Bahtiri tregon për gjendjen e policit të plagosur gjatë aksionit në veri

Lajme

Bahtiri tregon për gjendjen e policit të plagosur gjatë aksionit në veri

Më: 28 maj 2019 Në ora: 09:24

Gjendja shëndetësore e zyrtarit policor të plagosur mëngjesin e sotëm është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Aktualisht ai është i shtruar në spitalin e Mitrovicës dhe atë e ka vizituar kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, i cili për KosovaPress ka treguar se polici është nga Gjakova dhe se është jashtë rrezikut për jetë.

“Është një djalë nga Gjakova, isha në vizitë, është i shtrirë në spitalin e Mitrovicës dhe është jashtë rrezikut për jetë, nuk ka të lënduar asnjë organ vital. Hyrja dhe dalja e plumbit ka qenë poshtë trupit, kështu që gjendja e tij është jashtëzakonisht mirë dhe unë i uroj që të jetë sa më shpejt i shëruar”, tha ai.

Ai ka komentuar edhe aksionin e ndërmarrë nga Policia e Kosovës.

“Ky intervenim ka qenë i përgatitur qysh moti, ka të bëjë me kriminalitet, ka të arrestuar edhe shqiptar dhe serb. Unë po mendoj që aksioni i Policisë është i drejtë dhe unë i uroj që ky aksion të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, sa më pak pasoja. Ky aksion nuk duhet të merret kundër asnjë nacionaliteti, por është një aksion i cili cdo njeri që e ka shkelur ligjin duhet të jap përgjegjësi. Qytetarët duhet të jenë të qetë, si serbët si shqiptarët, nuk është aksioni kundër askujt, por është kundër njerëzve që kanë bërë gjëra të këqija”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat