UNMIK-u: Zyrtarët tonë në Veri po e kryenin punën e tyre, nuk mund të ndalohen e as të shpallen non grata

Lajme

UNMIK-u: Zyrtarët tonë në Veri po e kryenin punën e tyre, nuk mund të ndalohen e as të shpallen non grata

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 16:25
Pamje nga Zubin Potoku

Pas kërkesës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë vendim që të shpallë person non-grata shtetasin rus, Mikhail Aleksandrovich Krasnoschenkov, i cili u arrestua gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Krasnechenkov u arrestua nën dyshimet se me makinën e tij zyrtare të misionit të UNMIK-ut, po pengonte aksionin e Policisë së Kosovës, duke u barrikaduar në rrugë.

Zëdhënësi i UNMIK-ut në Kosovë, Sanam Dolatshahi, në një përgjigje, ka thënë se “non-grata nuk mund të shpallet një person i cili punon nën petkun e Kombeve të Bashkuara, pasi që personeli i UNMIK-ut, punon nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm”.

Përveç kësaj në përgjigjen dhënë nga zyra e UNMIK-ut në Kosovë, thuhet që Krasnoschenkov  ka qenë duke e kryer punën e tij në pajtueshmëri me mandatin e UNMIK-ut, gjatë momentit të ndalimit nga Policia.

“Ne dimë se stafi i UNMIK-ut ka qenë duke i kryer përgjegjësitë e tyre për monitorim dhe raportim të situatës, në pajtueshmëri me mandatin e UNMIK-ut”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë potencojnë se rrethanat e ndalimit të dy zyrtarëve të UNMIK-ut, janë duke u qartësuar.

“Derisa po kryenin detyrat e tyre për të monitoruar dhe raportuar në pajtim me mandatin e Misionit, për një situatë që po zhvillohej, dy pjesëtarë të UNMIK-ut, u arrestuan në Veri të Kosovës në mes të një operacioni policor të kryer në mëngjesin e hershëm të 28 majit, kundër rrjeteve të dyshuara të krimit të organizuar dhe dyshimeve të abuzimit të autoritetit zyrtar. Dy anëtarët e stafit, një ndërkombëtar dhe një i rekrutuar vendor, pësuan lëndime gjatë arrestimit dhe kërkuar hospitalizim. Detajet lidhur me këtë incident janë ende në sqarim e sipër”,  thekson përgjigja.

Por pse kishte udhëtuar drejt Beogradit, zyrtari rus i UNMIK-ut.  Në një përgjigje nga Zyra e UNMIK-ut në Kosovë, thonë se pasi kishte marrë trajtimin në Spitalin e Mitrovicës së Veriut, mjekët kishin konstatuar se me lëndimet e marra, ai do të duhej që të merrte trajtim të specializuar, prandaj është dërguar për në Beograd

“Anëtari i stafit të UNMIK-ut, i rekrutuar ndërkombëtarisht, është liruar me 28 maj. Bazuar në vlerësimin e plotë të ekspertëve mjekësorë në Spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe ekipit mjekësor të UNMIK-ut, u konsideruar si e domosdoshme që anëtari ynë i personelit të transferohej në një spital që mund ti ofronte trajtim special, në përputhje me dëmtimet që kishte marrë. Ai u transferuar në një institucion mjekësor në Beograd, në Serbi m 30 maj, ku dhe u ribashkua me familjen e tij”, thuhet në përgjigje.

Sa i përket kërkesës për heqje të imunitetit për zyrtarin rus, Mikhail Krasnoschenkov, nga zyra e UNMIK-ut thonë që  në momentin që do të marrin një kërkesë të tillë nga autoritetet kosovare, do ta përcjellin në Zyrën Qendrore të Kombeve të Bashkuara.

“Çdo kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit do të përcillet nga UNMIK-u në Shtabin e Kombeve të Bashkuara. Këto kërkesa do të konsiderohen në përputhje me procedurat e përcaktuara të Kombeve të Bashkuara, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2000/47 Pjesa 6.1 parashtron konsideratat përkatëse”, thekson përgjigja.

Në përgjigjen, UNMIK sqaron se të gjithë zyrtarët e misionit kanë imunitet, dhe nuk mund të ndalohen apo të përballen me ndonjë proces ligjor, pa miratimin e OKB-së.

 “Në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ligjin e aplikueshëm në Kosovë, të gjithë personeli i UNMIK-ut, i rekrutuar në nivel lokal ose ndërkombëtar, ka imunitet nga procesi ligjor,  për deklarimet e bëra apo veprat e kryera  në cilësinë e tyre zyrtare. Ata nuk mund të ndalohen, ose të përballen me ndonjë proces ligjor, qoftë nga autoritetet administrative, ekzekutive apo gjyqësore, pa miratimin e Kombeve të Bashkuara”, sqarohet në përgjigje.

Në fund thonë se UNMIK-u  mbështet Kosovën në luftimin e  krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke potencuar situatën e ndjeshme politike në vend.

“Kreu i UN-it në Kosovë, Zahir Tanin kërkon nga të gjitha palët që të respektojnë dinjitetin njerëzor, në mënyrë që të vendoset qetësi dhe siguri e qëndrueshme në rajon”, përfundon përgjigja.

Sa i përket zyrtarit rus të arrestuar, kryeministri Haradinaj, ka thënë se ai është “një agjent rus i kamufluar nën petkun e UNMIK-t”.

E numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka thënë se Aleksandrovich Krasnoschenkov, ka shërbyer në ushtrinë ruse, dhe në shërbimin sekret rus (GRU)./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat