Flet pronarja e sallonit të ondulimit që u subvencionua nga Ministria e Inovacionit – kemi apliku si krejt edhe na kanë përzgjedh

Lajme

Flet pronarja e sallonit të ondulimit që u subvencionua nga Ministria e Inovacionit – kemi apliku si krejt edhe na kanë përzgjedh

Më: 26 qershor 2019 Në ora: 17:23
Besim Beqaj

Salloni i Ondulimit “Hira”, në Fushë Kosovë mbanë në derë logon e Ministrisë Inovacionit, si përkrahëse për zhvillimin e biznesit.

Media gjatë ditës ka kontaktuar me pronaren e këtij salloni, Feime Gashi e cila përmes telefonit ka pranuar se ka marrë subvencion nga ministria. Por ajo ka refuzuar të flas para kamerës lidhur me këtë çështje.

Gashi madje ka thënë se rrallë del në lokal, për këtë edhe ska dashur të jap detaje të tjera për subvencionin nga Ministria. Ajo nuk ka treguar as shumën që ka marrë por ka sugjeruar që të kontaktohet ministria.

“Na e kemi pa konkursin kemi aplikuar si krejt edhe na kanë përzgjedh. Nuk kam diçka tjetër për me thënë, për krejt pyetjet tjera folni me ministrinë. Nuk kam çka mu taku. Unë nuk dalë në lokal, përmes punëtoreve kontaktoi”, ka thënë pronarja e sallonit për Insajderin.

Salloni i Ondulimit “Hira”, nuk figuron si biznes i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

Insajderi ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Inovacionit, zyrtarë të së cilës e kanë mohuar se i kanë dhënë subvencion këtij salloni ani pse pronarja e pranoi se ka marrë përkrahje financiare nga ministria.

“Në dosjet dhe regjistrat e projekteve të përkrahur nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, nuk ka biznes me emrin “Hira” nga Fushë Kosova”, thuhet në përgjigje.

Ministria ka shtuar se përgjatë vitit 2018 janë përkrahur 160 biznese fillestare. Ndërda shuma maksimale e përfitimit për një biznes fillestar ka qenë 9000 euro.

Mbi 4 milionë euro, kishte në dispozicion ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, e cila në vitin 2017 u krijua me idenë që Kosova të jetë në hap me kohën me zhvillimet e inovacionit nëpër botë dhe ta përdorë atë për krijimin e vendeve të reja të punës, një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave, auditori i përgjithshëm ka gjetur se kanë shkuar për biznese aspak inovative.

Zyra Kombëtare e Auditorit, ka gjetur se në kategorinë e subvencioneve janë bërë shkeljet më të mëdha në këtë ministri.

Nga paratë që do të duhej tu ndaheshin për bizneset e reja, kanë përfituar biznese që funksionojnë qe 15 vjet.

“Nga mostrat e testuara për përfituesit nga thirrja për Start Up, kemi vërejtur se në tri raste, përfitues ishin bizneset ekzistuese aktive dy prej të cilave që nga vitet 2004 dhe 2005. Dy nga këta përfitues ishin përzgjedhur nga thirrja për Start Up edhe pse nuk i plotësonin kriteret sepse aplikacionet e tyre kishin të bënin me thirrjen për subvencionim të NVM dhe OJQ”, theksohet në raport.

Ministria po ashtu ka ndarë subvencione edhe për një shoqatë të bletarëve.

Për të janë ndarë plot 14 mijë e 900 euro, përderisa 14 mijë e 940 euro janë dhënë edhe për një shoqatë me emrin “Human Care”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat