Cakaj ia bën bajat Thaçit: Bashkimin s’e kanë në agjendë as Kosova as Shqipëria

Lajme

Cakaj ia bën bajat Thaçit: Bashkimin s’e kanë në agjendë as Kosova as Shqipëria

Më: 30 maj 2019 Në ora: 12:03
Gent Cakaj

Ministri në detyrë për punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka komentuar deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, referuar bashkimit kombëtar.

Cakaj ka thënë se perspektiva e bashkimit të Kosovës e Shqipërisë nuk është në agjendën zyrtare të asnjërës prej të dyja vendeve.

“Deklarata e Presidentit të Kosovës është një çështje që nuk është në agjendën zyrtare të asnjërit prej vendeve”, ka thënë Cakaj.

Ai ka potencuar se Shqipëria dhe Kosova janë në përpjekje e sipër për të intensifikuar bashkëpunimin, të cilin e kërkon edhe procesi i Berlinit.

“Parimi i bashkëpunimit rajonal është në agjendën e Shqipërisë sepse kështu e kërkon edhe procesi i Berlinit”, ka thënë ai.

“Deri tani ambicia ynë për bashkëpunim nuk ka qenë e drejtuar vetëm me Kosovën por edhe me shqiptarët në rajon dhe për më gjerë se kaq me shtetet rajonale në përgjithësi”, ka thënë ministri i jashtëm shqiptar, Cakaj.

Para disa ditëve, presidenti Hashim Thaçi, nisi të përmend idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Hashim Thaçi, në fillim të vitit 2018, kishte nisur idenë për ndryshim e korrigjim kufijsh me Serbinë. Por, tash, kur ideja e shkëmbimit mori vulën e dështimit në Samitin e Berlinit, shefi i shtetit ka nisur një manovër të re politike.

Ai kërkoi bashkim me Shqipërinë.

Opozita në Kosovë vazhdon të ndjekë Presidentin, ndërsa i vetmi që po e kundërshton seriozisht projektet e Thaçit është Ramush Haradinaj.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet, Thaçi ka thënë se Kosova duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, teksa ka këmbëngulur se edhe Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat