Shërbimet sekrete për Ivica Daçiqin: Shumë i korruptuar, gënjeshtar, amoral dhe alkoolist kronik

Lajme

Shërbimet sekrete për Ivica Daçiqin: Shumë i korruptuar, gënjeshtar, amoral dhe alkoolist kronik

Më: 7 maj 2019 Në ora: 14:45
Ivica Daçiq

Në fëmijëri e kishin quajtur “Buçko”, kur ishte rritur “Millosheviqi i vogël”, kurse tash e quajnë “Kofer” për shkak të aferave të shumta korruptive.

Është fjala për Ivica Daçiqin, të cilin shërbimet sekrete e përshkruajnë si politikan karrierist me ambicie të mëdha dhe si një kalkulant të madh politik.

Në një dokument të shërbimit sekret malazez “Profil për Ivica Daçiqin”, të cilin e ka siguruar Ballkani.info, për paraqitjet publike të Daçiqit thuhet se janë populiste dhe në çdo paraqitje fjalë të parë e ka popullin, kurse në anën tjetër nuk qanë kokën për gjendjen e tyre.

“Është kalkulant i shkëlqyeshëm varësisht nga situatat. Shumë rrallë flet për Partinë Socialiste të kohës së Millosheviqit dhe regjimin autoritar të tij, pjesë e të cilit ishte. Edhe atëherë kur flet për atë epokë, thotë se duhet harruar e kaluara. Karakteristikë tjetër e tij është gjuha e ashpër, ngritja e intonacionit të zërit dhe shikimi i bashkëbiseduesit drejtë në sy edhe atëherë kur nuk është i sigurt në atë çka e pohon. Këtë strategji e ka mësuar sa ishte zëdhënës i Partisë Socialiste për tetë vite me radhë. E ka pohuar shumë herë në media se koha si zëdhënës i Partisë Socialiste ka qenë çelësi i suksesit të tij drejt karrierës politike dhe përvoja më e madhe jetësore”, thuhet në këtë dokument të siguruar.

Po ashtu, Daçiq përshkruhet si elastik në paraqitje, pa qëndrim të qartë dhe i gatshëm për kompromise, edhe pse në fillim mundohet të formojë bindje se është i paluhatshëm në qëndrime.

“Është pabesueshëm edhe atëherë kur hesht. Gënjeshtar tipik, kurrë nuk ka qëndruar në këmbë të veta, por gjithnjë është mbajtur nga të tjerët. Amoral me shumë afera dhe i korruptuar, por edhe alkoolist kronik”, përshkruhet më tej Daçiq.

Ivica Daçiq gjatë studimeve kishte qenë anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë – LKJ-së, kurse në vitin 1990 ishte zgjedhur kryetar i parë i socialistëve të rinj në Beograd, duke ju falënderuar Mirjana Markoviqit, gruas së Sllobodan Millosheviqit.

Për shumë vite emri i Ivica Daçiqit ishte në listën e emrave të ngushtë që e rrethonin Sllobodan Millosheviqin dhe atij e shumë të tjerëve u ndalohej udhëtimi në shtetet e Evropës.

“Ivica Daçiq, në kongresin e VII-të, më 03.12.2006, është zgjedhur Kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), duke e mundur kundërkandidatin Milorad Vuçeliq. Ivica Daçiq kishte marrë 1.287 vota, ndërsa Milorad Vuçeliq 792 vota. Në qershor të vitit 2004, Ivica Daçiq ka qenë kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet presidenciale ku fitoi 125.592 vota apo 4.04% të votave të zgjedhësve në shkallë vendi. Në qershor të vitit 2008, në Qeverinë e Serbisë, Ivica Daçiç, ishte nënkryetar i parë i Qeverisë dhe Ministër i Punëve të Brendshme. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, Ivica Daçiq kishte fituar 556.013 vota dhe ishte radhitur në vendin e tretë. Ndërsa në zgjedhjet parlamentare kishte fituar 14.53% për Kuvendin e Serbisë”, përshkruhet karriera politike e Daçiqit.

Sipas këtij profili të shërbimit sekret malazez për Ivica Daçiqin, pikërisht atëherë kur analistët konkludonin se Partia Socialiste që ai e kryesonte do të zhbëhej, ajo kishte arritur të bëhej faktor kryesor i skenës politike në Serbi.

“Gjatë kohës kur Ivica Daçiq ishte Ministër i Brendshëm, përgjatë gjithë mandatit të tij kishte probleme të mëdha, sepse kurrë nuk kishte arritur përfundimisht ta fuste këtë ministri nën urdhrat e tij. Shkak për këtë ishte Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Milorad Veljoviq, i cili nuk e përfillte fare Ivica Daçiqin. Puna qëndronte se mbi Milorad Veljoviqin kishte ndikim ish-presidenti Boris Tadiq dhe shefi i kabinetit të tij, Milorad Rakiq, që ishte edhe personi përgjegjës për siguri në Këshillin Nacional të Sigurisë. Ky dualizëm Daçiq-Veljoviq kishte lënë gjurmë të mëdha në kuptimin negativ në policinë serbe dhe kjo periudhë kohore ishte notimi më i dobët në ujërat e politikës për Daçiqin”, përshkruhet më tej ai.

Në këtë dokument sekret përshkruhet po ashtu edhe “fobia” e madhe e Daçiqit ndaj shërbimit sekret francez, i cili e kishte survejuar kohë të gjatë dhe madje i kishin rekrutuar edhe njerëz brenda kabinetit të tij.

“Në kabinetin e Ivica Daçiqit, gjatë mandatit të tij kishte eskaluar edhe një skandal me pasoja të mëdha, kur zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Suzana Vasiljeviq, ishte shkarkuar dhe në vend të saj si zëdhënëse ishte zgjedhur Ivana Petroviq. Ivica Daçiq ishte detyruar ta largojë Suzana Vasiljeviqin nga kabineti i tij për shkak të lidhjeve intime që ajo kishte shumë vite me pjesëtarin e shërbimit sekret francez, Georges Uriot, i cili punonte në Ambasadën e Francës në Beograd. Pas këtij rasti dhe largimit të Suzana Vasiljeviqit, e cila ishte dërguar me punë në organizatën “Serbija-sume”, larg kabinetit ministror, vetëm atëherë Ivica Daçiq kishte filluar të ndjehej më komod dhe më i lirë nga syri i inteligjencës franceze, sepse një kohë të gjatë përmes zëdhënëses Suzana Vasiljeviq, shërbimi sekret francez kishte qasje të plotë mbi punën e Ivica Daçiqit”, thuhet në këtë profil për të, duke e përshkruar shërbimin sekret francez si pikë tepër të dobët të tij, e cila e dezorienton tërësisht.

Po ashtu, sipas këtij dokumenti, Ivica Daçiq si Ministër i Brendshëm mbahet mend edhe si keqpërdorues i madh i pronës shoqërore.

“Ministria e tij kryesonte listën, kur ishte fjala për keqpërdorim dhe menaxhim shumë të keq. Aferat e tij ilustrohen edhe me tri dokumente nga Ministria e Financave – Drejtoria e Trezorit të Serbisë. Aty shihen keqpërdorimet e mëdha të Ministrisë së Brendshme gjatë periudhës kur ajo drejtohej nga Ivica Daçiq. Aty mund të shihet një keqpërdorim i miliona dinarëve serbë dhe nëse i konvertojmë janë ekzakt 3.517.650 euro të vjedhura. Bëhet fjalë për një kontratë me firmën “Vlatacom”, përmes së cilës janë blerë radiolidhje për MUP-in serb. Këto radiolidhje ishin shumë moderne dhe quhen “Tetra-Sistem” që mundësojnë përveç komunikimit në terren edhe vëzhgimin e automjeteve dhe njerëzve”, përshkruhen aferat korruptive të Daçiqit.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, sipas këtij dokumenti sekret, më 05.12.2008 kishte nënshkruar kontratën për importin e pajisjeve komunikuese “Tetra-Sistem” me firmën izraelite “Motorola-Izrael” faza e II-të, nën siglën “Strogo Poverljivo”, përkthyer në shqip “Rreptësisht Konfidenciale”, me numër 404-14985/05/3-1. Përfituesi më i madh në këtë rast, sipas revizorit shtetëror serb që kishte gjetur shkelje të mëdha në raporte dhe transaksione financiare, kishte qenë vetë Ivica Daçiq.

“Edhe disa afera tjera korruptive kishin vërshuar ministrinë e Ivica Daçiqit gjatë mandatit të tij. Në janar të vitit 2009, me rastin e blerjeve të hardverëve dhe softverëve, për mirëmbajtjen e sistemeve AFIS/FIIS, ishin harxhuar shuma të mëdha parash. Këtu revizorët shtetërorë kishin gjetur keqpërdorime të mëdha. Pastaj, afera për blerjen e aparateve të leximit për sistemin biometrik”, thuhet më tej në këtë dokument.

Më e njohura është afera e quajtur “Kofer” dhe 100.000 euro, jo për nga pesha e të hollave, sipas këtij dokumenti, por për nga efekti negativ që kishte në opinion kjo aferë, në të cilën ishte implikuar Ivica Daçiq së bashku me mikun e tij të Partisë Socialiste, Vladan Zagradjanin, dhe zëvendësguvernatorin e Bankës Popullore të Serbisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat