Kosovë, ambasadorja Lama: BE dhe Italia partnerë të pazëvendësueshëm

Lajme

Kosovë, ambasadorja Lama: BE dhe Italia partnerë të pazëvendësueshëm

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 16:20
Alma Lama

Është e vështirë  të dallosh flamurin e Kosovës nga flamuri europian, të dy me sfond blu, të dy me yje të verdhë.Yjet europiane, siç e dimë mirë, përfaqësojnë Shtetet Anëtare të Bashkimit Europian, ndërsa ato të Republikës së Re të Kosovës simbolizojnë gjashtë komunitetet etnike të pranishme: shqiptarët, serbët, turqit, romët, boshnjakët dhe goranët.

Por një flamur nuk përbën një shtet dhe këtë e di OKB-ja ku vetëm 113 anëtarë nga 193 e kanë njohur zyrtarisht vendin e Rugovës, ndërsa në Evropë njohja ndalet në 23 nga 28 dhe e  gjithë kjo ndodh kur ky vit shënon 20 vite që nga 78 ditët e bombardimeve të NATO-s.

Pikërisht me rastin e këtij përvjetori, shkrimtari, mori ftesën nga Ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, në një konferencë në sallën Zuccari të Palazzo Giustiniani në Romë. Ishin të pranishëm protagonistët kryesorë që përjetuan ato ditë të vështira: ish Kryeministri Massimo D'Alema, Senatorja Emma Bonino, ish-Ministri i Mbrojtjes Prof. Carlo Scognamiglio Pasini, ish-Ministri i Punëve të Jashtme Ambasadori Giulio Terzi dhe gazetarja Paola Severini.

Në debat u theksua se si diplomacia pati punuar deri në momentin e fundit për të parandaluar luftën, por veprimi ushtarak ishte e vetmja mënyrë e mundshme për të përmbajtur eskalimin e dhunës. Në përfundim të konferencës, gazetari Roberto Spagnoli (zëvendës kryeredaktor i Radios Radicale, i cili foli si moderator) thekson se, në vend që të flasim për kujtesën e përbashkët, duhet të prezantojmë konceptin e kujtesës së shumëfishtë. Dhe pikërisht kujtesa e shumëfishtë është një pikë e shkëlqyer fillestare për ndërtimin e një të ardhmeje për Ballkanin në Evropë, pa mure dhe urrejtje.

Në intervistën që vijon Ambasadorja Lama,tregon se si Kosova është duke ecur në këtë rrugë të vështirë.

Si janë duke proceduar negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit?

Negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradin për momentin nuk po zhvillohen. Arsyeja lidhet me faktin se Serbia nuk është treguar bashkëpunuese gjatë këtij procesi, i cili ka zgjatur për gjashtë vite dhe nuk është e gatshme të tregohet konstruktive. Përkundrazi ajo e ka shtuar agresivitetin e saj në raport me Kosovën dhe synimin e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Serbia deri tani nuk ka treguar vullnet për respektimin e marrëveshjeve të arritura të cilat janë 33, 32 nga të cilat nuk i ka respektuar, por nga ana tjetër e sheh këtë proces si një mundësi për të dëmtuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, dhe për të përfituar vetë në raport me anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Por sjellja e saj në raport me Kosovën nuk është aspak në frymën europiane të fqinjësisë së mirë. Qeveria e Kosovës ka deklaruar se është e hapur për dialog, mirëpo jo një dialog që vazhdon pafundësisht dhe pa asnjë rezultat. Përkundrazi, duhet që dialogu të finalizohet me një marrëveshje e cila do të përfshinte edhe njohjen e Kosovës nga Serbia.

Një azhornim për situatën në Mitrovicë dhe në përgjithësi për enklavat me përqëndrim serb

Gjendja në Mitrovicë vazhdon të mbetet e e kontrolluar nga qeveria e Serbisë, e cila ka investuar që prej pas luftës për krijimin e një konflikti të ngrirë. Sic e dini, ky konflikt i ngrirë herë pas here është shkrirë ku ka pasur organizime të dhunshme nga ana e strukturave ilegale serbe, që pas pavarësisë nuk ngurruan ti vënë flakën pikave doganore në veri të Kosovës, e po ashtu mbajnë të bllokuar urën kryesore që bashkon qytetin e Mitrovicës, me barrikada të palëvizshme. Në këtë mënyrë me ndihmën e Beogradit është pamundësuar shtrirja e sundimit të ligjit dhe qeverisë së Kosovës, megjithëse formalisht ka një shpërbërje të strukturave paralele në polici dhe gjyqësi. Qytetarët e thjeshtë serbë të cilët duan një jetë më të mirë, janë në presionin e grupeve kriminale, të cilët i kontrollon vetëm Beogradi. Ky i fundit ka urdhëruar edhe kryetarët e komunave të dorëzojnë mandatet dhe së shpejti pritet organizimi i zgjdhjeve të tjera lokale. Komunat serbe në përgjithësi gëzojnë kompetenca shumë të zgjeruara sesa komunat e tjera në Kosovë. Po kështu nuk mund të flitet më për enklava, pasi qytetarët serbë në pjesën jugore nuk kanë probleme të izolimit. Madje mund të themi se janë integruar dhe marrin pjesë në jetën institucionale. Ajo cfarë i sfidon ata është presioni i vazhdueshëm i Begradit.

Cilat janë sukseset kryesore në pozitën e Ambasadores?

Nuk është komode të flasësh për veten por besoj se krijimi i grupit të miqësisë Itali –Kosovë në parlamentin Italian mandatin e kaluar, krijimi i dhomës së Tregtisë, aktivitetet e shumta që kemi realizuar në fushën ekonomike dhe diplomatike, zhvillimi i kontakteve me një numër shumë të madh të personaliteteve dhe institucioneve italiane, realizimi i vizitave të nivelit shumë të lartë, dhe mbi të gjitha kultivimi i raporteve me shtetin italian, kanë qenë puna ime e përditshme. Mandati im ka konciduar edhe me përvjetorin e dy ngjarjeve shumë të rëndësishme historike për Kosovën sic ishte vjet dhjetë-vjetori i pavarësisë dhe këtë vit 20 vjetori i ndërhyrjes së trupave të Natos në Kosovë dhe çlirimi i saj. Për këtë arsye kemi zhvilluar edhe aktivitete të rëndësishme, për të risjellë në vëmendje këto ngjarje dhe padyshim për të falenderuar shtetin italian, si një nga kontribuesit kryesor në lirinë e Kosovës.

Cilat janë perspektivat në Kosovë për gjeneratat e reja?

Kosova është një shtet i ri, i përbërë nga njerëz kryesisht të rinj. Mosha mesatare në Kosovë është më e ulëta krahasuar me të gjitha vendet e Europës, kështu që gjeneratat e reja, do të kenë shancin që të gëzojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Së paku kjo është aspirata e tyre. Kosova është një vend që ka potenciale të mëdha për të lulëzuar, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe teknologjik. Është në qendër të rajonit dhe pozita gjeografike e favorizon që të jetë një vend me perspektivë. Unë do të kërkoja nga të gjithë ata që e lexojnë këtë intervistë që ta shohin Kosovën si një vend ku mbretëron paqja prej shumë vitesh, si një demokraci drejt konsolidimit dhe mbi të gjitha si një vend tepër europian.

Situata ekonomike (fillimisht inflacioni dhe papunësia)

Situata ekonomike është një sfidë në Kosovë sepse pas një diskriminimi shekullor, dhe pas një shkatërrimi gati të plotë në luftë, nuk ka qenë e lehtë të kalohet në një ekonomi të zhvilluar. Ka nevojë për investime të huaja, dhe investitorët këtë do të duhej ta shihnin edhe në interesin e tyre, pasi Kosova është tepër afër, vend shumë më i sigurt se plot vende të tjera nëpër botë, dhe mbi të gjitha ka një rini e cila është e gatshme dhe e emancipuar.

Mendoni se Europa është duke bërë mjaftueshëm për çështjen e Kosovës? Po Italia?

Nëse pyetja është për Bashkimin Europian, mund të them se në Kosovë prezenca e tyre është shumë e rëndësishme. Ata ndihmojnë institucionet me anë të projekteve të ndryshme, shumë shpesh me ekpertizën e tyre, në të shkuarën kanë financuar shumë projekte. Bashkimi Europian edhe përsa i përket raporteve me Serbinë, drejton negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, prej gjashtë vitesh dhe është i përfshirë në secilën marrëveshje që është nënshkruar. Prej vitit 2016, Kosova ka një marrëdhënie kontraktuale me BE-në që është marrëveshja e Asocim –Stabilizimit dhe kjo është  e favorshme për Kosovën sepse BE-ja e hap më shpejt tregun e saj për prodhimet nga Kosova, ndërkohë që Kosovës i jepet mundësia që tregun e vetë ta hapë gradualisht. Po kështu Kosova tashmë mund të aplikojë në programet e Be-së.

Nënshkrimi i MSA-së shënon hapin më të rëndësishëm deri me tani në raportet e BE-së me Kosovën, si në aspektin juridik - në formën e vendosjes së raporteve kontraktuale - ashtu edhe në aspektin ekonomik, tregtar, politik dhe më gjërë. Padyshim se hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ka rëndësi historike.

Përsa i përket Italisë, kontributi i saj është i pazëvendësueshëm. Ata janë prezentë me trupat e NATO-s, janë pjesë e pesëshes (SHBA, Itali, Francë, Gjermani, Britani e Madhe) që mbështet pavarësinë e Kosovës dhe institucionet tona konsultohen me ta për cdo vendim madhor. Italia po ashtu është prezente në institucione me ekpertizën në shumë fusha, si dhe me projekte në fusha të ndryshme, si kultura, shëndetësia etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat