Qeveria e Merkel zgjat mandatin e KFOR-it gjerman në Kosovë edhe për një vit

Lajme

Qeveria e Merkel zgjat mandatin e KFOR-it gjerman në Kosovë edhe për një vit

Më: 23 maj 2019 Në ora: 12:27
Foto ilustrim

Ushtarët e KFOR-it gjerman do të qëndrojnë në Kosovë edhe për një mandat tjetër një vjeçar. Këtë e ka konfirmuar Qeveria Gjermane, ndërkohë ky vendim i tillë pret miratimin e Parlamentit gjerman.

“Ushtarët gjermanë do të kontribuojnë në procesin e paqes edhe për një periudhë tjetër prej 12 muajsh. Kabineti ka vendosur që të zgjasë mandatin e KFOR-it. Ndërkohë Parlamenti Gjerman duhet të pajtohet”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në këtë njoftim potencohet se situata e sigurisë në Kosovës është stabile, megjithatë nuk mund të përjashtohet ndonjë incident i papritur në veri të Kosovës.

“Në përgjithësi, situata në Kosovë është e qetë. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet ndonjë incident, që mund të dërgojë në tensione, sidomos në veri të Kosovës”, potencon njoftimi.

Ata ndër të tjera thonë se kanë reduktuar numrin e ushtarëve në përputhje me planet e NATO-s, duke potencuar se aktualisht numri i ushtarëve gjermanë në Kosovë është 400.

“Personeli është i limituar dhe reduktuar në 400 ushtarë. Megjithatë në rast të ndonjë përkeqësimi të papritur të situatës së sigurisë, Bundeswehri mund të reagojë në mënyrë të shpejtë dhe fleksibile në përputhje me detyrimet e saj ndaj NATOs”, shkruhet ndër të tjera, raporton Gazeta Express.

Në fund të njoftimit thuhet se Qeveria e Gjermanisë, do të vazhdojë të kontribuojë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe do të punojë për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës dhe rajonit.

Për këtë ka folur edhe zëdhënësi i Qeverisë Gjermane, Stefan Siebert.

“Ushtarët gjermanë do të shoqërojnë procesin e paqes në Kosovë për një tjetër mandat dymbëdhjetë muajsh. Kabineti ka vendosur të zgjasë misionin e KFOR-it. Bundestagu duhet që të pajtohet”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt. Ai ka thënë se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë  misionin e NATO-së në Kosovë.

“Vendimi i Qeverisë. Mandati i Bundeswherit është zgjatur në kuadër të NATO-s. Ne vazhdojmë të mbështesim këtë mision të rëndësishëm për Kosovën”, ka thënë ai.

KFOR-i gjerman vepron në Kosovë që nga qershori i vitit 1999, dhe kontribuon në ndërtimin e paqes në kuadër të Rezolutës 1244 të OKB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat