasur se ne do të ndërtojmë një delegacion shtetëror si entiteti i vetëm, por e dyta kanë shkuar dhe më tepër i kanë lënë të drejt një trupi jashtë Kosovës se kush do të jetë pjesëmarrës në kuadër të delegacionit shtetëror”, tha ai.

Nga KDI, Jeta Krasniqi u shpreh se duhet një konsensus më i madh ndërmjet partive politike për procesin e dialogut me Serbinë.

“Kishim kërkuar një konsensus politik që e kemi parë mungesën e këtij konsensusi, kishim kërkuar që transparenca të jetë një element kryesor, natyrisht duke e ditur se negociatat kanë elementi ne konfidencialitetit, por kemi parë që gjatë 6 vite, apo 7 viteve dhe arritjes së 33 marrëveshjeve të arritura një pjesë e këtyre marrëveshjeve mbeten sekrete”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, bashkë me deputeten e VV-së, Albulena Haxhiu përsëritën pretendimet e tyre se në cilat nene Ligji për Dialogut e shkel Kushtetutën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat