Populli i varfër me politikanë milionerë

Lajme

Populli i varfër me politikanë milionerë

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 18:40
Ilustrim

Edhe pas dy dekadash që nga përfundimi i luftës, Kosova nuk po mund të stabilizohet ekonomikisht. Të dhënat tregojnë që niveli i papunësisë, është ende i lartë, e për rrjedhojë edhe ekonomitë familjare, nga kjo perspektivë, mbeten përgjithësisht të varfra. Megjithatë, politikanët vendorë, nuk e kanë vuajtur këtë krizë. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shtrese, mbeten të pasur, madje, madje edhe milionerë – shkruan Gazeta e Re.

 Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK), në tremujorin e parë të këtij viti, shkalla e numrit të papunëve është tepër e lartë.

«Anketa ka pasur shtrirje në 452 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar   4004 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011» – thuhet në fillim të raportit.

Aty vihet në dukje që dy të tretat e popullsisë në Kosovë, përbëjnë shtresën e moshës së punës (15 – 64 vjeç). E në kuadër të kësaj shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është vetëm 38.7%.

Më tutje në raport thuhet se: «Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2019 është 28.2%. Punësimi me i lartë është te meshkujt 43.0%, ndërsa punësimi te femrat është 13.3%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 54.6 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 43.8%.»

Por ajo që ka shkaktuar debat, është shkalla e papunësisë. Sipas ASK-së: «Në tremujorin e parë të 2019, shkalla e punësimit është 28.2 %, shkalla e papunësisë është 26.9 % ndërsa shkalla e jo aktivitetit është 61.3 %.»

Një pjesë e opozitarëve e interpretuan këtë të dhënë si shkallën më të lartë të papunësisë në vend. Por disa akuzave të tyre, si dhe disa titujve të mediave se në Kosovë janë «mbi 60 %  të papunë» – Kryeministri Ramush Haradinaj iu kundërpërgjigj me një përllogaritje tjetër.

«Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë, është ulur në 26.9 %, për periudhën Janar – Mars 2019 në krahasim me periudhën Tetor – Dhjetor 2018 që ishte 31.6%. Këto statistika tregojnë edhe një fakt, që ulja e papunësisë ka ndodhur në grupmoshat 15-54 vjeçare. Nga 57.3 % të të papunëve nga kjo grupmoshë, tremujori i parë i 2019-tës, tregon një ulje për 7%, konkretisht 50.6 për qind.  Këto statistika, janë lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë dhe dëshmi e zhvillimit të brendshëm ekonomik, megjithëse për Qeverinë e vendit, mbetet shqetësim i vazhdueshëm shkalla e papunësisë në vend. Në këtë përpjekje, do të vazhdojmë angazhimin tonë, për të fuqizuar zhvillimin ekonomik të vendit, duke mbështetur prodhuesit tanë dhe duke tërhequr investime të huaja direkte, të cilat çojnë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e përgjithshme ekonomike.»

E ndërsa debati ende po vijon (për sa i përket shkallës së papunësisë), disa të dhëna të tjera, kanë marrë vëmendjen e opinionit publik. Dilemat rreth shkallës së papunësisë, nuk mund të jenë të thella, por për sa u përket milionerëve vendorë, aty nuk ka kurrfarë paqartësie.

Të dhënat nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit (AKKK), e bëjnë të qartë hendekun e thellë që i ndanë politikanët nga pjesa tjetër e shoqërisë. E përditshmja Zëri ka përllogaritur pasurinë e disa zyrtarëve të lartë, ku vetëm disa prej tyre kalojnë shifrën 1 miliardë eurosh. Pasuria e 120 deputetëve, bashkë me zyrtarët e kabinetit Haradinaj, e tejkalojnë pa ndonjë problem këtë shifër në fjalë. Behxhet Pacolli, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm i vendit (me 720 milionë euro), Ramiz Kelmendi, deputet dhe biznesmen (me 120 milionë euro), dhe Gani Dreshaj, deputet (me 85 milionë euro), mbeten ndër politikanët më të pasur sipas deklarimit të pasurisë.

Sipas kësaj, paragjykimi i qytetarëve se shumica e politikanëve mendojnë vetëm për vete, nuk është krejtësisht i pa bazë. Se krizës së papunësisë i kanë kontribuar vet institucionet, kështu mendojnë edhe disa nga politikanët. Deputeti opozitar Lumir Abdixhiku, duke iu kundërvu interpretimit të kryeministrit rreth statistikave, shkroi se po sipas «Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në shtator të vitit 2017, ditën kur ju nisët punën në Qeverinë PAN, në Kosovë punonin plot 365 mijë qytetarë. Sot, pas dy viteve qeverisje PAN, sipas të njëjtës Agjenci, të punësuar janë vetëm 341 mijë kosovarë. Pra plot 24,000 vende pune më pak për dy vjet qeverisje PAN. Dy vjet politika nepotike partiake e shpërdorim parashë pa masë japin veçse një përfundim; për çdo ditë të PAN-it në pushtet, nga 36 vende pune humben në ditë – secilën ditë!»

Përtej këtyre debateve, një gjë është e sigurt: vendi, ndonëse i varfër, politikanët të paktën i ka të pasur – thonë disa qytetarë me ironi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat