Ky ishte shkrimi i Bardhyl Ajetit për konfliktin Haradinaj-Musaj

Lajme

Ky ishte shkrimi i Bardhyl Ajetit për konfliktin Haradinaj-Musaj

Nga: D.RR Më: 25 qershor 2019 Në ora: 15:44
Foto ilustrim: Haradinaj, Musaj dhe Bardhyl Ajeti

Sot u bënë 14 vite nga vrasja e gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajetit. Ai më 3 qershor të vitit 2005, u qëllua nga persona që ende janë të panjohur, derisa vdekjen e gjeti në një spital të Milanos në Itali, 3 javë më vonë, ku ishte dërguar për shërim.

Bardhyl Ajeti, gazetari i “Botës Sot”, në vitin 2000 kishte bërë një hulumtim dhe shkrim të gjatë pak ditë pas sulmit të Ramush Haradinaj me mbi 50 ushtarë në familjen Musaj nga Strellci.

“Në Strellc ishte ditë me diell, si në çdo vend tjetër të Kosovës. Në Strellc kishte buzëqeshje, hare e pikëllim sikur në tërë Kosovën. Në Strellc fshatarët ishin si në çdo vend tjetër në Kosovë. Askush nuk përmendi as armë, as rrahje e as asgjë tjetër përveç ”mirë se erdhët”, ka shkruar gazetari Ajeti në vitin 2000.

Rrugës për në Strellc Bardhyl Ajeti ishte ndalur në Pejë për të pyetur se ku ndodhet fshati Strellc? Ai kishte marrë një përgjigje të frikshme.

Ja se si e ka shpjeguar në atë kohë, vetë gazetari Bardhyl Ajeti, i cili mbeti i vrarë vrarë në vitin 2005, nga një atentat në rrugën Prishtinë – Gjilan:

“Para se të nisemi në Strellc disa të rinj, në një lokal hotelier në Pejë, na thanë: ” Ku jeni duke shkuar ore? A e dini se atje hyni të gjallë, kurse dilni të vdekur? Atje ka pasur luftë, o shoku” thonin ata, mirëpo ne prapë se prapë vazhduam rrugën tonë drejt Strellcit”. “Në Strellc ishte ditë me diell, si në çdo vend tjeter të Kosovës. Në Strellc kishte buzëqeshje, hare e pikëllim sikur në tërë Kosovën. Në Strellc fshatarët ishin si në çdo vend tjetër në Kosovë. Askush nuk përmendi as armë, as rrahje e as asgjë tjetër përveç ”mirë se erdhët”, ka shkruar gazetari Ajeti në atë kohë.

 Zhdukja e Sinan Musajt

Sadik Musaj ka treguar për gazetën “ Bota Sot”, rrethanat në të cilat u zhduk, sipas tij, Sinan Musaj, për fatin e të cilit ende nuk dinë gjë. “Sinani prej shtëpisë herën e fundit ka dalë më 24 qeshor të këtij viti. (Bëhet fjalë për vitin 1999). Ai këtë ditë së bashku me shokët Rexhë Osaj, Bashkim Balaj, Ramë Idriz Peja, ( të gjithë të zhdukur) dhe Vesel Muriqin ( që arriti të shpëtoj kësaj ngjarje) është kapur para shtëpisë së mallrave në Pejë. Ata i kanë kapur ushtarët e Ramush Haradinaj. Prej këtij momenti nuk dimë asgjë për vëllain tonë, sikur nuk dinë asgjë, as familjarët e tjerë të zhdukur të kësaj dite. Ne e dimë rastin kështu, në sajë të Veselit, i cili është këtu dhe disa ushtarëve të Ramush Haradinaj”, ka thënë Sadik Musaj.

Sulmi në familjen Musaj

Ndërsa Qazim Musaj, ka treguar se si ndodhi sulmi në familjen Musaj. Ai ka treguar se ata janë gjendur nën rrethim dhe nën breshërinë e armëve. “Isha duke shikuar televizion, dhe papritmas pashë, që para oborrit tonë u ndalën disa vetura, dhe nga to duke dalë disa persona. Vrapova shpejt dhe i zgjova nga gjumi në fillim Sadikun, e pastaj edhe anëtarët e tjerë të familjes. Nga të gjitha anët kemi qenë të rrethuar, kanë filluar të gjuajnë me armë dhe ne ju kemi përgjigjur.

Rreth 2 orë ka pasur të shtëna me armë” , ka treguar Qazim Musaj. Ky i fundit më tej ka rrëfyer se ka refuzuar të dorëzohet, ndaj ka hedhur një bombë kundër Ramush Haradinajt. “Kanë qenë të gjithë me armë. Unë e kam pasur një revole në duar dhe e kam mbajtur në drejtim të Ramush Haradinajt. Unë nuk kam dashur të dorëzohem. Nuk e di, se si kam arritur tek një bombë e kam kapur dhe e kam hedhur në drejtim të Ramush Haradinajt dhe togerit, mirëpo unë prej pragut të shtepisë time nuk kam ku të shkoj” , ka deklaruar Sadik Musaj, për gazetën “Bota Sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat