Rrëfimi i ish-deputeti të Kosovës se si u vra një nga të burgosurit e Dubravës - Bota Sot
Rrëfimi i ish-deputeti të Kosovës se si u vra një nga të burgosurit e Dubravës

Lajme

Rrëfimi i ish-deputeti të Kosovës se si u vra një nga të burgosurit e Dubravës

Nga: N.Sh Më: 22 maj 2019 Në ora: 23:31
Pamje nga masakra e Dubravës

Ish deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qla ka rrëfyer se si dëshmori Arsim Zogiani ishte vrarë në burgun e Dubravës.

Ai tregon se si e ka njohur Zogianin në burgun e Dubravës në pavijonin B dhe se çfarë ka biseduar me të.

Qela tregon se pas sulmit të trupave serbe mbi të burgosurit më 22 maj, menjëherë pas plagosjes së Zogianit është  takuar me të në ndërtesën e Shtëpisë së Shëndetit, ku u e ka streguar përkohësisht nga të shtënat që vinin pothuajse prej të gjitha anëve.

“Pas sulmit të trupave serbe mbi të burgosurit më 22 maj, menjëherë pas plagosjes së tij jam takuar me të në ndërtesën e Shtëpisë së Shëndetit, ku u strehuam përkohësisht nga të shtënat që vinin pothuajse prej të gjitha anëve… . Kemi qëndruar dhe kemi biseduar bashkë me të së paku 10 minuta. Ia kam parë plagët…Nuk kemi pasur as fasho, as jod, as kurrfarë barnash… (Dhe ka pasur shumë pak veta që kanë ditur të lidhin plagë…). Ia kam vendosur një kanotiere të bardhë te plaga në shpatull, por plagët në kokë kanë qenë më të rënda, megjithëse për ato nuk ankohej (thoshte se nuk ndiente dhimbje në kokë…)”, shkruan ai.

Postimi i plotë i Qelës:

Një dromcë rrëfimi për dëshmorin Arsim Zogiani, njërin nga të vrarët në masakrën e burgut të Dubravës

Në përvjetorin e 20-të të masakrës së Dubravës, një status-përkujtim në Facebook i znj. Mirvete Uka, motrës së dëshmorit Arsim Zogiani, më shtyu ta them një copëz të asaj historie trishtuese…

Jam takuar dhe jam njoftuar me dëshmorin Arsim Zogiani në pavojonin B, në atë pavijon ku na kishin transferuar (rikthyer) nga burgjet serbe edhe një pjesë e të burgosurve politikë prej viteve të ’80-ta: Ukshim Hotin, Avni Klinakun, Bajrush Xhemailin, Nait Hasanin, Hajredin Hysenin etj.

Kemi qëndruar shpesh me Arsimin në banjon e burgut, aty ku e shfrytëzonim rastin të takoheshim me të burgosur nga dhoma të tjera. Aty Arsimi na ka pas treguar edhe për çfarë vepre e kishin burgosur. Gjatë atyre tri javëve të qëndrimit së bashku, jemi shoqëruar me të bukur shumë.

Pas sulmit të trupave serbe mbi të burgosurit më 22 maj, menjëherë pas plagosjes së tij jam takuar me të në ndërtesën e Shtëpisë së Shëndetit, ku u strehuam përkohësisht nga të shtënat që vinin pothuajse prej të gjitha anëve… . Kemi qëndruar dhe kemi biseduar bashkë me të së paku 10 minuta.

Ia kam parë plagët…Nuk kemi pasur as fasho, as jod, as kurrfarë barnash… (Dhe ka pasur shumë pak veta që kanë ditur të lidhin plagë…). Ia kam vendosur një kanotiere të bardhë te plaga në shpatull, por plagët në kokë kanë qenë më të rënda, megjithëse për ato nuk ankohej (thoshte se nuk ndiente dhimbje në kokë…).

Nuk e di se a i është lidhur më vonë plaga (e shkapërderdhur) në kokë, pasi në atë ndërtesë u gjendën disa shishe jodi e ca çarçafë të rinj…

Kur jam ndarë prej tij ka qenë akoma shumë i fortë. Fizikisht dhe shpirtërisht. Qëndronte në këmbë dhe nuk ankohej.

Pas nja dy apo tri orësh dëgjova se kishte vdekur.

Arsimi ishte njëri nga njëqind e njëzet të burgosurit duarlidhur, të rënë nga dora e pushtuesve serbë në një masakër të vetme.

Aty ra edhe shoku ynë i ilegales, Naim Zahiti dhe nja dhjetë veta me të cilët jam njohur me vite.

Ditë përkujtimi të rënda për familjarët e të rënëve…

Ditë përkujtimi të rënda edhe për ne që ishim pranë tyre në çastet kur ata kaluan në përjetësi…

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Arsimin!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë të burgosurit e rënë në burgun e Dubravës!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...