BE’ja vazhdon ta shpërblejë Serbinë, ia hap edhe dy kapituj të rinj

Lajme

BE’ja vazhdon ta shpërblejë Serbinë, ia hap edhe dy kapituj të rinj

Më: 11 prill 2019 Në ora: 08:34
Foto ilustrim

Konferenca e ardhshme ndërqeveritare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, kur pritet të hapen kapitujt e rinj në negociatat për anëtarësimin e Serbisë, parashihet të mbahet më 18 qershor.

Rumania, që mban presidencën e Bashkimit Evropian, ka parashikuar datën 18 qershor si datë të mundshme për një konferencë ndërqeveritare. Në këtë konferencë po shikohen mundësitë për hapjen e dy kapitujve të rinj në negociata.

Kur të vendoset përfundimisht se sa kapituj do të hapen, shtetet anëtare të BE’së do të fokusohen në raportimin për sundimin e ligjit në Serbi, respektivisht kapitujt 23 dhe 24.

Ndryshe, zgjedhjet që do mbahen në maj për Parlamentin Evropian do të shtyjnë për një afat të shkurtër lëshimin e raportit të progresit të Komisionit Evropian për integrimet në BE. Raporti i progresit zakonisht lëshohet çdo herë në muajin prill, por kësaj here nuk pritet të dalë para datës 29 maj, kur edhe përfundon procesi i zgjedhjeve.

Por, megjithatë, nuk është e qartë nëse shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të kenë kohë të mjaftueshme, për datën 18 qershor të caktuar nga Rumania, që të ndërmarrin hapa të ri në procesin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat