“Nëse shqiptarët e zgjidhin çështjen kombëtare, këtë do ta bëjnë edhe serbët”

Lajme

“Nëse shqiptarët e zgjidhin çështjen kombëtare, këtë do ta bëjnë edhe serbët”

Më: 28 prill 2019 Në ora: 23:53
Foto ilustrim

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se bota nuk do ta ndalojë fatkeqësinë në Ballkan nëse lejon krijimin e Shqipërisë së madhe duke shtuar se nëse zgjidhet çështja kombëtare shqiptare, edhe serbët do ta zgjidhin të veten.

“Ne duhet ta zgjidhim çështjen e tërësishme kombëtare serbe, përfshirë edhe Kosovën dhe jo pa të. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare duhet të kenë mirëkuptim për problemet serbe”, ka thënë Vulin për kanalin “Rusija 24”, përcjell N1.

Ka shtuar se interesi i Serbisë është t’i mbrojë serbët në Kosovë edhe pse në Serbi nuk ka konsensus për Kosovën.

“Derisa të ketë serbë në Kosovë, ne mund të bëjmë diçka. Për ne është shumë e rëndësishme që vendet e mëdha, siç është Rusia, duhet ta dinë se po krijohet Shqipëria e madhe”, ka thënë ai.

Ai, po ashtu, ka thënë se shqiptarët, pos në dy komuna në Serbi, janë nën rrethin e përbashkët politik e të sigurisë të paktit NATO.

“Kur Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e NATO-s, e kjo pritet të ndodhë që nga ky vit, të gjithë shqiptarët jetojnë nën një rreth të përbashkët politik e të sigurisë. Ata kërkojnë formalizmin e hapësirës së tyre me kufij, ndërsa të gjitha vendet ku gjenden ata, po heshtin”, është shprehur Vulin.

Gjithashtu, ai ka theksuar se edhe Mali i Zi shpesh e sulmon Serbinë, por jo edhe Shqipërinë e madhe e cila dëshiron t’i marrë territor.

“Edhe Maqedonia e Veriut shumë shpesh sulmon Serbinë, e njeh Kosovën pa kurrfarë problemi, e gjysma e territorit të saj është në rrugën e Shqipërisë së madhe”, ka thënë ndër të tjera Vulin në Moskë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat