Auditori thotë se kontrata për ndërtimin e platos mbi “Kurriz” nuk ka përfunduar akoma

Lajme

Auditori thotë se kontrata për ndërtimin e platos mbi “Kurriz” nuk ka përfunduar akoma

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 07:17
Kurriz

Nisi në vitin 2015, por akoma nuk ka përfunduar së ndërtuari platoja mbi Kurriz në lagjen “Dardania” të Prishtinës.

Jeta mbi plato po zhvillohet normalisht, por nuk kanë përfunduar punët e parapara në projekt. Fontanat e parapara në projekt nuk janë ndërtuar, ndërsa shumë pllaka të xhamit kanë krisur në muajit e parë që janë vendosur, shkruan lajmi.net.

Zyra Kombëtare e Auditorit – ZKA ka konstatuar se ai projekt nuk është përmbyllur akoma.

“Projekti i ndërtimit të Bulevardit mbi kurriz, me vlerë 977,725 euro, për të cilin është nënshkruar kontrata me 12.06.2015 është paraparë të përfundojë pas 180 ditësh, por kontrata nuk është përfunduar ende. Komuna nuk ka aplikuar penale. Në fund të vitit 2018 menaxheri i prokurimit bazuar në raportin e komisionit të vlerësimit të punimeve ka propozuar që kjo kontratë të mbyllet, por kjo nuk është bërë. Shkak i vonesave ishte menaxhimi joadekuat i kontratës, derisa për përfundimin e kontratës po pritet aprovimi i kryetarit”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Prishtinës për vitin fiskal 2018. Raporti është publikuar në qershor të këtij viti, ndërsa nuk ka ndonjë ndryshim mbi plato.

Në raportin e auditorit janë evidentuar edhe vonesa të tjera të projekteve.

“Kontrata “Ndërtimi i urave në pjesën perëndimore të Unazës Qendrore” ishte nënshkruar me datë 29.07.2016 dhe sipas kontratës duhej të përfundonte brenda 180 ditësh, nuk ka përfunduar ende. Deri në përfundim të vitit 2018 janë realizuar punë në vlerë 706,976 euro ose vetëm 36% e vlerës së kontratës. Po ashtu kontrata “Revitalizimi i shkallëve dhe ndërtimi i mbikalimit në lagjen Arbëria” nënshkruar me 05.02.2018, duhej të përfundonte për 120 ditë. Deri në përfundim të vitit 2018 janë realizuar punë në vlerë 102,875 euro ose vetëm 22% të kontratës. Tek këto raste shkak i vonesave ishin dobësitë në projekt”, thuhet në raport.

Ndërsa, kontrata “Ndërtimi i sallës së edukatës fizike në shkollën “Eqrem Qabej” është nënshkruar me datë 29.10.2014, sipas së cilës do të mbyllej pas 100 ditësh. “Punët nuk ishin kryer sipas kontratës në shkollën Eqrem Qabej por në shkollën e Barilevës. Kontrata ka përfunduar gjatë vitit 2018. Sipas menaxherit shkak i kësaj ishte vlerësimi jo real i planit të ndërtimit”, ka vegjetuar ZKA.

Auditori ka evidentuar edhe kontratën “Ndërtimi i kolektorit mbi lumin Prishtina”, e cila ishte nënshkruar me datë 09.08.2016, dhe sipas kontratës duhej të përfundonte për 120 ditë.

Edhe “Ndërtimi i kanalizimit Besi-Barilevë-Lebanë-Kodra e Trimave” është nënshkruar me 18.08.2017 sipas kontratës duhej të përfundonte për 60 ditë. “Deri në përfundim të vitit 2018 për të parin janë realizuar punë në vlerë 1,235,791 euro ose 56% e kontratës, dhe për projektin e dytë punë në vlerë 60,000 euro ose vetëm 30%. Këto dy projekte ende nuk kanë përfunduar. Komuna nuk kishte zgjedhur paraprakisht problemet pronësore që lidhen me këto projekte si shkak i të cilave janë vonuar realizimet. Tek projekti i dytë ishte vonuar edhe OE ndaj të cilit kishin aplikuar penale”.

Kontrata “Rregullimi i Rr “Reshat Maliqi”, “27 Nëntori”, dhe Te Trafoja si dhe rregullimi i infrastrukturës në rrugët “Aziz Kelmendi”, “Malush Kosova” dhe “Elena Gjika” ishte nënshkruar me datë 24.10.2017 dhe sipas kontratës të gjitha punët do të përfundonin për 150 ditë. Auditori ka gjetur se, deri në përfundim të vitit 2018 janë realizuar punë në vlerë 50,000 euro ose vetëm 14.6% e kontratës. “Vonesat i kishte shkaktuar operatori i papërgjegjshëm. Menaxherja e projektit ka dërguar vërejtje për OE si dhe ka informuar zyrën e prokurimit rreth vonesave, megjithatë, gjatë pagesës së situacionit të parë nuk janë aplikuar penale”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat