Dialogu Kosovë-Serbi, Thaçi e Vuçiç takohen më 29 prill në Berlin

Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi, Thaçi e Vuçiç takohen më 29 prill në Berlin

Më: 10 prill 2019 Në ora: 17:06
Arkiv

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, do të takohen më 29 prill në Berlin, me ftesë të Gjermanisë dhe Francës.

Njoftimi u konfirmua të mërkurën nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se është ftuar në Berlin bashkë me kryeministren serbe, Ana Bërnabiç dhe aty janë ftuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ky do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë që pas pezullimit tyë bisedimeve në vjeshtën e vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzoi vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, por qeveria e Kosovës refuzoi edhe trysninë e Bashkimit Evropian për heqjen e tyre dhe atë amerikane për pezullimin e tyre.

Në Prishtinë, zyrat e udhëheqësve politikë konfirmuan që janë ftuar në Berlin, por nuk komentuan pritjet e tyre, ndërsa presidenti serb tha se nuk pret asgjë nga takimi i 29 prillit.

Ai i bëri këto komente pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës me të cilët diskutoi pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri që do të mbahen më 19 maj.

Pas këtyre diskutimeve përfaqësuesit e serbëve thanë se do të marrin pjesë në zgjedhje për të mos lejuar që partitë shqiptare të marrin pushtetin në atë zonë.

Të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunash në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të banuara me shumicë serbe.

Të katër komunat janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat