Është e rëndësishme që zgjedhjet e ardhshme për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës të kalojnë pa incidente dhe në një atmosferë demokratike, tha Marko Gjuriq.
Kreu i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën theksoi se çdo ‘përpjekje e mundshme për të rishikuar vullnetin zgjedhor të qytetarëve nga institucionet e Prishtinë duhet të parandalohet’.
Ai gjithashtu vuri në dukje ‘presionin gjithnjë e më të shpeshtë të Prishtinës mbi Listën Serbe dhe neglizhencën e vullnetit zgjedhor të qytetarëve të përkatësisë etnike serbe në Kosovë’.
Zgjedhjet në veri mbahen më 19 maj, pasi më herët kryetarët e katër komunave të udhëhequra nga Lista Serbe dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me vendimin e Prishtinës zyrtare për vendosjen e masës 100 për qind ndaj mallrave serbe.