Pas këtij shkrimi, SHIK-u vret Xhemail Mustafën

Lajme

Pas këtij shkrimi, SHIK-u vret Xhemail Mustafën

Nga: D.RR Më: 21 qershor 2019 Në ora: 17:36
Xhemail Mustafa

Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj, në faqen e tij në Facebook, ka publikuar një artikull të Xhemail Mustafës të botuar në gazetën “Bota sot” më 14 nëntor të vitit 2000.

Xhemail Mustafa ishte gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe anëtar i LDK-së. Ai u vra mizorisht në Prishtinë në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan.

Mustafa në shkrimin e tij të botuar në gazetën "Bota sot" trajton çështjen e zgjedhjeve lokale të atij viti ku LDK-ja kishte dalë fituese, ndërsa shkrimi kishte ngjallur reagime të mëdha, sidomos nga përfaqësues të PDK-së dhe nga Rexhep Qosja.

Në Prishtinë, kishte edhe grafite ku shkruhej: “Prishtinë zemra ime, haram të qoftë gjaku im, zgjedhjet 2000, TURP”.

Pas këtij shkrimi, deri në ditën e vrasjes së Xhemail Mustafës, gazeta “Bota sot”, ishte përballur me kërcënime e trysni të shumta.

Postimi i plotë i Mazrekajt në Facebook, së bashku me shkrimin e Xhemail Mustafës të botuar në gazetën "Bota sot":

Pas këtij shkrimi, SHIK-u vret Xhemail Mustafën

Miq, ky që po e prezantojë sot është një shkrim i intelektualit të shquar Xhemail Mustafa, i vrarë më 23 nëntor të vitit 2000.

Pra, ky është shkrimi të cilin Xhemail Mustafa, e kishte publikuar në gazetën “Bota sot”, disa ditë para se të vritej. Artikulli është i datës 14 nëntor 2000, ndërsa trajton çështjen e zgjedhjeve lokale të atij viti ku LDK-ja kishte dalë fituese. Kjo kishte ngjallur reagime të ashpra nga drejtuesit e partive të tjera, si Rexhep Qosja dhe përfaqësues të PDK-së. Ato kishin bërë edhe grafitë nëpër Prishtinë, kush shkruhej: “Prishtinë zemra ime, haram të qoftë gjaku im, zgjedhjet 2000, TURP”.

Pas këtij shkrimi, deri në ditën e vrasjes së Xhemës, gazeta “Bota sot”, ishte përballur me kërcënime e trysni të shumta.

Më poshtë po iu sjellë të plotë shkrimin e Xhemail Mustafës, të publikuar më 14 nëntor të vitit 2000, pak ditë para se të vritej barbarisht para banesës së tij në Prishtinë!

Mallkimi i popullit nga ‘të mallkuarit e Popullit”

Drejtuesit e disa partive që humbën në zgjedhjet bashkiake të 28 tetorit po vazhdojnë që ta fajësojnë dhe mallkojnë rëndë popullin për humbjen që pësuan dhe me këtë veprim ata vetvetiu po ia marrin popullit të drejtën e votës e të votimit. Vetëm partitë ideologjike dhe politikanët në prirje diktatoriale kanë guximin që ta fajësojnë popullin dhe pretendojnë që t`i shtrojnë atij kushte dhe ti bëjnë diktate se si është dashur të veprojnë dhe cilën parti qenka dashur ta favorizojë. Projektimi i fitores sipas ambicieve dhe dëshirave personale apo grupore është krejtësisht njerëzor, por nuk është as politik as njerëzor fajësimi dhe etiketimi i të tjerëve për humbjen. Përgjegjësia për dështimin e një partie demokratike në zgjedhje duhet të kërkohet tek lideri dhe tek strukturat e saj drejtësie dhe jo zgjedhësit.

Zgjedhjet bashkiake shkuan më të gjitha fazat e nën fazat e veta dhe tashmë duhet të mësohemi me punët që na presim në periudhën pas zgjedhore. Ajo që mbeti dhe që do ta kujtojmë edhe disa kohë është përshtypja e keqe që krijuan disa drejtues partish me akuzat dhe mallkimet e rënda që i bënin popullit pse kishte votuar kandidatët e partisë kundërshtare dhe jo kandidatët e partisë së tyre. Zyrtarisht grupimet politike që quhen dhe që njohjen në “parti të luftës” rezultatet e zgjedhjeve të 28 tetorit i pranuan pa asnjë hezitim. Ato me këtë veprim dëshmuan se njësoj si fitorja ashtu edhe humbja duhet të konsiderohen pjesë në një proces zgjedhor dhe është akt i kulturës politike pranimi i rezultateve të zgjedhjeve të tilla, çfarë është dhe pas asnjë rezistencë. Por për habinë e shumëkujt disa drejtues dhe aktivist të Partisë Demokratike të Kosovës e të Partisë Qendra Liberale e Kosovës të cilat vetën e quajnë trashëgimtare të vetme të luftës, në disa shkrime dhe deklarime shfrynin rëndë kundër popullit, veçmas kundër asaj pjese të zgjedhjeve që ia besoi votën Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deklarimet dhe prononcime që akuzonin dhe që fyenin popullin pse kishte votuar sipas vullnetit të vet dhe jo sipas projektimeve dhe agjitimeve të tyre, njeriu ka mundur të lexojë e të dëgjojë edhe nga përfaqësues të partive më të vogla dhe nga disa analistë politikë. Këta të fundit nën presionin e fitores së demokratëve nëpër shkrimet e tyre harronin maskat kinse pavarësisht se gjykimit profesional dhe ky rreshtim i tyre nuk besoj që ta këtë habitur dikë. Ato që habisin janë mllefi dhe akuzat e rënda ndaj popullit të disa drejtësive të partive të “krahut të luftës”, të cilat pretendojnë se janë parti të mëdha dhe se pikërisht në emër të popullit dhe për të mirën e tij, thonë se bëjnë politikë serioze.

Gabimet e popullit dhe ata që duan të mbrojnë atë nga këto gabime?

Njeriu e ka të vështirë që ti evidencojë të gjitha akuzat e fyerjet që disa nga drejtuesit e këtyre partive i bënin këto ditë popullit. Por nga gjithë ai pyll vlerësishmesh e etiketimesh të përçudshme, po veçojmë konstatimet se kinse populli kësaj radhe paska votuar kundër vetvetes (!!!) se një pjesë e zgjedhësve qenka e bllokuar se populli ende qenka i traumatizuar nga lufta se zgjedhjet e 28 tetorit paskan qenë turpi i Kosovës se fitorja e partisë që fitoi shumicën dërrmuese qenka çështje e inercionit, se me këtë fitore populli shkeli gjakun e dëshmorëve dhe se (çfarë paradoksi) me këto zgjedhje populli paska humbur, kurse Kosova paska fituar? Pati këto ditë dhe akuza e fyerje të tjera qëi bëheshin popullit pikërisht nga ata politikanë të cilët më shumë agresvititet ia kishin kërkuar votën, dhe tash kur populli votën e tij ua kishte besuar te tjerëve këta po e akuzonin dhe po fyenin rëndë popullin dhe zgjedhësit për kinse gabimin që paska bërë. Secila nga këto akuza dhe etiketime të përçudshme do të mund të interpretohej gjatë dhe në mënyrë të veçantë nga aspektet të ndryshme. Por emërtuesi i tyre i përbashkët është mllefi i papërmbajtur i disa politikanëve ndaj popullit dhe një zhgënjim i thellë për humbjen që kishin pësuar partitë e tyre. Vështruar nga aspekti thjeshtë njerëzor edhe mllefi edhe zhgënjimi janë kategori dhe situata normale psikomorale dhe askush askujt nuk mund t’ia marrë të drejtën që të ndihet i mllefosur dhe i zhgënjyer për humbjen që ka pësuar. Garat zgjedhore njësoj si çdo garë tjetër përcjellën me fitore e me humbje, dhe ashtu siç është normale që ti gëzohet njeriu fitores politike po aq normale dhe e njerëzishme është që të ndihet i mllefosur dhe i zhgënjyer për humbjen që ka pësuar ai dhe partia e tij.

Ata që fajësojnë popullin nuk është dashur që ti fitojnë zgjedhjet

Po, ajo që del e domosdoshme për ti diskutuar dhe sqaruar është mënyra se si mund dhe duhet të artikulohet ky mllef dhe ky zhgënjim publikisht si dhe fakti nëse ka të drejtë kushdo qoftë që të akuzojë e të fyejë popullin për disfatën e tij politike. Nuk besoj se mund të gjejë njeriu politikan apo parti serioze në botën demokratike që të akuzojë të tjerët, veçmas jo popullin dhe zgjedhësit për humbjen në zgjedhjet. Intimisht njeriu mund të jetë i mllefosur dhe i zhgënjyer më secilin dhe në gjithçka dhe kjo është e drejta e tij e pa tjetërsueshme, ndërkaq për asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk i jep të drejtë askujt dhe me asnjë kusht që ta akuzojë dhe etiketojë popullin publikisht pse ka votuar këtë apo atë parti dhe jo një parti tjetër. Secili individ ditën e zgjedhjeve e ka mundësinë që votën e tij t’ia jap njërës apo partisë tjetër dhe kjo është e drejta e tij e patjetërsueshme. Pikërisht mbi bazën e ushtrimit të papengueshëm të kësaj të drejte fillon dhe ngrihet teoria dhe praktika e demokracisë. Arsyet pse votuesit me votën e tyre e mandatojnë njërën parti dhe jo partinë tjetër duhet kërkuar vetëm tek vlerat që ka një parti dhe tek besimi që ngjallin e që kushtëzojnë ato vlera. Kështu veprohet gjithkund në botën demokratike dhe siç thamë, nuk besojmë të ketë politikanë dhe parti serioze, e cila akuzon dhe etiketon popullin për humbjen e zgjedhjeve. Por kjo mund të ngjajë në Kosovë dhe mund të numërojmë disa drejtues partish dhe analistë politikë, të cilët, kinse të habitur për humbjen që pësuan, fajësonin popullin dhe akuzonin paritë oponentë. Po shihet ashiqare se ata nuk e kanë guximin dhe kurajën e nevojshme politike dhe morale që shkaqet dhe arsyet e humbjes t i kërkojnë dhe ti gjen së pari tek vetja e tyre, tek mënyra e punës dhe tek strukturat partiake që drejtojnë. Puna e parë që bëjnë në vendet demokratike drejtuesit e partive që i humbin zgjedhjet veçmas ata që nuk fitojnë asnjë për qind të votave, është dorëheqja para strukturave të partisë. Pranimi apo mospranim, i dorëheqjes së këtij apo atij lideri partiak është çështje e vlerësimit të strukturave dhe i vetë anëtarësisë së partisë. Por, ky është rendi elementar demokratik dhe është pikërisht ky rend që përgjegjësinë për dështimet e partisë i vendos brenda vetë partisë dhe kreut të saj dhe jo tek populli dhe tek zgjedhësit. Fakti se disa politikanë e nxjerrin fajtor popullin për humbjen e tyre në zgjedhje dhe jo vetën e tyre, paraqet një argument më shumë se ata, vërtet, nuk është dashur që ti fitojnë zgjedhjet dhe se politikanët e tillë po vazhduan të sillen në këtë mënyrë as që do ta fitojnë ndonjëherë besimin e popullit. Fenomeni i mallkimit dhe fajësimit të popullit për humbjen në zgjedhje, padyshim është një dukuri e demokracive të brishta e të pakonsoliduara dhe vjen si një recidiv i fuqishëm i vetëdijes politike autoritare. Vetëm partitë ideologjike dhe drejtuesit e tyre me prirje diktatoriale kanë guximin që ta fajësojnë popullin dhe të pretendojnë që t`i shtrojnë atij kushte e t`i bëjnë diktate se si është dashur të veprojë dhe cilën parti qenka dashur ta favorizojë. Populli është i pagabueshëm, kurse ata që munden dhe që duhet të ndryshojnë dhe të ndërrohen janë politikanët dhe strukturat partiake. Këta të fundit munden dhe e kanë për obligim që ta emancipojnë popullin politikisht dhe që me dialog ta bindin popullin se janë pikërisht ata dhe partitë që drejtojnë ato që duhet të fitojnë në zgjedhje. Kjo është e lejueshme gjatë fushatës parazgjedhore dhe ishin pikërisht drejtuesit e partive që i humbën zgjedhjet bashkiake, ata që i patën në dorë mundësitë e mëdha për propagandë dhe që i shfrytëzuan këto mjete dhe këto mundësi.

Politikanët që nuk e fitojnë cenzusin heshtin dhe bëjnë bilancin e gabimeve

Fakti se këta politikanë dhe këto parti i humbën këto zgjedhje me gjithë mundësitë e mëdha që i patën dhe që i shfrytëzuan tash e një vit e gjysmë, vetvetiu dëshmon se ata nuk e kanë merituar fitoren. Kjo është një çështje shumë e thjeshtë dhe kësaj humbjeje nuk kanë pse i frikësohen dhe nuk kanë pse i çuditen disa drejtues partish dhe disa analistë politikë, të cilët, tash e dhjetë ditë po përpiqen që ta bindin opinionin se si rezultati i zgjedhjeve qenka kinse i papritur dhe befasues. Fitorja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë kontestuese, të paktën jo në këtë vitin e fundit, kurse indikacionet më të fuqishme dhe më valide të kësaj fitoreje kanë qenë pikërisht sondazhet e zgjedhësve nga institutet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ata që merren me çështje të opinionit e dinë se në të gjitha këto sondazhe këtë vitin e fundit favorit kanë qenë pikërisht demokratët. Relative ka qenë vetëm diferenca e fitores dhe nuk ka asnjë dyshim se zhurma dhe habia e tashme stimulohen nga disa udhëheqës partish vetëm për ta zbutur disi përgjegjësinë e tyre para anëtarësisë së vet për humbjen në zgjedhje.

Veçmas kanë një diskurs agresiv e plot me formulime nga fantastika politike drejtuesit e disa partive të vogla, të cilat në këto zgjedhje nuk fituan as një përqind të votave të zgjedhësve. Gjithkund në botë udhëheqësit e partive që marrin më pak se 3-5 për qind të votave të përgjithshme, pas zgjedhjeve heshtin dhe i kthehen ballafaqimit me gabimet dhe dobësitë e tyre. Kjo është rruga që duhet të ndjekin partitë politike në Kosovë, të cilat humbën në zgjedhjet bashkiake të 28 tetorit, nëse duan që ta përmirësojnë rejtingun në zgjedhjet e ardhshme. Zhurma agresive publike, akuzat dhe mallkimi i popullit për humbjen që pësuan, këto parti nuk do t`i shpijnë kurrë te fitorja dhe kjo nuk është mirë as për to as për vet Kosovën.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat