Këta janë policët serbë që dhunuan gruan shtatëzënë në prani të burrit në Kosovë

Lajme

Këta janë policët serbë që dhunuan gruan shtatëzënë në prani të burrit në Kosovë

Më: 17 maj 2019 Në ora: 14:49
Ilustrim

Kosova këto ditë është në proces të themelimit të Tribunalit për gjonocidin serb në Kosovë gjatë luftës të viteve 1998-1999.

Në vazhdën e kësaj iniciative, dje Kuvendi i Republikës e ka nxjerrë edhe një Rezolutë e cila dënon gjenocidin serb. Kjo Rezolutë është kundërshtuar ashpër në Serbi, megjithatë procesi tashmë ka hyrë në rrugë pa kthim.

Pjesë e gjykimit nga Tribunali pritet të jenë të gjithë ata serbë të uniformuar që gjatë luftës kryen masakra, dhunime, torturime, plaçitje, dëbime, etj.

Tribunali me theks të veçantë pritet të merret me gratë e dhunuara, të cilat thuhet se janë rreth 20 mijë dhe deri më tash nuk është dënuar asnjë pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe.

Për këto krime makabre ka edhe dëshimtarë të gjallë siç është rasti me Vasfije Krasniqin e cila së fundi ka dëshmuar edhe në Kongresin Amerikan.

Se ka dëshmi të bollshme për dhunimet në Kosovë, dëshmon edhe një dokument i siguruar ekskluzivisht nga Ballkani.info.

Bëhet fjalë për një raport zyrtar të policisë serbe i datës 2 mars të vitit 1999. Në këtë raport përshkruhet në detaje krimi ndaj një shqiptareje të Pejës.

Raporti me numër rendor 17, thotë se ditën e 2 marsit, rreth orës 18:00, e dëmtuara (Ballkani nuk do ta publikojë emrin e viktimës për shkak se ajo është gjallë dhe jeton në një qytet të Kosovës) e ka paraqitur rastin në polici.

“Ditën 02.03.1999, rreth orës 18 sipas raportimit të dëmtuares (emri i viktimës), pjesëtare e pakicës kombëtare shqiptare, pasi që atë ditë ka udhëtuar me burrin e saj nga Podgorica dhe afër Stacionit të Autobusëve dy persona të panjohur në uniforma të policisë i kanë marrë ata dhe i kanë futur në një veturë ‘Zastava 101’ ku më pas i kanë dërguar deri te Stacioni i Hekurudhës. Aty në prani të burrit e detyrojnë të bëjë fellacio (seks oral me dy e më shumë persona), pasi që ajo ishte në shtatëzani të shtyrë”, kështu thuhet në raportin e Policisë së Serbisë.

Tutje në këtë raport thuhet se me hetimin e rastit, është vërtetuar se veprën kriminale e kanë kryer Vlladan Kërstoviq dhe Llazar Pavlloviq, policë të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Pejë.

“Është bërë kallëzim penal KU 153/99 dhe raport si plotësim i kallëzimit penal dhe i është dorëzuar Prokurorit të Qarkut në Pejë”, thuhet në fund raportit.

Ballkani.info merr vesh se Llazar Popoviq jeton aktualisht në një qytet të Malit të Zi (redaksia e di emrin e qytetit), kurse Vlladan Kërstoviq ka ardhur disa herë në Pejë për të shitur pronën e tij.

Të kujtojmë se dje deputetja e PDK-së, Flora Brovina nxorri në Kuvend një fotografi për të cilën pretendonte se ishte e kohës së luftës ku tre pjesëtarë të forcave serbe dhunonin një shqiptare.

Megjithatë disa orë më vonë, në publik u shfaqën fotografi të ngjashme që i përkisnin një filmi pornografik irakian, duke ngjallur dyshime për vërtetësinë e fotografisë së Brovinës.

Deputetja më pas foli sërish dhe tha se fotografia është e vërtetë. Tash iu mbetet organeve të sigurisë dhe të drejtësisë që ta thonë fjalën e tyre për këtë fotografi që tmerroi opinionin e Kosovës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat