A ia ka kërkuar Merkel në mënyrë eksplicite Haradinajt heqjen e taksës?

Lajme

A ia ka kërkuar Merkel në mënyrë eksplicite Haradinajt heqjen e taksës?

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 11:33
Merkel dhe Haradinaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte takuar më 6 qershor në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ku kishin diskutuar për raportet dypalëshe ndërshtetërore dhe për temën e dialogut Prishtinë-Beograd.

Në një konferencë për media pas kthimit nga Gjermania, Haradinaj kishte treguar detaje nga takimit dhe kishte thënë që është diskutuar për taksën, por duke potencuar që Merkel nuk i kishte kërkuar heqjen e taksës.

Lidhur me këtë, media ka kontaktuar zyrën e kancelares Angela Merkel, të cilët thonë se Gjermania njëjtë sikurse e gjithë BE-ja, mbështet heqjen e taksës, për shkak se një vendim i tillë bie në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s për tregti të lirë.

“Tarifat ndëshkuese shkelin Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore, prandaj Gjermania, ashtu si BE-ja, mbështet heqjen e tarifave ndëshkuese”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Qeverisë Federale gjermane.

Se BE-ja kërkon heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë për rifillimin e dialogut të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një prononcim e ka thënë zëdhënësja e Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic.

Ajo ka thënë se për të rinisur plotësisht dialogun, Qeveria e Kosovës duhet të suspendojë taksën ndaj Serbisë.

“Për një rifillim të plotë të bisedimeve, Qeveria e Kosovës duhet që të supesondojë taksën”, ka thënë Kocijancic duke theksuar se nuk duhet të ketë vonesa të tjera.

Megjithatë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbetet i pa lëkundur në qëndrimin e tij për taksën. Ai thotë se pa një marrëveshje për njohje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, taksa nuk hiqet.

Ndërkohë në anën tjetër Serbia kthimin në dialogun e Brukselit vazhdon ta kushtëzojë me heqjen e taksës.

Këtë e përsërisin çdo ditë krerët e shtetit serb atje. Madje tashmë po e kushtëzojnë edhe mbajtjen e Samitit të Parisit me taksën.

Një gjë të tilla e ka thënë shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se Samiti i Parisit nuk do të mbahet, nëse Kosova nuk e heq taksën.

Gjithashtu edhe presidenti serb, Vuçiq ka thënë se ka shumë gjasa që Samiti i Parisit të mos mbahet.

Se takimi në Francë mund të shtyhet e ka thënë dje edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Megjithatë ai thekson se Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë takim, dhe se askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga Kosova nëse Samiti i Parisit nuk mbahet./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat