Flet Hashimi – Thotë se nuk e ka takuar asnjëherë Currin dhe “fajdexhinjtë” e tjerë

Lajme

Flet Hashimi – Thotë se nuk e ka takuar asnjëherë Currin dhe “fajdexhinjtë” e tjerë

Më: 22 maj 2019 Në ora: 16:10
Rrahim Hashimi

Një nga personat që dyshohet për përfshirje në grupin e fajdeve, të udhëhequr nga krye mafiozi Curri po thotë se nuk e ka njohur asnjë nga ata që janë arrestuar nga policia e që tashmë gjenden në paraburgim.

Në një prononcim Rrahim Hashimi një ditë pas lirimit ka bërë të ditur se me e grupin e udhëhequr nga Curri, nuk kishte pasur asnjë lloj kontakti.

“Unë personalisht nuk kam qenë i përfshirë fare në rast,  të apostrofuarit apo të burgosurit nuk i kam njohur asnjëherë nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me ta as fizik as përmes rrjeteve sociale asnjëherë. S’jam taku asnjëherë me ta”, thotë ai.

Hashimi për këtë ia lë fajet Prokurorisë së Prishtinës, e cila sipas tij i ka keqinterpretuar provat.

“Prokuroria i ka keq interpretu provat ose ka qenë naj tendencë tjetër që unë sdi mu  është parashkru sepse ligji e thotë se e ka kalu afatin ligjor. Është parashkru një vepër të cilën unë nuk e kam bërë”, thotë tutje.

Ai po thotë se e njeh mirë Faton Dalladakun, teksa, për këtë të fundit shton se ai e kishte njohur personalisht.

“Fatonin e njoh 2010-2011 e kam pas shokë atë kohë po tendencat e tij janë pak të çuditshme.  Unë nuk kam pas as të mira as të këqija me të”, thotë Hashimi.

Ndërkaq, për videon që është publikuar në media, e që thuhet se daton nga viti 2012, Hashimi thotë se ajo është edituar para se është publikuar, pasi që, nëse shihet e plotë, ky i fundit largohet nga vendi  i ngjarjet pa marrë asnjë para.

“Për videon ish kanë mirë me editu e plotë jam sigurt që aty shihet që nuk marr para dhe dalë kurrë s’kam dhanë fajde as s’kam marrë”, shton tutje.

Në këtë video për të cilën flet edhe Hashimi, shihet ky i fundit së bashku me Ekrem Likën dhe me personin e tretë që në këtë rast është palë e dëmtuar. Personi i katërt për të cilën Hashimi thotë se është biznesmeni nga Ferizaj nuk përmendet nga prokuroria e policia. Aty përmendet edhe emri i krye parlamentarit e kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.

Duke folur për përmendjen e emrit të Kadri Veselit, ai shton se kjo ishte bërë nga personi tjetër i përfshirë.

 “Emri i Kadri Veselit përmendet në një ambient tjetër ku unë s’jam prezent”, shton Hashimi duke folur për kreun e PDK-së.

Hashimi përmend edhe emrin e një biznesmeni që vjen nga Komuna e Ferizajt me inicialet K.R (emri i tij nuk do të përmendet shkaku që kontakti me të ka qenë i pamundur), e që sipas tij, është i përfshirë në këtë skemë, e që dinë mirë për prapavijën e rastit.

Express nga burime të mirë informuara ka konfirmuar se edhe ky person ka qenë i përfshirë në këtë skemë, por, që emri i tij, nuk përmendet askund nga organet e drejtësisë.

Rrahim Hashimi, njëri nga personat e arrestuar për fajde, mashtrim dhe detyrim u lirua dje me vendim të Gjykatës.

Arsyeja e lirimit të tij është vjetërsimi i veprës penale e cila pretendohet se është kryer në vitin 2012.

Rrahim Hashimi u arrestua dy ditë më parë bashkë me Ismet Osmanin, I njohur si “Curri”, dhe tre të dyshuarit e tjerë Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Ilir Bojku.

Ai dyshohej se gjatë vitit 2012 bashkë me Ekrem Likën nëpërmjet Sami Nikës i kishin dhënë Faton Dalladakut fajde në vlerë prej 350 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj.

Sipas Prokurorisë, shuma të cilën Dalladaku detyrohej të paguante në emër të fajdesë ishte rreth 25 mijë euro në muaj.

Këto pretendime të Prokurorisë për Hashimin u hodhën poshtë dje, për shkak të arritjes së vjetërsimit të veprës penale.

Sipas aktvendimit të Gjykatës, thuhet se në vitin 2012 nuk ka ekzistuar vepra penale e fajdesë, por vepra e kontraktimit të përftimit jo proporcional e cila në atë kohë dënohej deri në tre vite burgim.

Andaj sipas kësaj gjykate duke pasur parasysh se kanë kaluar më shumë se gjashtë vite nga koha e kryerjes së veprës penale, në rastin konkret është arritur vjetërsimi i ndjekës panele.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat